Ministrja Ibrahimaj mbledh Këshillin e Investimeve, diskutohet mbi aftësimin e fuqisë punëtore - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Ministrja Ibrahimaj mbledh Këshillin e Investimeve, diskutohet mbi aftësimin e fuqisë punëtore

Këshilli i Investimeve zhvilloi mbledhjen e tij të radhës nën drejtimin e Ministres së Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, njëherësh kryetare e KI.

Tema e diskutimit ishte “Mbi Disponueshmërinë dhe Cilësinë e Fuqisë Punëtore”, për të cilën Sekretariati i Këshillit të Investimeve ka realizuar një anketim, i cili u prezantua gjatë mbledhjes.

Në fjalën e saj, Ministrja Ibrahimaj theksoi rëndësinë e aftësive të nevojshme sipas kërkesave dhe nevojave të biznesit, në kushtet kur tregu në vitet e fundit ka pësuar zhvillime dinamike, sidomos në drejtim të dixhitalizimit.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka ndërmarrë disa politika në funksion të zhvillimit dhe reformimit të arsimit dhe formimit profesional në vend.

Ministrja theksoi faktin se aktualisht po punohet për hartimin e Strategjisë së re Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, e cila do të konsultohet me grupet e interesit pas miratimit final.

Një prej shtyllave kryesore të këtij dokumenti lidhet me transformimin dixhital që po pëson vendi dhe ofrimin e aftësive dixhitale që më së shumti kërkohen sot nga tregu i punës.

Me mjaft rëndësi, sipas Ministres Ibrahimaj, është rritja e informimit dhe ndërgjegjësimit për programet e nxitjes së punësimit që ofrohen, ashtu si edhe për vendet e lira të punës, në mënyrë që të ulet hendeku mes personave të papunë apo atyre që nuk kërkojnë punë dhe kërkesave të biznesit për të punësuar.

“Duhet të punojmë më shumë me qëllim rritjen e informimit për programet e nxitjes së punësimit dhe për përfitimet që bizneset kanë me qëllim nxitjen e punësimit dhe marrjen e stafeve të reja në punë”, tha Ibrahimaj.

Po ashtu, sipas Ministres, duhet të rritet informimi edhe sa i përket programit të Garancisë Rinore, i cili po zbatohet në bashkëpunim me BE, duke synuar rritjen e pjesëmarrjen në forcat e punës për grupmoshën 15-29 vjeç.

 

Fjala e Ministres në Këshillin e Investimeve:

 

Përshëndetje të gjithëve,

Sot do të diskutojmë për aftësitë e nevojshme në këtë botë të zhvillimit kaq dinamik që po jetojnë dhe për dispnoueshmërinë e këtyre aftësive në tregun shqiptar, por edhe për nevojat e biznesit shqiptar në këtë drejtim.

Jam e kënaqur që sot ne organizojmë këtë mbledhje të Këshillit të Investimeve. Do prezantojmë më vonë edhe disa të dhëna të anketës së zhvilluar nga sekretariati i KI, të cilat janë shumë interesante dhe do ta në shërbejnë qoftë ne si politikë bërës me qëllim hartimin e politikave në vijim, gjithashtu i shërbejnë edhe tregut. Kjo nuk është një nismë vetëm e qeverisë, pasi kemi këtu përfaqësues nga tregu privat që japin një kontribut të qenësishëm qoftë në ofrimin e kapaciteteve të fuqisë punëtore, por edhe vetë bizneset që janë përthithëse të fuqisë punëtore kanë një kontribut të gjerë, duke qenë dhe pjesë e bordeve të shkollave profesionale tona, duke na drejtuar ne për formën më të mirë dhe për aftësitë më të nevojshme në këtë moment në tregun e punës.

Ne kemi bërë shumë gjatë vitit të fundit në këtë drejtim.

Aktualisht jemi duke punuar për hartimin e Strategjisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, e cila do të konsultohet në të gjitha fazat e saj me pjesëmarrësit e kësaj tryeze dhe më gjerë, me qëllim që të arrijmë në një dokument përfundimtar i cili do të paraqesë realisht sfidat dhe objektivat kryesore që ne do të kemi në të ardhmen.

Ndonëse të dhënat e përgjithshme kanë qenë pozitive, janë disa të dhëna të tregut të punës të cilat duhet që të na bëjnë të reflektojmë dhe duhet ta na bëjnë të ndjekim politika të reja.

Ne kemi pasur një normë papunësie në reduktim dhe një normë punësimi në rritje, sigurisht të ndryshme në sektorë të ndryshëm. Megjithatë, nga gjithë pjesëmarrja e popullsisë në tregun e punës, 10.5 % e popullsisë ekonomikisht jo aktive deklarojnë se nuk janë në kërkim të punës pasi besojnë se nuk ka punë të disponueshme. Këto janë të dhënat e INSTAT, që janë statistikat zyrtare.

