Konferencë mbi zhvillimet më të fundit ekonomike në vend
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, zhvilloi konferencën e përmuajshme për shtyp, ku bëri një prezantim dhe analizë të treguesve kryesorë të zhvillimit të ekonomisë për periudhën 8 mujore.
Duke iu referuar publikimit më të fundit të INSTAT, Ministrja Ibrahimaj përmendi faktin se rritja ekonomike në tremujorin e dytë të vitit ishte 2.23 %, në një kohë që në tremujorin e parë ishte 6.65 %.
Megjithatë, Ministrja theksoi se për periudhën 6 mujore ekonomia e vendit është rritur me 4.17 % dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë vijon t’i qëndrojë parashikimeve për një rritje ekonomike prej 3.2 % në vitin 2022.
Sa i tremujorit të tretë të vitit, Ibrahimaj shprehu besimin për një ecuri pozitive të ekonomisë, referuar të dhënave të deritanishme të aktivitetit ekonomik, e sidomos të ndikimit që pritet të ketë sektori i turizmit.
“Vetëm për periudhën qershor-gusht ne kemi pasur një rritje të qarkullimit të turizmit me 30% ndërkohë që në para kjo përkthet në 13.4 miliardë Lekë, në krahasim me një vit më parë, të qarkulluara në këtë sektor. Pritshmëria e ecurisë pozitive në tremujorin e tretë lidhet gjithashtu me numrin e bizneseve të regjistruara në muajin gusht sipas QKB, që është 126,111 biznese. Ky stok është më i lartë në krahasim me të njëjtin muaj një vit më parë gusht 2021, rreth 4.9% ose 5940 biznese më shumë. Ndërkohë në nivel biznesesh të reja të regjistruara gjatë këtij viti ne kemi një rritje me 10.2% dhe gjithashtu kemi nje rënie të bizneseve të pezulluara- çregjistruara me 7.6%”, tha Ibrahimaj.
Të ardhurat në buxhetin e shtetit për periudhën janar-gusht kanë arritur nivelin 376 miliard Lekë ose 15.9% më shumë se një vit më parë. Ministrja theksoi faktin se ecuria pozitive e të ardhurave është e lidhur ngushtësisht me çmimet por dhe me aktivitetin ekonomik në vend. Ndërkohë, sa i takon shpenzimeve të përgjithshme për periudhën 8 mujore, ato janë 1.4% më shumë sa vitin e kaluar, një realizim i planit në masën 96.6%.
Në përfundim të fjalës së saj, Ministrja Ibrahimaj u shpreh se: “Ne mendojmë që tremujori i tretë i vitit do të ketë një ecuri të përshpejtuar të rritjes ekonomike në krahasim me tremujorin e dytë. Pritshmëritë e MFE janë për një rritje pozitive të ekonomisë për vitin 2022 dhe një rritje pozitive të ekonomisë në vitin 2022”.
Fjala e Ministres Ibrahimaj:
Përshëndetje të gjithëve dhe mirë se keni ardhur në takimin e përmuajshëm për analizën e aktivitetit ekonomik në vend që organizon Ministria e Financave dhe Ekonomisë.
Siç jeni bërë të gjithë me dije, ditën e premte INSTAT publikoi Prodhimin e Brendshëm Bruto dhe rezutatet e rritjes ekonomike për tremujorin e dytë të vitit. Rritja ekonomike në tremujorin e dytë rezultoi me një rritje 2.23% në krahasim me tremujorin e dytë të një viti më parë.
Rritja ishte e ngadalësuar në krahasim me tremujorin e parë ku rritja rezultoi 6.5%.
Në nivel 6-mujor, ekonomia shqiptare është rritur me 4.17 %. Ministria e Financave dhe Ekonomisë i qëndron parashikimeve të fillim vitit për një rritje ekonomike prej 3.2 % përgjatë vitit 2022 dhe madje ne presim që rritja të mund të jetë mbi 3.2 %.
Vendet e tjera të rajonit si Kosova, Maqedonia e Veriut e Serbia rezultuan me një rritje më të ulët në nivel 6-mujor. Mali i Zi është i vetmi vend i rajonit që ka pasur një rritje më të lartë, prej 9.64 %.
Ne kemi bërë një analizë për të kuptuar se si çdo ekonomi i ka përthithur efektet e krizave që kemi përjetuar gjatë këtyre viteve. Në krahasim me vitin 2019, shohim që aktiviteti ekonomik në vend është rritur për gjashtë mujorin e parë deri në 7.75 %, ndërkohë që vendet e tjera si Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi ende nuk kanë absorbuar efektet e krizës së pandemisë, por dhe fillimet e efekteve të krizës që po jetojme aktualisht. Serbia është i vetmi vend, krahas Shqipërisë, që ka pasur një rritje ndjeshëm më të lartë se sa viti 2019.
