Në një vizitë në institutin CIHEAM Bari (Qendra Ndërkombëtare për Studime të Avancuara Mesdhetare Agronomike) në Itali, ministrja Krifca mori konfirmimin për financimin e projektit të ri të Sigurisë Ushqimore, me vlerë 3.2 milione euro, që do të mbështesë Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në përpunimin e produkteve tipike vendase me standarde të përmirësuara të cilësisë dhe sigurisë ushqimore. Qëllimi i projektit është zhvillimi i mëtejshëm i zinxhirit të vlerës për prodhuesit vendor dhe sigurinë ushqimore të prodhuesve lokalë.
Ministrja Krifca ka ndjekur nga afër dhe ekipet që po trajnohen për funksionimin e strukturës së re me standarde europiane në pikën e inspektimit kufitar në Durrës, një investim me pajisje të reja efektive për laboratorin fitosanitar të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në Durrës.
Me ndihmën e CIHEAM në fund të këtij viti, Shqipëria bëhet vendi i parë jo pjesë e BE-së që do të përafroj legjislacionin e bujqësise organike të BE.
Shqipëria është anëtare e CIHEAM prej 30 vitesh ku krahas projekteve mbështetëse shërben dhe si institut edukimi shkencor për të rinjtë shqiptarë ku vetëm në 15 vitet e fundit janë dhjetëra student të diplomuar dhe qindra të trajnuar në fushat e agronomisë, ekonomisë agrare, sigurisë ushqimore, analizave laboratorike, certifikimit organik dhe ekonomisë blu.