Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, mori pjesë në Konferencën e Nivelit të Lartë “Financa e Gjelbër në Evropën Juglindore: Zhvillimi i Kapaciteteve dhe një Taksonomi”, organizuar nga Qendra e Ekselencës në Financë (CEF). I pranishëm në këtë konferencë ishte dhe Guvernatori i BSH, Gent Sejko. Qëllimi i kësaj konference është diskutimi mes zyrtarëve të lartë të financave, guvernatorëve të bankave qendrore dhe përfaqësuesve të institucioneve në fushën e rregullimit dhe mbikëqyrjes bankare në Evropën Juglindore, lidhur me progresin dhe sfidave në drejtim të ekonomisë dhe tranzicionit të gjelbër.
Në fjalën e saj, Ministrja Ibrahimaj vlerësoi organizimin e konferencës, në kushtet kur ndryshimet klimatike po kthehen një kërcënim potencial për ekonominë në mbarë botën, ndërsa theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të gjithë aktorëve në funksion të një ekonomie të qëndrueshme dhe rezistente.
Ministrja tha se ndryshimet e klimës do të shoqërohen me kosto të lartë mjedisore, ekonomike dhe sociale, e në këtë drejtim ka nevojë për angazhimin e politikëbërjes, me qëllim marrjen e masave përkatëse.
Ibrahimaj u shpreh se qeveria shqiptare ka ndërmarrë disa veprime sa i përket angazhimeve në drejtim të marrëveshjeve ndërkombëtare dhe strategjive kombëtare, si përfshirja në vitin 2020 e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Axhendën e Gjelbër, angazhimi për krijimin e Tregut të Përbashkët Rajonal, i cili synon ta bëjë ekonominë më të qëndrueshme dhe neutrale ndaj klimës deri në vitin 2050, miratimi i Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim (SKZHI), si dhe angazhimi për qëndrueshmërinë mjedisore, si një objektiv në programin 4 vjeçar që Shqipëria ka me Bankën Botërore.
Nga ana tjetër, Ministrja përmendi një nga iniciativat e MFE lidhur me sigurimin dhe ndërgjegjësimin më të lartë të ndikimit mjedisor dhe social, e cila ka të bëjë me procedurat e menaxhimit të investimeve publike. Sipas procedurave të reja të miratuara në fund të vitit 2022, “çdo projekt potencial investimi që synohet të financohet nëpërmjet fondeve të buxhetit të shtetit do të vlerësohet duke marrë parasysh ndikimin mjedisor dhe klimatik”.
“Kalimi në një ekonomi të gjelbër kërkon gjithashtu investime të reja kapitale. Qeveria dhe të gjithë aktorët e zhvillimit janë të angazhuar për të siguruar zbatimin e duhur të programeve të ekonomisë së gjelbër, duke bërë të mundur që institucionet publike të forcohen për të hequr barrierat dhe për të mbrojtur mjedisin dhe për t’i harmonizuar këto me politikat sociale dhe ekonomike”, tha Ibrahimaj.
Në përfundim të fjalës së saj, Ministrja u shpreh se tranzicioni i gjelbër duhet kuptuar si një projekt afatgjatë dhe është përgjigja strategjike ndaj pasigurive me të cilat po përballemi sot, por do të përballemi edhe në të ardhmen.
Fjala e Ministres Ibrahimaj:
I nderuar z. Guvernator,
E dashur Jana, (Jana Repansek, CEF)
Të dashur pjesëmarrës,
Ju falënderoj për ftesën për të qenë pjesë e panelit përshëndetës të konferencës së nivelit të lartë për Financimin e Gjelbër në Evropën Juglindore. Ju përgëzoj për përzgjedhjen e kësaj teme kaq të rëndësishme, në një kontekst global ku ndryshimi i klimës po bëhet një kërcënim potencial për të gjitha ekonomitë tona.
Në fakt, krizat e fundit që ne kaluam na dhanë disa mësime dhe mësimi kryesor që morëm nga krizat ishte se sa e rëndësishme është që të gjithë së bashku të punojmë për një ekonomi të qëndrueshme dhe rezistente. Qëndrueshmëria dhe rezistenca janë në thelbin e të gjitha diskutimeve që do të bëhen ditën e sotme, pasi në përballimin e krizave na është dashur të marrim masa për të limituar efektet e tyre në afatshkurtër dhe afatmesëm, por gjithashtu edhe për të parë në afatgjatë pa humbur objektivat tanë kryesorë, ku sigurisht qëndrueshmëria e klimës është një nga ato.