Nëse do te bëjmë një analizë përsa i përket ofertes agregate, pra shpërndarjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto sipas sektorëve, ne shohim se në tremujorin e dytë të vitit, kontributin kryesor në rritjen ekonomike e ka pasur dega e tregtisë, transportit, akomodimit dhe shërbimit ushqimor, që në rritjen prej 2.23% ka kontribuar me 1.68%, ndërkohë në krahasim me vitin e kaluar kjo degë është rritur me 11.42%.
Gjithashtu, me kontribut pozitiv të ndjeshëm në rritje ka qenë aktiviteti i pasurive të paluajtshme me 0.65% duke u rritur me 11.38% në krahasim me vitin e kaluar, dhe dega e bujqësisë që ka pasur një kontribut në rritje prej 0.31%.
Kontribut negativ ka pasur sektori i ndërtimit, duke dhënë nje kontribut me – 0.49% negativ dhe gjithashtu industria nxjerrëse dhe përpunuese lidhur me sektorin energjetik dhe atë hidrokarbur që ka dhënë një kontribut negativ me – 0.46%.
Sa i takon metodës së shpenzimeve, situata reflekton situatën aktuale qe kemi jetuar por edhe politikat që MFE dhe qeveria kanë ndërmarrë gjatë tremujorit të dytë.
Konsimi final i popullatës, i cili përbën rreth 70% të PBB në vend, u rrit me 8.95% në tremujorin e dytë të vitit 2022 në krahasim me të njëjtin tremujor një vit më parë. Sigurisht që konsumi final i popullatës është reflektim dhe i politikave që qeveria ka ndjekur gjatë tremujorit të dytë.
Unë dua t’ju kujtoj që ne vendosëm që të subvencionojmë të gjitha kategoritë e individëve të cilët nuk mund të përballonin normat e rritje së çmimeve, pra të inflacionit, ne vendosëm t’i subvencionojmë me diferencën e rritjes së çmimeve me qëllim që konsumi të mbahej në nivele të larta dhe në fakt kështu rezultoi.
Sa i përket konsumit të administratës publike, ai rezultoi në rënie duke reflektuar edhe politikat e qeverisë, e cila vendosi të shkurtojë ato shpenzime të cilat janë jo prioritare dhe që mund të shtyheshin për vitin e ardhshëm.
Në të njëjtën linjë, prodhimi bruto i kapitalit fiks ose përafruesi më i mirë i investimeve rezultoi në rënie në krahasim me të njëjtin tremujor të një viti më parë në nivelin 6.69%, duke reflektuar ngadalësimin e sektorit të ndërtimit, që në fakt edhe sipas analizës së ofertës rezultoi në ngadalësim.
Ndërkohë, eksportet e mallrave dhe të shërbimeve u rritën me 9% dhe importet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 17.6%.
Një tregues i rëndësishëm në performancën e ekonomisë është gjithashtu norma dhe fluksi i hyrjes së investimeve të huaja direkte, të cilat në gjashtë mujorin e parë arritën vlerën 634 milionë Euro ose u rritën me 8% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Përsa i përket investimeve është e rëndësishme të shohim normat e kredititmit në ekonomi të cilat na japin një informacion mbi nivelin e investimeve por dhe të zhvillimit ekonomik për periudhat në vijim.
Nëse do të shohim gjatë gjithë vitit 2022 ne kemi patur rritje të kreditimit në nivelin dy shifror që në muajin Gusht arriti nivelin 12.6%. Nga ana tjetër, edhe depozitat në vend kanë vijuar të jenë në rritje me 7.5% .
Statistikat e tregut të punës tregojnë për një stabilitet dhe ecuri pozitive të ekonomisë. Norma e papunësisë në tremujorin e dytë të vitit shënoi 11.1 % duke u ulur si në krahasim me një vit më parë, ashtu dhe në krahasim me një tremujor më parë dhe duke u ulur nën nivelin e vitit 2019, pra në nivelin e parakrizës.
Statistikat e shkallës së papunësisë janë sigurisht të shoqëruara me statistikat e rritjes së punësimit në vend por dhe të rritjes së pagës mesatare në vend. Për tremujorin e dytë, paga mesatare arriti në nivelin 60.666 Lek duke u rritur me 7% në krahasim me një vit më parë. Ne presim që paga mesatare të vijojë të jetë në rritje në pjesën e mbetur të vitit, si të ndikuar nga rritja për herë të dytë e pagës minimale, e cila nga data 1 Shtator është në nivelin 34.000 Lek, por gjithashtu edhe nga politikat e qeverisë për rritjen e pagave për një pjesë të konsiderueshme të administratës publike, e cila pritet të ketë një efekt edhe në sektorin privat.
