Ministria e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, hapi sot takimet në kuadër të punimeve të Komisionit Këshillimor për Politikat e Tranzicionit të Gjelbër, ku u diskutua gjerësisht Projektligji për Përmirësimin e Menaxhimit të Mbetjeve.
Ministrja Delina Ibrahimaj, duke drejtuar takimin e sotëm në Shtëpinë e Biznesit, theksoi rëndësinë e angazhimit të sektorit privat dhe shoqatave të biznesit në procesin e konsultimit të këtij projektligji. “Diskutimi që zhvilluam sot me partnerët dhe përfaqësuesit e biznesit është një hap i rëndësishëm për përmirësimin e këtij ligji, i cili ka ndikim të drejtpërdrejtë jo vetëm në menaxhimin e qëndrueshëm të mbetjeve, por edhe në ekonominë e vendit,” u shpreh Ibrahimaj.
Sugjerimet dhe propozimet që u paraqitën gjatë këtij takimi do të merren parasysh për përgatitjen e draftit përfundimtar të ligjit, duke siguruar që reformat të jenë të mirëbalancuara dhe të përfitojnë të gjitha palët e interesuara.
Ministria e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit mbetet e përkushtuar për të siguruar që kalimi drejt një ekonomie të gjelbër të jetë gjithëpërfshirës dhe efektiv, duke u bazuar në dialogun e hapur dhe konstruktiv me sektorin privat.