Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, mori pjesë në forumin e Bankës Botërore, “Forcimi i legjislacionit të menaxhimit të borxhit sovran për të rritur transparencën”, i cili u organizua në Berlin, 15-16 qershor 2023.
Diskutimet në këtë Forum u fokusuan në sfidat aktuale të borxhit dhe tendencat globale, duke synuar nxitjen e shkëmbimit të njohurive midis pjesëmarrësve, politikëbërës të nivelit të lartë dhe zyrtarëve qeveritarë, ekspertë të menaxhimit të borxhit, donatorë shumëpalësh dhe dypalësh, ofrues të asistencës teknike dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile.
Forumi shërbeu si një platformë për diskutime ekskluzive mbi strategjitë e mundshme të menaxhimit të borxhit në një mjedis shumë të pasigurt ku nevoja për të hedhur dritë mbi transparencën e borxhit dhe parimet e shëndosha të menaxhimit të tij është me rëndësi të madhe, për të ruajtur qëndrueshmërinë afatgjatë dhe zhvillimin ekonomik.
Në fjalën e saj, Ministrja Ibrahimaj u shpreh se qeveria shqiptare mbetet e angazhuar në menaxhimin e kujdesshëm dhe uljen e borxhit publik të vendit, duke theksuar se në projeksionet afatmesme dhe afatgjata parashikohet një rënie e mëtejshme e nivelit të borxhit, ndërsa planifikohet të arrijë nën 60 % të Produktit të Brendshëm Bruto brenda vitit 2030.
Gjatë qëndrimit të saj në Berlin, Ministrja Ibrahimaj zhvilloi një takim me senatorin për çështjet financiare të Berlinit, z.Stefan Evers, ku u diskutua mbi rritjen e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve dhe angazhimin për zbatimin e reformave kyçe që po ndërmerr Shqipëria.
Gjithashtu, Ministrja u takua dhe me z.Oliver Luksic, Sekretar Parlamentar të Shtetit, në Ministrinë Federale të Transportit dhe Infrastrukturës Dixhitale, me të cilin diskutoi mbi forcimin e partneritetit të përbashkët në drejtim të zhvillimit inovativ, por edhe për vazhdimësinë e ofrimit të mbështetjes për axhendën digjitale të Shqipërisë.