“Në Shkodër dhe në të gjithë rajonin verior të vendit, kemi ende kapitale të pa shfrytëzura dhe ne kemi shumë punë, për të zhvilluar të gjitha ato potenciale që ka bujqësia dhe ekonomia rurale këtu”.
Kështu u shpreh ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Anila Denaj, në takimin që zhvilloi në Malësinë e Madhe, me fermerët, blegtorët dhe aktorë të tjerë që operojnë në sektorin rural, në rajonin verior të vendit.
Ministrja Denaj, tha se, “ta nisësh nga Shkodra, për gjithëçka që ajo ofron, për të gjithë kapitalin natyror, që ajo ka ende të pa shfrytëzuar, por edhe kapitalin njerëzor, mendoj se është një mesazh për të treguar se sa punë ne kemi ende për të bërë , përtej nevojës për të vlerësuar edhe punën e bërë deri tani”.
Marr shkas, u shpreh Denaj të shprehem kështu, sepse këtu ku jemi, është një shembull frymëzimi i asaj që ndodh përditë me punën e ndershme të atyre që kanë ardhur edhe nga jashtë dhe kanë sjellë kapitalet e tyre, duke investuar në liqenin e Shkodrës, në një nga agroturizmet më të bukur dhe të famshëm të zonës.
“Ky model investimi përcjell mesazhin e zhvillimit që ka ndodhur, por edhe të potencialit që është ende për t’u zhvilluar”, theksoi Denaj.
Ajo u ndal në tre mesazhe kryesore për komunitetin rural verior, teksa vlerësoi punën e palodhur dhe të përditëshme të fermerëve, që është reflektuar në rritjen e eksporteve bujqësore , ndërsa pritshmëritë janë përtej shifrës 1 milion euro eksporte.
“Në këtë qark, 70% e produkteve shkojnë nga ferma tek turizmi tek familjet dhe 83% e këtyre produkteve janë organike . Ky është një lajm shumë i mirë që e bën kulinarinë shqiptare të jetë një atraksion turistik dhe nesër vizitorët e huaj të mos vijnë vetëm për bregdetin, por të vijnë edhe për ushqimin”, tha Denaj.
Së dyti, vijoi ajo, 51 % e qytetarëve këtu, janë pronarë fermash me moshë nën 45 vjeç, shumica e tyre.
“Unë e di çështjen e fuqisë punëtore, sepse nuk i ndodh vetëm sektorit të bujqësisë , është problematikë, por ama duhet të kuptojmë që fermerët duhet të paguhen, jo në të zezë, sepse skema e sigurimeve shoqërore për fermerën janë shumë të ulta, por duhet të paguhet në mënyrë të denjë të menjëhershme, për aq kohë sa është sezoni. Nëse fermerët nuk janë të paguar mirë dhe nuk janë në skemën e sigurimeve shoqërore, bie incentive”, theksoi Denaj.
Ministrja solli në vëmendje fuqinë dhe rolin e rëndësishëm të gruas në ekonominë rurale.
“60% e gjithë fuqisë në çfarë do lloj funksioni , në fushë, përpunim, prodhim është gruaja. Unë dua t’i falenderoj ato, sepse nuk është i lehtë angazhimi i gruas rurale edhe në të gjitha angazhimet e tjera familjare. Dua t’ju inkurajoj në mbështetjen e grave rurale, që ta shohim këtë si një punë të përbashkët për të gjithë bashkë”, u shpreh Denaj.
Ministrja foli edhe për dy nga çështjet kryesore me të cilat përballet rajoni verior, siç është ajo e përmbytjetve gjatë sezonit të reshjeve intensive dhe zhvillimit të mëtejshëm të sektort të bimëve mjekësore.
“Ecuria pozitive e sektorit të bimëve mjekësore, është rezultat i politikave të mbështetjes me subvencione të vazhdueshme që ka adresur qeveria. Ne do të vazhdojmë t’ju mbështesimin dhe synojmë ritjen e sipërfaqeve të mbjella me këto kultura, për të mos lënë asnjë copë tokë pa punuar dhe nxitur punësimin dhe të ardhurat nga ky aktivitet ekonomik i rëndësishëm”, theksoi Denaj.
Për sa i takon çështjes së digës , ministrja informoi se, qeveria në bashkëpunim me institucionet e linjës ka punuar intensivisht për zbutjen e këtij fenomenti diktuar nga ndryshimet e klimaterike.
“MBZHR në këto 5 vitet e fundit ka punuar fort dha ka lidhur kontrata për të zgjidhur këtë çëshje. Jemi në rrugën e duhur dhe po punojmë edhe me donatorët”, tha ajo.
Ministrja i bëri apel fermerëve të bashkëpunojnë për zgjerimin e bashkimit për ekonomi dhe cilësi, përmes kontratave të qëndrueshme që garantojnë rritje të konkurueshmërisë së prodhimit, përdorim të teknologjive të avancuara, më shumë përfitime subvencionesh dhe të ardhurash ekonomike.
Ky takim u zhvillua në kuadër të vizitës së parë që ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Anila Denaj, zhvilloi në Shkodër, pas marrjes së detyrës si ministre, ku u takua me komunitetin e peshkatarëve dhe diskutoi ecurinë e punës së tyre, parashtrimin dhe ndjekjen e problematikave me të cilat ndeshen ata.