Nëpërmjet kontakteve me biznesin përmes këtij forumi apo forumeve të tjera mësojmë se një nga shqetësimet kryesore që biznesi ngre është kërkesa për forcë pune dhe për forcë të aftë për punë. Pra, ne duhet të bëjmë më shumë që informacioni për vendet e lira të punës të rritet, me qëllim që ne të mos kemi më këtë hendek ndërmjet të papunëve apo atyre që nuk kërkojnë punë dhe kërkesave të bizneseve për të punësuar.

Siç e përmenda më sipër, politikat që po zbatojmë janë të shumta.

Në strategjinë e re të punësimit që do të miratojmë, një prej shtyllave kryesore është rritja dhe ofrimi i aftësive për transformimin dixhital që Shqipëria po pëson, ashtu si edhe gjithë bota, për aftësi dixhitale të kërkuara nga tregu i punës më së shumti në këtë moment.

Gjithashtu, ka edhe një shtyllë të rëndësishme e cila lidhet me tranzicionin e gjelbër, i cili ndonëse në këtë moment nuk është në tryezat e diskutimit të përditshme që ne kemi, duhet të jetë, pasi në një periudhë afatmesme dhe afatgjatë do të duhet ta kalojmë dhe do të jetë pjesë e diskutimit më të gjerë të tranzicionit të gjelbër dhe aftësitë që duhen për të arritur këtë tranzicion.

Nga ana tjetër ne kemi punuar për Strategjinë e Nxitjes së Investimeve të Biznesit, ku një pjesë të rëndësishme e zë punësimi dhe strategjia për rritjen e aftësive në drejtim të thithjes së investimeve të huaja dhe rritjes së eksporteve.

Gjatë gjithë këtij viti, në bashkëpunim me Bashkimin Europian, kemi punuar për Garancinë Rinore. Një shifër të lartë të shkallës së papunësisë ne e kemi për grupmoshën 15-29 vjeç, ndonëse kjo përqindje ka ardhur në reduktim.

Me qëllim që ne të adresojmë këtë problematikë, pra të papunësisë në grupmoshën 15-29 vjeç, nëpërmjet programit të Garancisë Rinore ne do të punojmë me qëllim që çdo i ri i kësaj moshe të ketë një alternativë punësimi,  formimi apo aftësimi profesional, me qëllim që të kemi një pjesëmarrje më të gjerë të kësaj kategorie kaq të rëndësishme në tregun e punës.

Gjithashtu, gjatë gjithë këtyre viteve ne kemi zbatuar programet e nxitjes së punësimit, ku në vitin 2020 ka pasur 4,146 pjesëmarrës; në vitin 2021 ka pasur 4, 834 pjesëmarrës dhe në 9 mujorin e vitit 2022 ka pasur 3,416 pjesëmarrës.

Edhe për këtë pjesë duhet të punojmë më shumë me qëllim rritjen e informimit për programet e nxitjes së punësimit dhe për përfitimet që bizneset kanë me qëllim nxitjen e punësimit dhe marrjen e stafeve të reja në punë.

Një element kyç i marrëdhënies tonë dhe i zhvillimit të këtij tregu është ndërmjetësimi.  Unë e përmenda edhe më sipër që ka një mungesë komunikimi, qoftë përsa i përket vendeve të lira të punës, ku popullata e gjerë nuk ka informacion të mjaftueshëm. Unë do ju ftoja të gjithëve së bashku ta përdorin më shumë AKPA-n dhe zyrat e punës, me qëllim afishimin e të gjitha vendeve të lira të punës, pasi ky institucion ndërlidhës i ofertës dhe kërkesës për punë duhet të jetë kyç me qëllim gjetjen e balancës ndërmjet aftësive të kërkuara dhe aftësive të ofruara.

Gjithashtu, duhet të punojmë më shumë përsa i përket informimit për programet e ndryshme të nxitjes së punësimit dhe programit të Garancisë Rinore.

Falënderoj për të gjithë bashkëpunimin që kemi me shoqatat e bizneseve dhe bizneset në sektorë të ndryshëm, duke qenë se janë rreth 3 mijë biznese që ofrojnë praktika profesionale për të gjithë të arsimuarit në shkollat profesionale në vend dhe çdo vit përfitojnë rreth 10 mijë studentë nga pjesëmarrja në praktikat profesionale.

Mirëpres sugjerimet tuaja se si ne mund t’i qasemi më mirë kësaj problematike pasi, ndonëse popullsia ka ardhur në rritje nga viti në vit, zhvillimi ekonomik dhe zhvillimi i ndërmarrjeve ka bërë që kjo problematikë të rritet gjithmonë e më shumë, pra gjetja dhe krijimi i aftësive të nevojshme për tregun aktual të punës.

Faleminderit.

Previous Mbahet në Uashington dialogu i partneritetit strategjik Shqipëri-SHBA