Ministrja Ibrahimaj: Ekonomia u rrit me 3.61% në tremujorin e dytë, investimet e huaja me 50%
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, bëri të ditur në një konferencë për mediat se ekonomia shqiptare u rrit me 3.61% në tremujorin e dytë të vitit 2026, ndërsa fluksi i investimeve të huaja direkte arriti në 1.14 miliardë euro gjatë gjashtëmujorit të parë.
Duke prezantuar treguesit më të fundit mbi ecurinë e ekonomisë, ministrja Ibrahimaj theksoi se të dhënat reflektojnë vijimin e rritjes ekonomike, ruajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe rritjen e interesit të investitorëve të huaj për Shqipërinë.
Sipas të dhënave të prezantuara, fluksi i investimeve të huaja direkte u rrit me 50.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa stoku i tyre arriti në 18.42 miliardë euro, me një rritje prej 15.3%.
Ministrja theksoi gjithashtu uljen e raportit të borxhit publik ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto, i cili në tremujorin e dytë të vitit 2026 zbriti në 49%, nga 54% në të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Në ecurinë e PBB-së, rritjen më të lartë e shënuan aktivitetet e administratës publike, arsimit dhe shëndetësisë, me 12.14%, duke dhënë një kontribut prej 1.38 pikë përqindje në rritjen ekonomike. Ndërkohë, sektori i tregtisë, transportit, akomodimit dhe shërbimit ushqimor u rrit me 5.53%, duke kontribuar me 0.98 pikë përqindje, ndërsa aktivitetet e pasurive të paluajtshme shënuan rritje prej 7.20%, me një kontribut prej 0.36 pikë përqindje.
Nga komponentët e PBB-së sipas metodës së shpenzimeve, konsumi i familjeve u rrit me 4.55%, konsumi i qeverisë me 4.15%, ndërsa investimet me 1.76%. Eksportet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 9.78%, ndërsa importet me 7.55%.
Të dhënat e tregut të punës për tremujorin e dytë tregojnë se shkalla e papunësisë ishte 8.3%, me një ulje prej 0.2 pikë përqindje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Shkalla e punësimit arriti në 69.2%, ndërsa pjesëmarrja në forcat e punës në 76.3%.
Paga mesatare mujore bruto arriti në 92,150 lekë, ose 9.8% më shumë krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2025. Remitancat në gjashtëmujorin e parë arritën në 621 milionë euro, me një rritje prej 16.9%, ndërsa të ardhurat e disponueshme u rritën me 4%, në 71,485 lekë.
Aktiviteti i biznesit shënoi gjithashtu rritje gjatë tetë muajve të parë të vitit. Në periudhën janar-gusht 2026 u regjistruan 11,826 biznese të reja neto, 3.3% më shumë se një vit më parë, ndërsa numri i bizneseve aktive arriti në 149,330, me një rritje prej 5.4%. Qarkullimi i bizneseve u rrit me 285.5 miliardë lekë, ose 10.9%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Në tregtinë e jashtme, gjatë tetë muajve të parë të vitit eksportet e mallrave arritën në 247.6 miliardë lekë, me rritje 6.3%, ndërsa importet në 611.5 miliardë lekë, ose 5.1% më shumë se një vit më parë. Deficiti tregtar rezultoi 363.8 miliardë lekë, me një ulje prej 4.3% krahasuar me tetëmujorin e vitit 2025.
Sipas ministres Ibrahimaj, ecuria e këtyre treguesve reflekton zgjerimin e aktivitetit ekonomik, përmirësimin e treguesve fiskalë dhe rritjen e investimeve, duke mbështetur vijimin e rritjes ekonomike në periudhën afatgjatë.