Ndryshimet e klimës do të shoqërohen me kosto të lartë mjedisore, ekonomike dhe sociale dhe për këtë ne të gjithë si politikëbërës duhet të jemi të angazhuar që të mobilizohemi dhe të marrim masa paraprakisht, me qëllim që kur ato të ndodhin ne të jemi gati.
Shqipëria, edhe pse një vend i vogël me një kontribut të ulët emetimi të gazrave, është e vendosur që të jetë pjesë dhe të marrë përsipër rolin dhe përgjegjësinë e saj në këtë proces. Në fakt kemi ndërmarrë disa veprime në këtë drejtim.
Transformimi drejt një ekonomie të gjelbër kërkon angazhim individual të vendeve qoftë në nivel të marrëveshjeve ndërkombëtare, për të cilat ne jemi angazhuar dhe kemi nënshkruar tashmë, qoftë në nivel strategjish kombëtare. Pra, të gjitha ato angazhime që ne kemi në kuadër të marrëveshjeve ndërkombëtare duhet t’i përkthejmë në strategji, por qoftë dhe në nivel të procedurave të institucioneve të ndryshme, me qëllim që strategjitë kombëtare të jenë sa më të prekshme dhe realizueshme.
Në mbështetje të gjithë këtij kuadri, ne në vitin 2020 kemi firmosur në samitin e Sofjes dy marrëveshje shumë të rëndësishme. Kemi vendosur të bëhemi pjesë si vende të Ballkanit Perëndimor në Axhendën e Gjelbër, ashtu sikurse kemi vendosur për krijimin e Tregut të Përbashkët Rajonal, i cili synon ta bëjë ekonominë tonë më të qëndrueshme dhe neutrale ndaj klimës deri në vitin 2050, nëpërmjet një sërë iniciativash dhe reformash gjithëpërfshirëse politike dhe financiare.
Ne jemi të bindur që Tranzicioni i Gjelbër, përveç kostove që unë përmenda, do të ketë dhe efekte pozitive në ekonominë tonë e pikërisht në kontekstin ekonomik, ne jemi duke zbatuar Planin Kombëtar të Energjisë dhe të Klimës, i cili do të ndikojë ndjeshëm në rritjen ekonomike të sektorëve të ndryshëm që lidhen me energjinë dhe me klimën.
Gjithashtu, në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim (SKZHI), politikat dhe masat në lidhje me ndërtimin dhe rinovimin e ndërtesave, si dhe ndërtimin e sistemeve fotovoltaike do të kontribuojnë në mënyrë thelbësore dhe në krijimin e vendeve të reja të punës, të cilat konsiderohen të gjelbra. Ulja e varësisë nga importet e energjisë do të kontribuojë jo vetëm në përmirësimin e sigurisë së furnizimit me energji, por edhe në sigurinë makroekonomike dhe politike të vendit nëpërmjet reduktimit të deficitit të brendshëm buxhetor.
Nga ana tjetër, ne mendojmë që qëndrueshmëria mjedisore është një ndër objektivat kryesorë që duhet të kenë qeveritë sot dhe për këtë arsye me Bankën Botërore ne kemi vendosur që një ndër katër objektivat të jetë pikërisht dhe qëndrueshmëria mjedisore. Këto katër objektiva janë të parashikuara në Programin 4 vjeçar që qeveria shqiptare ka në bashkëpunim me BB.
Në këtë kontekst, një nga iniciativat e MFE në drejtim të sigurimit dhe ndërgjegjësimit më të lartë të ndikimit mjedisor dhe social është rishikimi i procedurave të menaxhimit të investimeve publike.
Në fund të vitit 2022, Këshilli i Ministrave miratoi procedurat e reja të menaxhimit të investimeve publike, të cilat në tërësinë e tyre kanë edhe përmirësime në fushën dhe në qasjen e avancuar në lidhje me ndikimin mjedisor, klimatik dhe social të projekteve të investimeve. Pra tashmë çdo projekt potencial investimi që synohet të financohet nëpërmjet fondeve të buxhetit të shtetit do të vlerësohet duke marrë parasysh ndikimin mjedisor dhe klimatik gjithashtu, i cili do të jetë një element i rëndësishëm për përfshirjen e projekteve në planet afatmesme të buxhetit.
