Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, mori pjesë në takimin e dytë virtual i Komitetit Drejtues, të Organizatës të Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO), në kuadër të nismës
‘Një Shtet, Një Produkt prioritar’ (OCOP).
Ky takim kishte në fokus ndërtimin e zinxhirëve të qëndrueshëm të vlerave ushqimore të Produkteve Bujqësore Speciale (SAP), ku Shqipëria ishte e ftuar për të dhënë perspektivën e saj në kuadër të kësaj iniciative.
Ky takim kishte si qëllim shqyrtimin e progresit dhe arritjet e nismës OCOP në mbarë botën si edhe ndarjen e njohurive, përvojave dhe sugjerimin për veprime të mëtejshme në mbështetje të kësaj nisme.
Ministrja Denaj ndau me pjesëmarrësit eksperiencën e vendit tonë, pasi Shqipëria ishte përzgjedhur për të dhënë perspektivën e saj se si një vend po zbaton këtë nismë në kuadër të prodhimit, ruajtes dhe përpunimit të gjelbër të gështenjës si një Produkt Bujqësor Special.
“Jam krenare që jam përzgjedhur për t’ju paraqitur një perspektivë se si një vend po zbaton OCOP, me fokus zinxhirin e qëndrueshëm të vlerës së gështenjës duke përfshirë prodhimin e gjelbër (menaxhimi i gështenjës, kontrollin biologjik të dëmtuesve), ruajtjen e gjelbër (trajtimi pas vjeljes) dhe përpunimin e gjelbër (përpunimi i vlerës së shtuar), që integron përgjigjet ndaj ndikimeve negative të ndryshimeve klimatike, rrit qëndrueshmërinë e bujqësisë dhe forcon sistemin agroushqimor”, u shpreh Denaj në fjalën e saj.
Sipas Denaj, gështenja për ne është një produkt i veçantë bujqësor, unike, organike, janë një prodhim i vlefshëm për pronarët e vegjël në zonat malore dhe prodhohen në toka komunale.
Projekti OCOP, sipas Ministres, po funksionon në të gjithë zinxhirin e vlerës, pasi promovon prodhimin e gjelbër, ruajtjen e gjelbër dhe përpunimin e gjelbër.
Projekti filloi më pak se një vit më parë në Tropojë, në partneritet dhe ekspertizën e FAO.
Takimi u kryesua nga Drejtori i Përgjithshëm i FAO-s me pjesëmarrjen e anëtarëve të Komitetit Drejtues, si edhe drejtues të tjerë të lartë të njësive dhe pikave qëndrore rajonale, ekspertë ndërkombëtar në sektorin privat dhe publik, dhe vëzhgues të jashtëm.