Përsa i takon treguesve të tjerë të financimit të konsumit si remitancat, ato gjatë këtij viti kanë qënë në rritje dhe për gjashtëmujorin e parë të vitit 2022 arritën nivelin 376 milionë Euro.
Të tre këta komponentë, pagat, remitancat por dhe kreditimi për individët, kanë rezultuar në rritje gjatë këtij viti, që do të thotë në shpenzimet konsumatore elementët e financimit janë pozitivë dhe na tregon që konsumi do të vijojë të jetë pozitiv dhe gjatë tremujorit të tretë të vitit.
Kryefjala e krizës sigurisht ka qënë inflacioni dhe normat e larta të çmimeve, jo vetëm të çmimeve të konsumit por në fakt edhe të çmimeve të energjisë elektrike. Inflacioni në muajin Gusht rezultoi në nivelin 8%, por nëse do të bëjmë një analizë të mesatares së tetëmujorit të parë inflacioni mesatarisht këtë vit është rritur me 6.1% dhe i krahasuar ky me vendet e tjera të rajonit ka rezultuar ndjeshëm më i ulët. Respektivisht Kosova ka pasur një inflacon mesatar 11.2%, Maqedonia e Veriut 11.6%, Serbia 10.5%, Mali i Zi 11.1% dhe ndërkohë mesatarja e BE ka qenë më e lartë se inflacioni mesatar në vend prej 7.6%.
Ndikimin kryesor në rritjen e inflacionit e kanë pasur çmimet e ushqimeve dhe çmimet e transportit. Në fakt niveli mesatar më i ulët i inflacionit krahasuar me rajonin, por dhe vazhdimësia në çdo muaj dhe inflacioni në muajin Gusht, vjen si rezultat i aktivitetit në vend dhe i specifikave të vendit.
Ne e kemi thënë edhe më parë që inflacioni është i përbërë, kryesisht nga inflacioni i importuar deri në nivelin e 60% të tij. Për atë që ne mund të ndikojmë në rritjen e çmimeve, që është pjesa 40%, inflacioni vendas, ne kemi ndërmarrë politikën e mosrritjes së çmimit të energjisë elektrike, e cila në mënyrë indirekte ka ndikuar në kostot e prodhimit vendas dhe në nivelet e Europës, në mos rritjen e kostove të produkteve shqiptare.
Nga ana tjetër, kjo politikë ka ndikuar në mënyrë direkte në buxhetin e familjeve shqiptare duke qenë se asnjë familje dhe asnjë biznes i vogël shqiptar nuk ka pasur rritje të shpenzimeve të tyre për shkak të rritjeve të çmimeve të energjisë elektirke, rritje të cilat janë materializuar në të gjitha vendet e Europës dhe vazhdojnë të materializohen sa më shumë i afrohemi periudhës së dimrit.
Ka disa tregues të tjerë që i përkasin pjesës së mbetur të vitit tek të cilat do doja të ndalesha me qëllim që të kuptojmë ku jemi dhe ku do të shkojmë gjatë vitit 2022, por dhe ndikimit që do të ketë gjatë vitit 2023.
Qarkullimi i sektorëve është një ndër këta tregues i cili, nëse për tremujorin e dytë të vitit është rritur me 16%, përsa i përket periudhës 8 mujore janar– gusht është rritur me 24%. Rritja ka qënë e reflektuar në të gjithë sektorët kryesorë të ekonomisë. Kemi pasur një rritje në sektorin e ndërtimit. Nëse i referohemi tremujorit të dytë qarkullimi në sektorin e ndërtimit rezultoi me rënie, nëse i referohemi tetë-mujorit kanë pasur një rritje me 15%, ndërsa sektori i prodhimit është rritur me 25% në nivel qarkullimi, sektori i shërbimeve 13%, sektori i transportit 35%, sektori i tregtisë 29%.
Përsa i përket tremujorit të tretë, është e rëndësishme të ndalemi në statistikat e turizmit dhe në efektet që turizmi ka pasur në ekonominë tonë. Vetëm për periudhën qershor-gusht ne kemi pasur një rritje të qarkullimit të turizmit me 30% ndërkohë që në para kjo përkthet në 13.4 miliardë Lekë në krahasim me një vit më parë të qarkulluara në këtë sektor.
