Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, mori pjesë në mbledhjet Vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Grupit të Bankës Botërore, të cilat u zhvilluan në Uashington, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku Shqipëria u përfaqësua nga një delegacion i përbashkët me përfaqësues të lartë të MFE dhe Bankës së Shqipërisë.
Këto mbledhje janë një forum i nivelit të lartë, ku vendimmarrësit e FMN dhe BB takohen dhe diskutojnë me ministrat e financave dhe guvernatorët e vendeve anëtare të këtyre institucioneve ndërkombëtare financiare, mbi zhvillimet kryesore në ekonominë botërore.
Një prej takimeve kryesore ku mori pjesë Ministrja Ibrahimaj ishte ai i organizuar nga Departamenti Europian i FMN-së, me Guvernatorët e Bankave dhe Ministrat e Financave nga Europa Qendrore, Lindore dhe ajo Juglindore.
Në këtë takim, Drejtori i Departamentit Europian pranë FMN, z. Alfred Kammer, prezantoi gjetjet kryesore të Perspektivës Ekonomike Rajonale për Europën dhe bëri një analizë të ecurisë së situatës inflacioniste jo të zakonshme, me të cilën po përballet sot kontinenti.
Në fjalën e saj, Ministrja Ibrahimaj ndau qëndrimet mbi perspektivën, sfidat e zbatimit të politikave monetare dhe ato financiare në Shqipëri, me qëllim ruajtjen e likuiditetit, qëndrueshmërinë ekonomike, forcimin e miradministrimit fiskal, etj.
Ministrja theksoi se deri më tani ekonomia e vendit ka performuar pozitivisht, kjo edhe falë masave që qeveria ka ndërmarrë për të mbështetur shtresat më në nevojë si pasojë e rritjes së çmimeve, ndërsa pritshmëritë janë që ekonomia të rritet me rreth 3.7 % gjatë vitit 2022.
Sa i përket energjisë elektrike, Ministrja informoi, se qeveria shqiptare ka vendosur të mos rrisë çmimin e energjisë elektrike për konsumatorët familjarë dhe shumicën e bizneseve në vend, duke subvencionuar rritjen e çmimeve në tregjet ndërkombëtare përmes fondeve nga buxheti i shtetit.
Inflacioni ka qenë dhe është një ndër problematikat kryesore që po shoqëron aktivitetin ekonomik gjatë këtij viti. Ministrja Ibrahimaj nënvizoi faktin, se Shqipëria deri më tani ka pasur një normë inflacioni ndjeshëm më të ulët se sa vendet e rajonit apo dhe se sa mesatarja e vendeve të BE, ndikuar edhe prej masave të ndërmarra nga qeveria.
Në kuadër të mbledhjeve Vjetore të FMN dhe Grupit të BB, Ministrja Ibrahimaj zhvilloi disa takime të rëndësishme me përfaqësues të lartë të institucioneve financiare ndërkombëtare. Një prej këtyre takimeve ishte ai me Drejtorin e Departamentit Evropian pranë FMN, z. Alfred Kammer, dhe Drejtorin e Ardhshëm Ekzekutiv të FMN për Shqipërinë, z. Federico Giammusso, ku pati vlerësime pozitive mbi masat që qeveria shqiptare ka marrë në përballimin e goditjeve të forta, si tërmeti, pandemia dhe së fundmi edhe efektet nga konflikti Rusi-Ukrainë. Ministrja falënderoi zyrtarët e lartë të FMN për të gjithë mbështetjen që na kanë dhënë në kuadër të Artikullit të Katërt të marrëveshjes dhe për vlerësimin e raportit që pritet të hartohet për ekonominë e vendit tonë. Ajo garantoi, se Shqipëria do të vijojë të punojë ngushtësisht me misionin me qëllim zbatimin e reformave, ruajtjen e parametrave makro-ekonomikë, si dhe për miradministrimin fiskal.
Po ashtu, Ministrja u takua me Zëvendëspresidenten për Rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore pranë Bankës Botërore, Anna Bjerde dhe Drejtorin Ekzekutiv për Shqipërinë Matteo Bugamelli. Në këtë takim u diskutua mbi sfidat kryesore me të cilat po përballet ekonomia shqiptare, si inflacioni, kriza energjetike e ushqimore, si dhe ndryshimet klimaterike që nxjerrin në pah edhe një herë një sërë detyrash për të cilat duhet një vëmendje e shtuar. Palët ranë dakord se zbatimi i reformave që nxisin dhe inkurajojnë stabilitetin makroekonomik të vendit, përmirësimi i klimës së biznesit, rritja e eficiencës dhe të konkurrueshmërisë, përmirësimi i kapaciteteve njerëzore dhe institucionale, si dhe projektet e rëndësishme që po zhvillohen, janë rruga drejt një progresi më të shpejtë ekonomik dhe social.
Një tjetër takim i rëndësishëm ishte ai me Nënsekretaren e Administratës Ndërkombëtare të Tregtisë, Marisa Lago, ku u diskutua forcimi i marrëdhënieve të tregtisë mes dy vendeve, si dhe interesat dhe vëmendja që ka Departamenti i Tregtisë, si agjenci pranë Departamentit të Shtetit, për zhvillimin e sektorëve me interes për Shqipërinë, si energjia dhe zhvillimi i teknologjisë së informacionit.
Ndërkaq, në takimin me drejtues të lartë të IFC, Zëvendëspresidentin për Rajonin e Evropës, Alfonso Garcia Mora, dhe Rana Karadsheh, Drejtore Rajonale për Evropën, u diskutua për mbështetjen e sektorit financiar, zhvillimin e mundësive për të financuar investimet e sektorit privat në infrastrukturë, mundësinë për të ofruar asistencë financiare dhe teknike për SME-të dhe krijimin e lehtësirave për akses të tyre. Bashkëbiseduesit ndanë pikëpamjet se mbështetja e zhvillimit të sektorëve si prodhimi, peshkimi dhe turizmi, do të ndihmonte në rritjen e avantazheve konkurruese të Shqipërisë.