Konsultimi publik i projektligjeve dhe nismave të ndryshme ligjore ka përmirësuar vendimmarrjen dhe dialogun mes biznesit dhe institucioneve.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, në cilësinë e kryetares, mblodhi Këshillin e Investimeve, ku u diskutua mbi efektivitetin e procesit të konsultimit publik në funksion të përmirësimit të dialogut mes sektorit privat dhe qeverisë.
Në fjalën e saj, Ministrja Ibrahimaj theksoi faktin se konsultimi publik i reformave dhe nismave ligjore në zbatim të tyre është synim dhe në themel të qeverisjes.
“Ne kemi qëllim që të kryejmë reforma dhe të bëjmë një qeverisje sa më gjithëpërfshirëse, ku gjithë palët e interesit të jenë të përfshira në vendimmarrje pasi synimi ynë është që të hartojmë projektligje dhe nisma të ndryshme që janë në të mirë të zhvillimit ekonomik dhe të zhvillimit të vendit”, u shpreh Ibrahimaj.
Që prej vitit 2014 qeveria ka miratuar projektligjin për konsultimin publik dhe që prej ngritjes së platformës Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka hedhur për konsultim publik 52 nisma ligjore.
Ministrja Ibrahimaj tha se procesi i konsultimit publik është zhvilluar edhe përmes tryezave dhe diskutimeve me grupet e interesit, ku janë marrë edhe sugjerimet përkatëse.
Ministrja solli si shembull konsultimin publik të projektligjit “Për faturën dhe sistemin e qarkullimit”, Fiskalizimin, i cili u miratua në formën e tij përfundimtare pasi u morën në konsideratë shumë prej sugjerimeve të aktorëve të përfshirë në procesin e konsultimit.
Me qëllim përmirësimin e klimës së biznesit dhe investimeve në vend, Ministria e Financave dhe Ekonomis ka ndërmarrë iniciativën e konsultimit publik me sektorin privat dhe dhomat e tregtisë, mbi një sërë rekomandimesh që ata kanë adresuar pranë Këshillit të Investimeve dhe MFE.
“Kanë qenë 5 muaj intensivë takimesh ndërmjet dhomave të tregtisë dhe ekspertëve të MFE, dhe e përmend në këtë mbledhje pasi 8 nga rekomandimet e dhëna nga dhomat e tregtisë janë të lidhura me procesin e konsultimit publik. Një pjesë e rekomandimeve janë të zbatuara aktualisht, por kanë nevojë për vendimmarrje. Ndër to mund të përmend propozimin e dhomave të tregtisë për të bërë pjesë të konsultimit publik aktet nënligjore, të cilat shoqërojnë projektligje të rëndësishme dhe në disa raste në fakt japin edhe detaje të rëndësishme mbi zbatueshmërinë e ligjeve”.
Një prej rekomandimeve lidhet me zhvillimin e një konsultimi paraprak, përpara se nismat e ndryshme ligjore të hapen zyrtarisht për konsultimin publik.
Ibrahimaj deklaroi se kjo është një praktikë të cilën Ministria e Financave dhe Ekonomisë e ka ndërmarrë për disa projektligje të rëndësishme, në mënyrë që gjatë hartimit të draftit të merren sa më shumë parasysh mendimet e ekspertëve të fushës.
Në këtë aspekt, Ministrja përmendi nismën e fundit ligjore që MFE ka ndërmarrë mbi ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”.
Aktualisht drafti është në fazat e fundit të finalizimit, ku përfshihen edhe marrja e mendimeve në takime me ekspertë të ndryshëm të fushës, dhe së shpejti do të hidhet për konsultim publik.
Fjala e Ministres Ibrahimaj:
Përshëndetje të gjithëve,
Faleminderit që keni ardhur sot këtu, të diskutojmë bashkërisht për çështjen e konsultimit publik, e cila është e vetmja pikë e axhendës sot.
Unë kam parë me kujdes të gjithë prezantimin dhe gjetjet e studimit që Këshilli i Investimeve ka kryer.
Konsultimi publik është në bazë dhe në themel të hartimit të politikave tona.
Që nga viti 2014 ne kemi miratuar ligjin për konsultimin publik, i cili tashmë ka një zbatueshmëri të gjerë.
E megjithatë, konsultimi publik dhe portal i konsultimit publik është menduar si një instrument që do të sillte bashkë sektorin privat me politikë bërjen, duke na lejuar që të evidentojmë më mirë të gjithë problematikat e gjithë proceseve legjislative që ne iniciojmë, duke garantuar transparencë në procesin e hartimit të projektligjeve dhe duke i dhënë mundësi grupeve të interesit dhe publikut të gjerë të marrin pjesë në realizimin e reformave që qeveria ndërmerr.
