Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, doli sot në një komunikim me mediat, ku informoi lidhur me detajet e zbatimit të reformës së pagave në administratën publike.
Në fjalën e saj, Ministrja Ibrahimaj informoi se Këshilli i Ministrave miratoi në parim në mbledhjen e fundit 8 projektvendime që kanë si objekt zbatimin e kësaj reforme, pas miratimit të paketës ligjore nga Kuvendit në datën 25 Maj.
Me qëllim zbardhjen e plotë të vendimeve dhe zbatimin e tyre me korrektësi, Ministrja Ibrahimaj informoi se pagat e muajit për institucionet e administratës publike do të merren në nivelet që kanë qenë para miratimit të paketës ligjore nga Kuvendi. Ndërkohë, me zbardhjen e vendimeve, të gjitha institucionet do të instruktohen për dhënien e shtesave të pagave për muajt maj dhe prill, në bazë një udhëzimi që Ministria e Financave dhe Ekonomisë është duke hartuar.
“Me reformën që kemi miratuar dhe do të zbatohet sipas vendimeve të Këshillit të Ministrave, për çdo 2 lekë të ardhura që shteti arkëton në formën e tatimeve dhe taksave, 1 lek do të shkojë për transferta ndaj qytetarëve, në formën e pagave, në formën e pensioneve, apo në formën e transfertave të tjera si ndihma ekonomike apo pagesa për personat me aftësi të kufizuara. Jemi të bindur se kjo reformë ka ardhur në kohën e duhur, në kohën kur është më e nevojshme dhe kur zhvillimi ekonomik dhe zhvillimi i biznesit na e lejon një reformë të tillë”, u shpreh Ibrahimaj.
Ministrja Ibrahimaj shprehu bindjen se qeveria përmes reformës historike të pagave synon të përmirësojë jo vetëm hierarkinë e pagave të administratës publike, por kjo reformë do të ketë një ndikim të qenësishëm dhe në nivelin e pagave në biznesit privat.
Fjala e Ministres Ibrahimaj:
Përshëndetje të gjithëve.
Faleminderit që keni ardhur sot këtu.
Siç jeni në dijeni, të enjten e kaluar Kuvendi i Shqipërisë miratoi me shumicë votash një paketë ligjesh e cila i hapi rrugë një prej reformave më të të mëdha historike të ndërmarra në 10 vitet e fundit, atë të pagave në administratën publike. Gjatë gjithë kësaj periudhe, institucionet përgjegjëse kanë qenë në koordinim me njëra-tjetrën në mënyrë që zbatimi i politikës së pagave të vinte në një kohë sa më të menjëhershme.
Ne në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave kemi miratuar në parim 8 projektvendime, të cilat pa diskutim i hapin rrugë kësaj reforme historike për pagat dhe për të ardhurat që do të marrin gjithë punonjësit e administratës publike, por është një reformë e cila ndikon në mënyrë të qëndrueshme dhe gjithë politikën buxhetore dhe fiskale që ne implementojmë apo kemi implementuar më parë. Më fjalë të tjera, me reformën që kemi miratuar dhe do të zbatohet sipas vendimeve të Këshillit të Ministrave, për çdo 2 lekë të ardhura që shteti arkëton në formën e tatimeve dhe taksave, 1 lek do të shkojë për transferta ndaj qytetarëve, në formën e pagave, në formën e pensioneve, apo në formën e transfertave të tjera si ndihma ekonomike, pagesa e papunësisë apo pagesa për personat me aftësi të kufizuara.
Siç e përmenda edhe më sipër, ne miratuam 8 vendime të Këshillit të Ministrave të cilat kaluan në parim, por patën disa diskutime dhe kjo është dhe arsyeja pse gjatë zbardhjes së këtyre vendimeve do të marrin pak më shumë kohë. Duke qenë se janë mbi 200 institucione të administratës qendrore të cilat preken nga këto vendime, por janë edhe mbi 130 mijë të punësuar, duke bashkuar këtu dhe të punësuarit në shëndetësi, në arsim, në fushën e sigurisë, pagat e të cilëve u miratuan që në muajin prill, zbardhja e vendimeve dhe aplikimi i tyre merr një kohë më të gjatë. Kjo është dhe arsyeja pse për të qenë më koherent dhe për të shkaktuar sa më pak vonesa në marrjen e pagave, ne i kemi kërkuar të gjitha institucioneve buxhetore që të përgatisin dokumentacionin e nevojshëm me qëllim që pagat e muajit maj, në fazën e parë, të kalojnë siç ishin para se të hynte në fuqi reforma. Duke marrë në konsideratë këtu që disa prej institucioneve, në fakt titullarët e institucioneve që preken nga ligji që kaloi në Parlament, mund të aplikonin pagën e re, ne vendosëm që pagat në tërësi të kalojnë siç kanë qenë në muajin maj dhe ndërkohë me zbardhjen e vendimeve do të instruktojmë për dokumentacionin e nevojshëm, me qëllim që shtesat mbi pagë të aplikohen qoftë për muajin prill, qoftë për muajin maj. Një tjetër domosdoshmëri kjo pasi ne jemi kujdesur gjithashtu që tatimi mbi të ardhurat paguar për shtesat mbi pagë të muajve prill dhe maj të jetë tatimi i duhur dhe të mos ketë një tatim të shtuar duke marrë në konsideratë se do të merreshin dy shtesa. Të gjitha institucionet, me zbardhjen e vendimeve, do të instruktohen për dhënien e shtesave për muajt maj dhe prill, në bazë të listë pagesave të këtyre dy muajve, në bazë të një udhëzimi të Ministrit të Financave dhe Ekonomisë që po hartohet.
Ne si qeveri, nëpërmjet kësaj reforme synojmë të përmirësojmë jo vetëm të gjithë hierarkinë e pagave të administratës publike, por mendojmë që kjo do të ketë një ndikim të qenësishëm dhe në nivelin e pagave të gjithë biznesit privat. Jemi të bindur se kjo reformë ka ardhur në kohën e duhur, në kohën kur është më e nevojshme dhe kur zhvillimi ekonomik dhe zhvillimi i biznesit na e lejon një reformë të tillë.
Ne jemi të gatshëm dhe transparent për çdo pyetje që mund të keni në lidhje me zbatimet e vendimeve dhe në lidhje me implementimin e reformës jo vetëm në fazën e parë, e cila ka filluar që nga muaji prill, por edhe për fazën e dytë e cila pritej të vijojë gjatë vitit të ardhshëm.