Fjala e Zëvendës Kryeministres, njëherësh ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku gjatë konferencës “Strategjia e specializimit inteligjent në Shqipëri S3”:
Përshëndetje të gjithëve,
Është kënaqësi të jem këtu sot dhe angazhimi qeverisë duket edhe nga rreshti i parë, ku kolegët e mi ministra, kolegët e mi deputetë janë të gjithë këtu të angazhuar për të nisur një faqe të re, të një strategjie e cila do të ketë një metodologji ndryshe. Jo se deri më sot strategjitë të cilat kemi dizenjuar, strategji të cilat kemi implementuar nuk janë bërë në bazë të mendimeve të thella, analizave, por sot do të përdorim një metodologji tjetër, e cila do të na shërbejë në të ardhmen si një udhërrëfyes për çdo strategji që Qeveria Shqiptare së bashku me të gjithë grupet e interesit në këtë rast me akademinë dhe gjej rastin të falenderoj zotin Gjinushi që është këtu me ne do të implementojë.
Na ka mbledhur ky aktivitet këtu sëbashku për një nga proceset më interesante, për miratimin e strategjisë me një emër shumë kuptimplotë në ditët e sotme, ashtu si dhe Aurora e tha që unë dua ta falenderoj, sepse nuk ndjeva thjesht që po moderonte, por që i kishte hyrë kësaj strategjie thellë, ashtu si kemi bërë edhe ne të tjerët. Pra, nuk ishte një prezantim i veçantë, por ishte një analizë sintetike që unë jam e sigurt ajo do ta zhvillojë gjatë ditës nëpër panele, gjë që tregon që me të vërtetë ka një gjithëpërfshirje ky proces.
Duhet thënë që kjo është një strategji e cila ka nisur me një bashkëveprim me Qendrën e Përbashkët të Kërkimit të Komisionit Evropian, mes një qasje nga poshtë lart, ku përfshihen një sërë aktorësh siç thamë nga qeveria qendrore, qeveria lokale, biznesi, akademia dhe sigurisht shoqëria civile, për të vënë në lëvizje këtë “helikë të katërfishtë”, duke e çuar drejt një shpejtësie e cilësie të re për të ardhmen. Kjo nënkupton se përfaqësues të sektorit privat, pra që përfaqësojnë biznesin në Republikën e Shqipërisë, të akademisë, të shoqërisë civile, të qeverisë patjetër, do të përfshihen drejtpërdrejt për të identifikuar ato fusha dhe nën-fusha të ekonomisë shqiptare, ku duhet të specializohemi në mënyrë inteligjente.
Ato janë të lidhura me produkte e shërbime të reja në fusha si bujqësia, turizmi, energjia, teknologjia e informacionit, manifaktura dhe ofrimi i shërbimeve që krijojnë vlerë të shtuar, të lidhura gjithashtu edhe me ekonominë blu, energjinë e rinovueshme dhe sigurisht me synimin kryesor për të zhvilluar një ekonomi kombëtare dhe për të krijuar vende pune për të rinjtë dhe për ti aftësuar ata që të përballojnë presionet konkurruese, por nga ana tjetër për ti bërë të denjë edhe për tregun ndërkombëtar, pavarësisht se ne shpesh shqetësohemi që të rinjtë po largohen, por duhet patur parasysh që ka një lëvizje të lirë. Ka një lëvizje të lirë dhe të rinjtë tanë duhet të kenë të drejtën të aftësohen për të konkurruar në çdo treg ndërkombëtar.
Specializimi Inteligjent është një nga nismat kryesore të Agjendës së Ballkanit Perëndimor për Kërkimin, Inovacionin, Arsimin, Kulturën, Rininë dhe Sportet, si dhe pjesë e 2 kapitujve në kuadër të integrimit në Bashkimin Europian: Kapitullit 20 ”Ndërmarrjet dhe Politikat Industriale” dhe Kapitullit 25 “Shkenca dhe Kërkimi”. Shqipëria u regjistrua në Platformën e Smart Specialization në Nëntor të vitit 2017. Procesi i Specializimit Inteligjent të Shqipërisë po përgatitet aktualisht me asistencën e Qendrës së Përbashkët Kërkimore të Komisionit Evropian. Duke pasur parasysh rëndësinë e këtij procesi për vendin dhe ekonominë, por dhe të prioritetit në kuadër të integrimit në Bashkimin Europian dhe agjendës së Ballkanit Perëndimor, Strategjia e Specializimit Inteligjent do të jetë një prioritet i Qeverisë Shqiptare dhe një instrument i rëndësishëm për drejtimin e investimeve në të ardhshmen në fushat prioritare të cilat i përmenda, por të gjitha këto të bazuara mbi inovacionin.
