Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, mori pjesë në mbledhjen e 8-të të Komitetit Kombëtar të Sistemeve të Pagesave, ku të pranishëm ishin dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko dhe Zëvendësguvernatorja Luljeta Minxhozi.
Në fjalën e saj, Ministrja Ibrahimaj vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm mes MFE, Bankës së Shqipërisë dhe Shoqatës Shqiptare të Bankave, në funksion të rritjes së përfshirjes financiare dhe edukimit financiar, dixhitalizimin e pagesave dhe reduktimin e përdorimit të parasë cash në ekonomi.
Ministrja u shpreh se formalizimi i ekonomisë shqiptare mbetet një objektiv madhor dhe i nevojshëm për ekonominë tonë, për arritjen e të cilit kërkohet një ndërveprim i ngushtë midis një sërë aktorëve.
Në këtë drejtim, qeveria ka ndërmarrë disa nisma, një prej të cilave është krijimi i Regjistrit Kombëtar të Llogarive Bankare, i cili mund të mbështesë dhe përdoret si një mjet për matjen e përfshirjes financiare të qytetarëve, ashtu si dhe mund të shërbejë si një hap i parë për krijimin e një regjistri të borxhit.
Dixhitalizimi i vazhdueshëm i shërbimeve publike është gjithashtu një mjet për familjarizimin e qytetarëve me pagesat elektronike dhe nxitjen e përfshirjes financiare të popullatës.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe BSH po bashkëpunojë ngushtë me Shoqatën e Bankave, në mënyrë që të gjitha shërbimet e ofruara nga E-Albania lidhur me pagesat të kryhen si pagesa elektronike, nëpërmjet sistemit bankar. Këto tre institucione dhe AKSHI nënshkruan në muajin tetor një Marrëveshje Bashkëpunimi për të lehtësuar procesin e digjitalizimit të pagesave të shërbimeve publike.
Ministrja Ibrahimaj tha se është e rëndësishme që të intensifikohen përpjekjet për arritjen e objektivave të synuara të marrëveshjes së bashkëpunimit brenda afateve të përcaktuara.
Qeveria shqiptare po bashkëpunon ngushtë me Bankën e Shqipërisë dhe sistemin bankar për një sërë projektesh të cilat reduktojnë përdorimin e cash-it në ekonomi. Një prej tyre është ai i emetimin e kartës sociale nëpërmjet Postës Shqiptare, i cili synon që të gjithë pagesat me karakter social për individët të paguhen nëpërmjet kësaj karte.
Fjala e Ministres Ibrahimaj:
I nderuar z. Guvernator,
e nderuar znj. Zëvendësguvernatore ,
të nderuar anëtarë të Komitetit të Pagesave,
Për mua është kënaqësi që jam sot këtu pas dy vitesh në prezencë fizike për të diskutuar mbi çështjet e pagesave, mbi ecurinë e tyre deri tani por edhe mbi të gjitha planet që ne kemi nisur tashmë, në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë dhe Shoqatën e Bankave, me qëllim përfshirjen sa më të madhe financiare, edukimin financiar, dixhitalizimin e pagesave dhe përdorimin sa më pak të cash-it në ekonomi.
Në vitin 2019, në ishim këtu në këtë sallë, me po të njëjtët përfaqësues të Komitetit të Pagesave, dhe diskutuam dy projektligje shumë të rëndësishme, të cilët parë në një këndvështrim nuk duhet të kenë shumë lidhje me njëri-tjetrin, ai i Fiskalizmit dhe ai “Për shërbimet e pagesave”, por në fakt ndërthuren më së miri me objektivat e këtij Komiteti dhe objektivat tanë të përbashkët.
Këto dy projektligje në parim rregullojnë dy fusha të ndryshme, por ndërthuren ngushtësisht për të digjitalizuar në tërësinë e tyre, nga njëra anë procesimin e automatizuar të faturave të fiskalizuara dhe elektronike, dhe nga ana tjetër mbështetjen për arritjen e objektivave të Bankës së Shqipërisë në lidhje me nxitjen e përdorimit të pagesave elektronike dhe përfshirjen financiare, masa këto që rrjedhimisht kontribuojnë të dyja në formalizimin e ekonomisë.
Për ne, formalizimi i ekonomisë shqiptare është dhe mbetet një objektiv madhor dhe i nevojshëm për ekonominë tonë. Megjithatë, për shkak se ka ndikime multifaktoriale, kërkohet edhe një ndërveprim i ngushtë midis një sërë aktorësh që masat e ndërmarra të jenë sa më efektive.
Për ta materializuar më së shumti ndërlidhjen midis masave dhe veprimeve të secilit aktor, dua të përmend disa nga nismat e qeverisë shqiptare të cilat, në këndvështrimin tim, mbështesin punën që Banka e Shqipërisë është duke bërë.
Së pari, krijimin e Regjistrit Kombëtar të Llogarive Bankare. Pavarësisht se ky regjistër është krijuar për qëllime të tjera, ne kemi nevojë që ky Regjistër të përdoret në një bazë sa më të gjerë. Ai është krijuar për të mbështetur administratën tatimore, por duket se mund të mbështesë dhe mund të përdoret më së miri si një mjet dinamik për matjen e përfshirjes financiare të gjithë qytetarëve shqiptarë.