Financimi i gjelbër është një temë që do të diskutohet sot këtu, ashtu sikurse ka vite që diskutohet dhe tashmë është bërë pjesë e Strategjisë për Borxhin të MFE.
Pra ne, përveç instrumenteve tradicionalë të huamarrjes, parashikojmë që në afatmesëm të përdorim instrumente të tjera alternative të financimit. Bazuar në përvojën ndërkombëtare, vitet e fundit këto instrumente janë përdorur dhe në rajonin tonë, si obligacionet e gjelbra, obligacionet sociale, obligacionet e qëndrueshme dhe obligacionet e lidhura me qëndrueshmërinë janë bërë mjete të rëndësishme për të adresuar ndryshimet klimatike dhe sfidat që lidhen me to. Gjatë vitit 2022, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka ndërmarrë disa hapa drejt vlerësimit të mundësive për të përdorur këto lloj instrumentesh dhe në vendin tonë.
Kalimi në një ekonomi të gjelbër kërkon gjithashtu investime të reja kapitale. Qeveria dhe të gjithë aktorët e zhvillimit janë të angazhuar për të siguruar zbatimin e duhur të programeve të ekonomisë së gjelbër, duke bërë të mundur që institucionet publike të forcohen për të hequr barrierat dhe për të mbrojtur mjedisin dhe për t’i harmonizuar këto me politikat sociale dhe ekonomike.
Në mendimin tim, Ministritë e Financave janë të pozicionuara shumë mirë për të përshpejtuar tranzicionin e gjelbër, i cili ka të bëjë në thelb me drejtimin e ardhshëm të ekonomisë. Ky ndryshim duhet të ketë një qasje të përgjithshme të qeverisë dhe jo vetëm një qasje sektoriale të Ministrisë së Mjedisit apo Energjisë. Historia ka treguar që në shumë raste Ministritë e Financave kanë qenë të afta të bëjnë ndryshimin kur bëhet fjalë për ndryshime afatgjata dhe për planifikim afatgjatë. Ne kemi një rol kritik në drejtimin dhe formësimin e këtij tranzicioni, në veçanti duke drejtuar flukset e nevojshme të kapitalit dhe duke siguruar një shpërndarje të drejtë dhe të pranueshme të kostove dhe përfitimeve. Në të njëjtën kohë, Ministritë e Financave mund të përdorin leva politikave makro dhe fiskale për të çliruar kapitalin, i cili është i nevojshëm për të investuar në tranzicionin drejt një ekonomie të gjelbër me norma të ulëta të karbonit.
Nëpërmjet proceseve të saj, qeveria ka detyrimin që të angazhohet dhe për drejtimin e sektorit privat drejt tranzicionit, i cili ka një rol gjithashtu shumë të rëndësishëm dhe këtë mund ta bëjë vetëm në bashkëpunim me donatorët dhe gjithë institucionet që na mbështesin për aftësim, për përmirësimin e ligjeve, përmirësimin e rregulloreve, përmirësimin e procedurave dhe këtu gjej rastin të falënderoj dhe CEF për të gjithë kontributin që ka dhënë ndër vite në drejtim të përmirësimit të proceseve të MFE.
Burimet publike nuk janë gjithmonë të mjaftueshme dhe është detyra që të gjejmë mënyra efektive të qëndrueshme dhe të dobishme për të kanalizuar asetet financiare private në investime për një zhvillim të qëndrueshëm dhe të gjelbër. Këtu sektori financiar dhe sektorit bankar kanë një rol të madh dhe mund të luajnë një rol shumë pozitiv dhe jam e bindur që nëpërmjet bashkëpunimit me Bankën e Shqipërisë dhe me sektorin bankar ne do të arrijmë të përmbushim të gjithë objektivat që i kemi vendosur vetes qoftë në marrëveshjet ndërkombëtare, por edhe në strategjitë afatmesme të miratuara tashmë nga qeveria.
Jam thellësisht e bindur se tranzicioni i gjelbër, i cili padyshim duhet kuptuar si një projekt afatgjatë, mbetet përgjigja strategjike ndaj pasigurive me të cilat po përballemi sot, por do të përballemi edhe në të ardhmen. Kjo është arsyeja pse angazhimet që shpresoj të nxirren sot do të kenë rëndësi të madhe për Shqipërinë, por edhe për rajonin e gjerë.
Ju uroj një vazhdim të frytshëm të konferencës dhe ju falënderoj për pjesëmarrjen.