Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro: Mbi 600 mijë euro për financimin e doktoraturave 2026
Ministria e Arsimit dhe Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit kanë hapur thirrjen për financimin e studimeve të doktoraturës për vitin 2026, me një buxhet prej mbi 600 mijë eurosh, krahasuar me rreth 100 mijë euro vitin e kaluar.
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, gjatë prezantimit të programit, bëri të ditur se mbështetja financiare arrin deri në 10 mijë euro për doktoraturat kërkimore standarde dhe deri në 30 mijë euro për doktoraturat industriale.
Programi zbatohet sipas parimit “Një thirrje, dy kategori, një standard kombëtar”, duke synuar thjeshtimin e procedurave dhe garantimin e një kuadri të përbashkët financimi dhe transparence. Prioritet u jepet inovacionit dhe fushave STEM, me synim forcimin e kërkimit shkencor dhe lidhjen e tij me ekonominë dhe zhvillimin e vendit.
Ministrja Kumbaro njoftoi gjithashtu hapjen e aplikimeve për kreditë studentore, nga të cilat mund të përfitojnë deri në 500 studentë, me një normë interesi prej vetëm 0.5% për përfituesit.
Në fokus të reformave mbetet edhe rishikimi i Ligjit për Arsimin e Lartë, drafti i parë i të cilit pritet në fund të tetorit, me synim përafrimin e programeve universitare me nevojat e tregut të punës.
Gjatë aktivitetit u theksua edhe përfshirja e Universitetit të Tiranës në renditjen ndërkombëtare Times Higher Education World University Rankings 2027, ndërsa gjashtë universitete të tjera shqiptare mbajnë statusin “Reporter”.