Ky është pikërisht synim i kësaj qeverie. Viti 2022 nisi me një proces ku pjesë e konsultimit publik u bë pjesë i gjithë publiku i gjerë, nëpërmjet Këshillimit Kombëtar.
Është një politikë në themel të asaj që ne mendojmë dhe formës se si ne duam t’i marrim vendimet e rëndësishme, qoftë ato që prekin popullin e gjerë, qoftë ato që prekin bizneset dhe sektorin privat.
Megjithatë, unë do ta sjell disa shifra. Që nga viti 2017, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka hedhur në konsultim publik 52 projektligje dhe vetëm për 8 prej tyre ka pasur reagim nga bota private.
Për këto projektligje, ne sigurisht që nuk jemi mjaftuar duke bërë minimumin e mundshëm që kërkon ligji, hedhjen në portalin e konsultimit publik, por kemi realizuar edhe tryeza të rrumbullakëta apo takime, diskutime publike, me qëllim që të mund të kemi procese sa më gjithëpërfshirës.
Nga eksperienca ime kujtoj ligjin për faturën elektronike, Fiskalizimin, i cili jo vetëm u hodh për konsultim publik, por u konsultua gjerësisht me të gjithë grupet e interesit dhe mori formën e vet finale, me shumë ndryshime në krahasim me formën fillestare që u paraqit.
Pra, ne kemi konsultuar një sërë projektligjesh, por vetëm 8 nga 52 nga marë reagim nëpërmjet portalit dhe studimi i bërë nga KI dhe diskutimet këtu do të na ndihmojnë në mënyrë që këtë proces ta përsosim.
Nga ana tjetër, që nga fundi i vitit të kaluar, MFE ka ndërmarrë një iniciativë me qëllim analizimin dhe aty ku mendohet e nevojshme të marrim parasysh ndërmarrjen e nismave ligjore për rekomandimet që dhomat e ndryshme të tregtisë kanë dhënë për proceset të ndryshme që varen jo vetëm nga MFE, por nga e gjithë qeveria, që kanë të bëjnë me përmirësimin e klimës së biznesit dhe investimeve.
Shumë shpejt ne do të organizojmë një takim të dytë me këtë fokus, ku do të analizojmë edhe njëherë gjithë rekomandimet dhe do të paraqesim gjithë hapat që janë ndërmarrë.
Kanë qenë 5 muaj intensivë takimesh ndërmjet dhomave të tregtisë dhe ekspertëve të MFE, dhe e sjell sot këtë këtu pasi 8 nga rekomandimet e dhëna nga dhomat e tregtisë janë të lidhura me procesin e konsultimit publik.
Mendoj se këto do të jenë gjithashtu pjesë e bisedës sonë të sotme dhe të konsultimit tonë të sotëm.
Një pjesë e rekomandimeve janë të zbatuara aktualisht, por kanë nevojë për vendimmarrje dhe për rekomandime të tjera.
Ndër to mund të përmend propozimin e dhomave të tregtisë për të bërë pjesë të konsultimit publik aktet nënligjore, të cilat shoqërojnë projektligje të rëndësishme dhe në disa raste në fakt japin edhe detaje të rëndësishme mbi zbatueshmërinë e ligjeve.
Kemi diskutuar edhe herë të tjera me sektorin privat dhe përfaqësuesit e dhomave këtë argument dhe mendoj se është momenti i duhur për ta ri sjellë në vëmendje.
Gjithashtu, ka pasur propozime sa i përket procedurave paraprake që duhet të kryejnë institucionet propozuese të legjislacionit me qëllim që dhe para se të hidhet për konsultim publik formalisht projektligji apo nisma ligjore të ketë një lloj diskutimi paraprak.
Kjo është një praktikë që MFE e ka ndërmarrë për disa nga projektligje të rëndësishme, kryen një proces konsultimi paraprak me qëllim që të dalin me një draft që merr sa më shumë parasysh rekomandimet e ekspertëve të fushës.
Kjo është ajo që po bëjmë edhe me ligjin për tatimin mbi të ardhurat, për të cilin gjatë ditëve të fundit ka pasur shumë diskutime dhe ka qenë në qendër të vëmendjes së mediave dhe për të cilin do të hapim një proces të konsultimit publik janë e ardhshme, por është në fazat e finalizimit, ku pjesë e procesit të finalizimit janë edhe takimet me ekspertë të ndryshëm të fushës.
Ne kemi qëllim që të kryejmë reforma dhe të bëjmë një qeverisje sa më gjithëpërfshirëse, ku gjithë palët e interesit të jenë të përfshira në vendimmarrje pasi synimi ynë është që të hartojmë projektligje dhe nisma të ndryshme që janë në të mirë të zhvillimit ekonomik dhe të zhvillimit të vendit.
Faleminderit.