Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj mori pjesë sot në konferencën ndërkombëtare të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) “Zhvillimi i Sektorit të Sigurimeve – Mundësitë dhe Sfidat në Evropën Juglindore”.
Denaj tha se, sigurimi në bujqësi mbetet një çështje e rëndësishme, në kushtet ndryshimeve klimatike, që e vënë drejtpërdrejt në rrezik prodhimin bujqësor dhe aktorët e zinxhirit të vlerës së bujqësisë.
“Kërcënimi nga ndryshimi klimatik siç është thatësira, reshjet breshri etj, është një kërcënim që po ndodh në të gjithë globin dhe Shqipëria nuk bën përjashtime dhe pavarësht sesa i zhvilluar apo pak i zhvilluar, apo i pazhvilluar të jetë një sektor në një vend. Ky kërcënin është një kërcënim real, që sigurisht skemat e sigurimit, janë ndihmë apsolute për tu zhvilluar në mënyrë më të mirë dhe me një rrisk më të ulët”, u shpreh Denaj.
Denaj u shpreh për një gërshetim të skemave të sigurimit me masat që merr qeveria për nxitjen e sigurimit në bujqësi.
“Në këtë aspekt gërshetimi jo vetëm i skemave të sigurimit, por edhe i disa masave që merren paraprakisht nga qeveria, me ligjet përkatëse, por edhe me skemat e mbështetjes ekonomike financiare, i paraprijmë disa nga investimeve që janë të domosdoshme, që ky risk të mitigohet dhe kompanitë e sigurimit të kenë interes për t’u futur në këtë treg. Sepse është një treg i hapur, ku interesi duhet të ekzistojë nga kompanitë, por dhe risku të jetë i moderuar”, tha ministrja.
Në adresim të kësaj çështjeje, Denaj shprehu falënderim të veçantë për të gjithë skemat mbështetëse të programit IPARDII, që siç tha ajo, “janë skemat që e kanë shoqëruar përgjatë viteve të shkuara zhvillimin e ekonomisë bujqësore, në atë që është jo vetëm shkallë, por edhe në investimet e duhura duke filluar nga serrat dhe jo vetëm”.
Nga ana tjetër, vijoi ajo, “mendoj se projeksionet për të ardhmen, për IPARDIII për të gjithë vendet e rajonit, janë një burim shumë i mirë investimi, për të mitiguar këto risqe dhe për ta bërë sektorin e sigurimit atraktiv dhe në sektorin e bujqësisë”.
Gjithashtu theksoi Denaj, skemat kombëtare që për të disatin vit rresht shkojnë për fermerin e vogël janë një mbështetje, teksa vuri në dukje se bashkimi i fermerëve do të rrisë aksesin në financim dhe ekonominë e shkallës.
Mnistrja ftoi kompanitë e sigurimit të ndërmarrin më shumë risk mbi supe dhe të shikojnë sesi mund ta ndajnë këtë me fermerët.
“Kemi fermerë nga ata që nuk janë vetëm me 1 ha, por kemi fermerë që kanë shembuj shumë të mirë, falë IPARD-it dhe në sipërfaqe toke, pra ky është qëllimi i konferencës dhe diskutimi në panel për ta sjellë këtë diskutim në këtë lloj niveli, për shkëmbim pikëpamjesh dhe shpresoj që së bashku, qeveria, industria dhe palët e përfshira në industri, pra kjo është rrugëzgjidhje sesi të shkojmë më tej”, u shpreh Denaj, teksa vuri theksin në rritjen e edukimit financiar për sektorin rural si një faktor i rëndësishëm që do të rrisë aksesin në financim.
Prej 2016 kemi një skemë të garancë sovrane që e zhvillojmë së bashku me BERZH dhe besoj se këtu bankat mund të bëjnë diçka më të madhe për të ndihmuar në edukimin financiar””, tha ajo.
Denaj nënvizoi se, sistemi i sigurimeve lejon që bujqësia të bëhet me e efektshme.
“Së bashku me Bankën Botërore po ndërtojmë një projekt të përbashkët i cili mishëron pikërisht këtë qasje inkluzive dhe kombinon disa instrumente financiare njëherësh për të rritur efikasitetin e tyre”, u shpreh ministrja.
“Zhvillimi i sigurimeve në bujqësi mbetet një prioritet për ne, por ai duhet të jetë pjesë e një plani më të gjerë të afrimit të sektorit financiar me bujqësinë që duhet të kalojë nga rritja e besimit të ndërsjellë të aktorëve, përmes dijes, rritjes së ekspozimit të bujqësisë me produktet financiare dhe sigurimeve”, deklaroi ministrja Denaj.
mbyll
media
Kontakt
Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.
e-mail: info@mia.gov.al