Qeveria Shqiptare e ka përqafuar me dëshirë dhe vullnet të plotë këtë qasje të veçantë strategjike e metodologjike, duke besuar se ajo na ofron zgjidhjen më të mirë për të zhvilluar dhe specializuar ekonominë shqiptare në mënyrë inteligjente, si dhe për të krijuar një frymë të re bashkëpunimi me aktorë të ndryshëm si biznesi, shoqëria civile dhe akademia padyshim. Përballë një ekonomie post-Covid e në kushtet e një konflikti që po zgjat në kufijtë e Evropës dhe siç kemi parë një vit më parë, pra në 2022, askush, asnjë shtet nuk ka qenë imun ndaj një krize të krijuar nga një luftë sado larg nesh, askush nuk ka qenë imunë nga goditja e pandemisë, sigurisht ka ardhur momenti që nga pësimet të nxjerrim mësime dhe të ngremë kapacitetet tona, kapacitetet e burimeve njerëzore duke i aftësuar ata në një nivel për të qenë të gatshëm për të përballuar çdo lloj sfide në të ardhmen.
Nga kjo pikëpamje, sot takimi ynë i përbashkët duhet të na shtrojë udhën e një bashkëpunimi dhe bashkëbisedimi afatgjatë që Qeveria Shqiptare ka hapur prej kohësh me grupet e interesit, me shoqërinë civile dhe padyshim edhe me akademikët. Tashmë kemi një sërë sfidash deri në miratimin e kësaj strategjie, por sfidat më të mëdha besoj do të vijnë gjatë zbatimit të saj, pasi të shkruash një strategji, apo të shkruash një ligj ne që jemi edhe pjesë e parlamentit shqiptar e dimë që shpeshherë nuk është dhe kaq e vështirë. Ja dalim që të nxjerrim ligje të mira, ja dalim që të nxjerrim strategji të mira aty ku fillon sfida kryesore është implementimi.
Implementimi shpeshherë bëhet i pamundur, pasi na duhet që të thyejmë disa barriera apo mentalitete për mënyrën sesi jemi mësuar të punojmë dhe pavarësisht se draftojmë ligje apo strategji të mira nuk ka arrijmë t’ia dalim që të implementojmë ata si duhet. Por, unë jam e bindur që S3 do të jetë ndryshe, sepse që në draftimin e saj nis me një metodologji të qartë sesi duhet të implementohet. Ky është ndryshimi nga strategjitë e mëparshme, që unë e nisa duke thënë që edhe ato që kemi bërë deri më sot kanë qenë të mirëmenduara dhe jemi mundur që ti implementojmë në mënyrën më të mirë, por këtë radhë kemi një metodologji e cila me të vërtetë do ta bëjë implementimin më të lehtë dhe mot à mot siç është e shkruar edhe strategjia.
Tashmë kemi një sërë sfidash, përveç implementimit. Kemi sfida të cilat kanë të bëjnë me ndryshimin e mentalitetit të qeverisë, të administratës, që tashmë ka nisur prej kohësh negocimin dhe për të thënë të drejtën të gjitha imputet që marrim nga komisioni janë që administrata jonë tek po negocion kapitujt po i përballon në mënyrën më të mirë dhe po përfaqësohet në nivel teknik dhe politik me arritjet më të mira, por duke e përfaqësuar Shqipërinë ashtu siç i takon.
Kështu që tashmë me zhvillimet e vrullshme teknologjike të sotme apo të asaj që ka filluar të përkufizohet si “revolucioni i katërt industrial”, me sfidat e njohura dhe të panjohura që sjell robotizimi dhe inteligjenca artificiale, ky është momenti i duhur për të bërë zgjedhje inteligjente. Kjo besoj se do të jetë sfida e viteve në vazhdim për t’u përballuar edhe me tranzicionin e gjelbër dhe atë digjital si një domosdoshmëri për të ndryshuar dhe për të përmirësuar Shqipërinë.
Shumë faleminderit për vëmendjen dhe uroj që sot të jetë një ditë konstruktive dhe e frytshme për të gjithë ne.