Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj zhvilloi sot në Tiranë, një takim pune me zëvendësdrejtorin e Institutit për Studime të Avancuara Agronomike Mesdhetare CIHEAM-Bari, Biaggio Di Terlizzi.
Ministrja Denaj bëri të ditur se gjatë takimit u diskutua mbi ecurinë e 9 projekteve të përbashkëta, në drejtime të ndryshme të zhvillimit rural në Shqipëri.
“Diskutuam për mundësitë e reja dhe angazhimin e të gjithë përfituesve të tyre në fushat e bujqësisë dhe zhvillimit rural e peshkimit” tha Denaj.
“CIHEAM po mbështetet me asistencë teknike institucionet në sektorin e bujqësisë dhe peshkimit drejt përafrimit me standardet europiane”, bëri të ditur Denaj.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka dizenjuar dhe vendosur piketa të bashkëpunimit të përbashkët me CIHEAM, për sektorë të rëndësishëm të bujqësisë, agropëpunimit dhe peshkimit, duke iu përgjigjur kështu nevojës për zhvillim siëpas standardeve më të mira.
Shqipëria është anëtare prej 30 vjetësh e kësaj organizate europiane.
CIHEAM është një organizatë me qendër në Paris e përbërë nga 13 shtete anëtare (Shqipëria, Algjeria, Egjipti, Franca, Greqia, Italia, Libani, Malta, Maroku, Portugalia, Spanja, Tunizia dhe Turqia) e krijuar në vitin 1962.
Falë aktiviteteve të tij CIHEAM kontribuon në ndërtimin e një vizioni global struktural dhe angazhues për zhvillimin e Mesdheut. Dhënia e zgjidhjeve konkrete, shkëmbimi i experiencës dhe promovimi i dijeve të vlefshme janë objektivat kryesore të secilit nga aktivitetet e tij. CIHEAM ka rreth 170 specialistë të përhershëm dhe qindra konsulente qe punojnë në 5 qendra të kësaj organizate: 4 Instituti Mesdhetare Agronomike bazuar ne Bari ( Itali), Chania (Greqi), Montpellier (France) dhe Zaragoza (Spanje) dhe Sekretariati i Përgjithshëm i bazuar në Itali të cilët janë njëkohësisht aktive në vendet mesdhetare për të zhvilluar aktivitete dhe projekte.
Aktualisht CIHEAM drejton 90 projekte ndërshtetërore, me më shumë se 110 milionë euro të investuara në 50 shtete të angazhuara ku përfshihen mbi 600 institute dhe organizata.
CIHEAM është një organizatë që për 60 vjet kontribuon për të promovuar bashkëpunimin shumëpalësh në fushat e bujqësisë, të ushqimit, peshkimit dhe menaxhimit të territoreve rurale, duke pasur si qëllim t’i përgjigjet nevojave të shteteve dhe aktorëve të agroushqimit.