Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit ishte pjesë e pritjes zyrtare të organizuar nga Kryeministri Edi Rama, me Presidentin e Izraelit, Isaac Herzog, mbi mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik mes Shqipërisë dhe Izraelit.
Në këtë takim, u shqyrtuan sektorët kyç ku mund të thellojmë partneritetin ekonomik, duke përfshirë teknologjinë, bujqësinë dhe inovacionin, etj.. Shqipëria ofron një klimë tërheqëse për investime, ndërsa përvoja dhe inovacioni izraelit në këto fusha krijojnë një potencial të madh për të forcuar marrëdhëniet tona ekonomike.
“Ky bashkëpunim i zgjeruar do të hapë mundësi të reja për të dyja vendet, duke kontribuar në zhvillimin e sipërmarrjes dhe inovacionit,” theksoi Ministrja Ibrahimaj.
Qeveria shqiptare mbetet e përkushtuar për të krijuar një mjedis të favorshëm për investitorët ndërkombëtarë dhe për të nxitur zhvillimin e kapaciteteve vendore.