Ministrja Ibrahimaj: Mbështesim zhvillimin e ekosistemit të start up-eve dhe inovacionit - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Ministrja Ibrahimaj: Mbështesim zhvillimin e ekosistemit të start up-eve dhe inovacionit

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, mori pjesë në çeljen e fazës së dytë të projektit EU4Innovation, një aktivitet i cili mblodhi së bashku më shumë se 150 aktorë të ekosistemit të inovacionit, përfaqësues nga sektori publik dhe privat, akademia e komuniteti i donatorëve, dhe përcolli frymën inkurajuese për përshpejtimin e transformimit të ekonomisë shqiptare, përmes inovacionit dhe aftësive.

Në fjalën e saj, Ministrja Ibrahimaj theksoi rolin e rëndësishëm të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, si partneri kryesor politik i projektit nga ana e Qeverisë shqiptare dhe shprehu besimin se EU4Innovation mund të luajë një rol të fortë në zhvillimin e mëtejshëm të ekosistemit të start-up-eve dhe inovacionit.

Ministrja tha se qeveria shqiptare ka punuar intensivisht në vitet e fundit për hartimin e legjislacionit të duhur me qëllim krijimin dhe zhvillimin e ekosistemit të start up-eve dhe inovacionit dhe një nga ndryshimet më të fundit ligjore është ai në ligjin e start up-eve, përmes të cilit u jepet mundësia e atyre që njihen si “nomadë dixhitalë” që të mos konsiderohen rezidentë tatimorë në Shqipëri të paktën për një vit.

“Është shumë e rëndësishme që politikat tona të mbështesin fazat fillestare të start up-eve dhe ne kemi menduar që tu japim lehtësi fiskale”, tha Ibrahimaj.

Sipas Ministres Ibrahimaj, me rëndësi nuk është vetëm legjislacioni për mbështetjen e ekosistemit në fjalë, por krijimi i mjedisit të duhur me qëllim nxitjen dhe zhvillimin e këtyre bizneseve.

Në këtë kuadër, Ministrja tha se projekti EU4Innovation dhe bashkëpunimi mes të gjithë aktorëve do të kontribuojë në krijimin e një ambienti të përshtatshëm për zhvillimin e biznesit, për mbështetjen e start up-eve apo ideve inovative, të cilat do të ndërtojnë infrastrukturën e inovacionit në vend.

“Unë besoj që ne kemi potencialin e duhur për ta çuar përpara këtë sektor dhe besoj se në vitet në vijim do të zërë një peshë të rëndësishme në ekonominë e vendit. Për këtë arsye ne jo vetëm jemi duke zbatuar këtë projekt, duke hartuar bazën ligjore, duke mbështetur me fonde të buxhetit të shtetit, por jemi duke punuar fort edhe për rritjen e kapaciteteve të të rinjve për të qenë të aftë të punojnë në këtë ekosistem, i cili është shumë dinamik dhe ku aftësitë dhe nevojë për dije ndryshojnë nga momenti në moment”, vijoi Ministrja.

Në fund të fjalës së saj, Ministrja Ibrahimaj ritheksoi faktin se bashkëpunimi mes të gjithë aktorëve të përfshirë në implementimin e projektit BE për Inovacionin do të jetë i suksesshëm dhe do të ndihmojë në krijimin e infrastrukturës së duhur me qëllim zhvillimin e start up-et inovative.

Të pranishëm në aktivitet ishin dhe Ambasadorja e BE-së në Shqipëri, Christiane Hohmann; Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë, Z. Peter Zingraf dhe Ambasadorja e Mbretërisë së Suedisë, znj. Elsa Håstad, të cilët shprehën mbështetjen e tyre për të nxitur zhvillimin e ekosistemit të sipërmarrjeve të reja dhe i inovacionit në vendin tonë.

EU4Innovation është një projekt i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian, Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ), si dhe Sida. Projekti zbatohet nga GIZ Shqipëri si organizatë kryesuese në zbatim dhe Sida si përgjegjëse për Challenge Fund. Periudha e zbatimit është Janar 2023 – Qershor 2026 (42 muaj), me një kontribut të BE-së deri në 10,000,000 EUR, BMZ deri në 1,200,000 EUR dhe Sida deri në 550,000 EUR.

Projekti mbështet Qeverinë e Shqipërisë në arritjen e objektivave kryesorë në fushën e zhvillimit ekonomik, përmes përshpejtimit dhe transformimit në një ekonomi të nxitur nga inovacioni dhe të bazuar në njohuri, duke i dhënë hov kapitalit të saj njerëzor, potencialit sipërmarrës si dhe të kërkimit, dhe duke rritur kështu konkurrueshmërinë.

Previous Firmoset në Romë marrëveshja tripalëshe, Manastirliu: Dritare e re për realizimin e transplantit të organeve në Shqipëri