Për më tepër krijimi i regjistrit kombëtar të llogarive bankare mund të shërbejë edhe si një hap i parë dhe i rëndësishëm për krijimin e një regjistri të borxhit i cili, në vlerësimit tonë, përtej objektivave të qeverisë shqiptare, mbështet ndjeshëm aktivitetin e bankave dhe të Bankës Qendrore së Shqipërisë në analizat ekonomike dhe financiare të cilat ajo kryen më së miri.
Nga ana tjetër, digjitalizimi i vazhdueshëm i shërbimeve publike, i cili është reflektuar në zgjerimin gjithnjë e më të madh të shërbimeve të ofruara për qytetarët shqiptarë, duhet të shihet edhe si një mjet dhe mekanizëm për familjarizimin e tyre me pagesat elektronike dhe nxitjen e përfshirjes financiare të popullatës, bazuar në eksperiencat e vendeve të tjera të cilat i kanë ndërmarrë tashmë këto nisma.
Në këtë këndvështrim dhe në këtë drejtim, krahas nevojës për të krijuar kushte sa më komode për qytetarët shqiptarë në lidhje me ofrimin e shërbimeve të qeverisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe BSH po bashkëpunon ngushtë me Shoqatën e Bankave, në mënyrë që të gjitha shërbimet e ofruara nga E-Albania lidhur me pagesat të kryhen si pagesa elektronike, nëpërmjet sistemit bankar.
Në këtë drejtim, në muajin tetor kemi firmosur një Marrëveshje Bashkëpunimi midis Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, Bankës së Shqipërisë, Shoqatës Shqiptare të Bankave dhe AKSHI-t me qëllim bashkëpunimin në mënyrë të vazhdueshme për të lehtësuar procesin e digjitalizimit të pagesave të shërbimeve publike.
Në këtë drejtim, përfitoj nga rasti, meqenëse ky komitet ka në fokus pikërisht pagesat dhe rrjedhimisht edhe të gjithë aktorët e përfshirë në këtë proces, gjej rastin të theksoj edhe njëherë nevojën për bashkëpunim më të ngushtë dhe intensifikim të përpjekjeve të bankave, shoqatës së Bankave dhe AKSHI-t për arritjen e objektivave të synuara nga kjo marrëveshje bashkëpunimi brenda afateve të përcaktuara.
Përtej pagesave të shërbimeve qeveritare në e-Albania, qeveria shqiptare po bashkëpunon ngushtë me Bankën e Shqipërisë dhe sistemin bankar për një sërë projektesh të cilat reduktojnë përdorimin e cash-it në ekonomi. Dua të përmend dhe të ndalem te projekti për emetimin e kartës sociale nëpërmjet Postës Shqiptare, i cili synon që të gjithë pagesat me karakter social për individët të paguhen nëpërmjet kësaj karte.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë nga ana e saj ka punuar për automatizimin e ekzekutimit të pagesave të buxhetit të shtetit që në vitin 2010, nëpërmjet implementimit të Sistemit Informatik Financiar të Qeverisë, sistem i cili është i integruar me sistemin e pagesave të Bankës së Shqipërisë, duke komunikuar të dy sistemet elektronikisht në baza ditore dhe duke respektuar të gjitha kushtet teknike të sistemit te pagesave dhe rregulloren mbi këtë proces, me mbështetjen e Bankës së Shqipërisë në rolin e agjentit fiskal të Qeverisë.
Gjithashtu, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka eliminuar pagesat në formë cash në favor të punonjësve të administratës publike dhe individëve të tjerë përfitues nga fondet publike duke bërë kreditimin e shumave përfituese direkt në llogaritë bankare individuale të tyre, (si paga, dieta, vendime gjyqësore, një pjesë e ndihmave sociale duke qenë pjesë integrale e pagesave të qeverisë shqiptare).
Së fundi, por jo më pak e rëndësishme, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka mbështetur në vazhdimësi Bankën e Shqipërisë në hartimin dhe konsultimin e projektligjeve të ndryshme dhe rishtazi jemi duke punuar intensivisht për projektligjin “Për llogarinë e pagesave me shërbime bazike” i cili, si përmendi dhe Guvernatori, synon të nxisë aksesin në financë të popullsisë shqiptare.
Mbrojtja e të drejtave të konsumatorëve, së bashku me edukimin financiar dhe aksesin ndaj shërbimeve financiare, është një bazë shumë e rëndësishme për një përfshirje më të madhe financiare.
Unë mendoj që ndërmarrja e një aksioni të përbashkët për hartimin dhe zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Edukimin Financiar në vendin tonë është një parakusht për një sistem financiar të shëndoshë, të qëndrueshëm dhe efikas.
Jam e bindur se gjatë ditës së sotme ju do të diskutoni mbi temat që u përmendën si nga unë, ashtu edhe nga Guvernatori dhe Zv.Guvernatorja dhe jam e bindur që në fund të ditës do të dilni me vendimmarrje të rëndësishme, të cilat do t’i shërbejnë sistemit tonë financiar dhe mbrojtjes së interesave të popullatës shqiptare dhe mbrojtjes së interesave të konsumatorit.
Faleminderit.