Pritshmëria e ecurisë pozitive në tremujorin e tretë lidhet gjithashtu me numrin e bizneseve që kemi të regjistruara në muajin gusht sipas QKB, që është 126,111 biznese. Ky stok është më i lartë në krahasim me të njëjtin muaj një vit më parë gusht 2021, rreth 4.9% ose 5940 biznese më shumë. Ndërkohë në nivel biznesesh të reja të regjistruara gjatë ketij viti ne kemi një rritje me 10.2% dhe gjithashtu kemi nje rënie të bizneseve të pezulluara- çregjistruara me 7.6%.
Nëse do të shohim treguesit e tregtisë së jashtme kemi pasur një rritje të importeve dhe eksporteve në vlerë. Importet janë rritur me 25%. Nëse do të shohim vëllimet kemi pasur një rënie me 8%.
Ne kemi qenë shumë të kujdesshëm që të kuptojmë dhe të analizojmë se cilat kanë qenë kategoritë që kanë ndikuar në uljen e vëllimeve të importeve. Nëse shohim kategoritë ushqime pije dhe duhan, e cila është absorvues i konsumit, ne shohim që niveli ështe 0.5% nën nivelin e vitit 2021, pra është shumë i ngjashëm me vitin 2021. Kontributin kryesor negativ në rënien e vëllimit të importeve e kanë pasur produktet e hidrokarbureve dhe produktet e lidhura me produktet kimike dhe plastike, të cilat kanë patur një rritje potenciale në tregjet ndërkombëtare.
Importet e atyre kategorive që shërbejnë si imput për prodhimin vendas kanë rezultuar në rritje si në vëllim, ashtu dhe në vlerë.
Ecurinë pozitive në prodhimin vendas e tregojnë shifrat e exporteve të cilat në vlerë kanë pasur një rritje me 41% ndërkohë që në vëllim kanë patur një rënie me 6%
Rënia e vëllimit lidhet me materialet dhe lëndët djegëse dhe energjinë elektrike të cilat kanë patur ulje të kërkesës për shkak të çmimeve shumë të larta.
Përsa i përket energjisë elektrike e kemi diskutuar edhe më parë që ky ka qenë një vit i thatë dhe prodhimi i energjisë elektrike në vend ka qënë i limituar. Kjo është arsyeja pse na është dashur të importojmë dhe prodhimi ka ardhur në rënie.
Përsa i përket atyre sektorëve që janë të lidhur me aktivitetin prodhues në vend, si ushqimet dhe pijet, lëkurat apo prodhimet e drurit, tekstilet, kryesisht ato degë që lidhen me aktivitetin e manifakturës, të gjitha kanë rezultuar në rritje, si në vlerë ashtu edhe në vëllim.
Të gjitha këto që sapo thashë janë reflektuar në ecurinë e të ardhurave në vend që për periudhën janar-gusht kanë arritur nivelin 376 miliard Lekë ose 15.9% më shumë se një vit më parë.
Sigurisht ecuria pozitive e të ardhurave është e lidhur ngushtësisht me çmimet por dhe me aktivitetin ekonomik në vend, falë faktit se norma e rritjes së të ardhurave dhe më specifikisht norma e rritjes së TVSH është ndjeshëm më e lartë se normat e rritjes së çmimeve. Më konkretisht, TVSH është rritur me 18.6% në krahasim me një vit më parë, që reflekton çmimet e rritura dhe aktivitetin ekonomik të vendit, si dhe rritjen e kapaciteteve të miradministrimit të administratave tatimore dhe doganore.
Në krahasim me një vit më parë, të ardhurat janë 15.9%. me shumë dhe gjithashtu muaji shtator ka treguar një ecuri pozitive në të njëjtën linjë të të ardhurave sipas të gjithë komponenteve përbërës të tyre.
Në përfundim, sa i takon shpenzimeve të përgjithshme ne kemi pasur në nivel tetëmujor një ecuri të shpenzimeve 1.4% më të lartë se sa ajo e vitit të kaluar, e cila është materializuar në një realizim të planit në masën 96.6%.
Në bazë të gjithë informacioneve që kemi të disponueshme, ne mendojmë që tremujori i tretë i vitit do të ketë një ecuri të përshpejtuar të rritjes ekonomike në krahasim me tremujorin e dytë, ndërkohë që mbetet për tu parë pjesa e mbetur e vitit, e megjithatë pritshmëritë e MFE janë për një rritje pozitive të ekonomisë për vitin 2022 dhe një rritje pozitive të ekonomisë në vitin 2023
Ju faleminderit për vëmendjen.