Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, doli sot në një konferencë për shtyp, ku bëri një prezantim dhe analizë të treguesve kryesorë ekonomikë në vend.
Referuar të dhënave më të fundit të publikuar nga INSTAT, rritja ekonomike për tremujorin e parë të vitit 2023 rezultoi 2.72 %. Ministrja theksoi faktin se konsumi final i popullatës është rritur me 3.05 %, ndërsa formimi bruto i kapitalit fiks, si komponent që përafron investimet në vend, është rritur me 7 %, çka tregon një rritje të qëndrueshme të Prodhimit të Brendshëm Bruto si nga ana e ofertës, ashtu edhe nga ana kërkesës.
Ndonëse inflacioni pritet të ndikojë edhe këtë vit aktivitetin ekonomik të vendit, Ministrja Ibrahimaj tha se Shqipëria ka vijuar të ketë norma inflacioni të përmbajtura dhe në ngadalësim, ku inflacioni rezultoi 4.7 % në muajin maj dhe 5.8 % si mesatare e 5-mujorit 2023.
Duke folur për ecurinë e sektorëve kryesorë të ekonomisë, Ministrja u ndal në mënyrë të veçantë në atë të turizmit, ku qarkullimi në këtë sektor për 5-mujorin 2023 është rritur me 10.7%, të punësuarit me +11.5%, ndërsa numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në Shqipëri është rritur me 42.5 %. Këto tregues, tha Ibrahimaj, tregojnë se politikat për nxitjen e sektorit të turizmit kanë pasur efektin e duhur.
Për 5-mujorin të ardhurat arritën në nivelin 257.9 miliardë Lekë, duke u rritur me 10.5%. Ministrja theksoi se, “ecuria e të ardhurave gjatë gjithë vitit të kaluar, por edhe për këtë pjesë të parë të vitit, tregon reagimin që bizneset kanë pasur ndaj krizës dhe politikave kryesore të ndërmarra nga qeveria”.
Ministrja përmendi dhe analizoi edhe tregues të tjerë ekonomikë, si: rritja e shkallës së punësimit në 67.1 % dhe ulja e nivelit të papunësisë në 10.9 %; numri total të bizneseve prej 125,563 në maj 2023, ose 2188 biznese më shumë krahasuar me maj 2022; rritja e qarkullimit të sektorëve për janar-maj me 4.3 %, etj.
Sa i përket treguesve të borxhit publik, Ministrja tha se niveli i borxhit publik u ul në 63.27 % në fund të tremujorit të parë 2023, në përputhje me politikat e ndjekura nga MFE për konsolidim fiskal, reduktimit të borxhit dhe deficitit.
“Raportet ekonomike japin më së qarti pasqyrën e të gjithë politikave të ndërmarra deri më sot, të shpejtësisë së ndërmarrjes së tyre dhe reagimit të shpejtë që qeveria ka pasur ndaj dukurive kryesore ekonomike, por edhe reagimit të shpejtë që biznesi ka pasur gjatë këtij viti dhe vitit të kaluar, duke treguar një elasticitet, i cili është i admirueshëm”, tha Ibrahimaj, ndërsa shtoi se MFE pret që rritja ekonomike të vazhdojë, duke shkuar në nivelin e 3.7 % për vitin 2023.
Fjala e Ministres Ibrahimaj:
Përshëndetje të gjithëve. Faleminderit që keni ardhur në analizën e treguesve kryesorë ekonomikë, në vijim të publikimit të të dhënave të fundit të INSTAT për Prodhimin e Brendshëm Bruto, por edhe analizën e treguesve operativë të muajve maj dhe prill, të cilat i kemi në dispozicion.
Në bazë të të dhënave të fundit të INSTAT, rritja ekonomike në vend rezultoi 2.72% për tremujorin e parë të vitit 2023. Kjo rritje ishte në mesataren e vendeve të rajonit, pasi Shqipëria rezulton me një rritje prej 2.7 %, një rritje më e lartë se sa Maqedonia e Veriut dhe Serbia, ndërsa Kosova dhe Mali i Zi performuan në një nivel më të lartë. Në krahasim me vendet e Bashkimit Europian, rritja rezultoi ndjeshëm më e lartë pasi mesatarja e rritjes në këto vende ishte 1 %.
Përsa i përket metodës së prodhimit, pra Prodhimit të Brendshëm Bruto nga ana e ofertës, ne kemi pasur një rritje të shpërndarë më bazë të gjerë. Ky ishte një informacion që ne e kemi analizuar çdo muaj, kur kemi analizuar të dhënat e të ardhurave dhe të importeve, dhe të dhënat e të ardhurave të qarkullimit kanë reflektuar rritje në të gjithë sektorët e ekonomisë.
Bujqësia, pyjet dhe peshkimi rezultuan me rritje 0.04 %, të ndikuar pozitivisht nga aktiviteti i bujqësisë dhe blegtorisë, e më pozitivisht akoma nga aktiviteti i peshkimit, i cili u rrit me 11 % për tremujorin e parë.
Treguesit e prodhimit në sektorin e bujqësisë ndikohen qoftë nga prodhimi që shkon për konsum vendas, por edhe nga prodhimi për eksport. Eksportet bujqësore gjatë gjithë vitit 2022, si dhe në pjesën e parë të vitit 2023, kanë rezultuar me një rritje të ndjeshme në vlerë dhe në vëllim. Për tremujorin e parë 2023 ato rezultuan me rritje 7.6 % në vëllim dhe 16.8 % në verë. Të dhënat operative tregojnë se performanca pozitive e eksporteve të prodhimeve bujqësore ka vijuar edhe në dy mujorin prill-maj, ato janë rritur në vëllim me 15 % dhe në vlerë me 14 %. Në terma nominalë rritja ka qenë më e lartë se kaq dhe rritja në terma realë është ndikuar nga rritja me 11.1% e prodhimeve bujqësore, ku çmimet e prodhimit janë rritur kryesisht në vend, por edhe në eksport.
Përsa i përket degës së industrisë, ajo u rrit me 1.23%, ku kontributin kryesor pozitiv e dha dega e energjisë elektrike. Energjia elektrike ka dhënë një kontribut në rritje rreth 6 pikë përqindje ose është rritur me 38.6% në tremujorin e parë të vitit, e ndikuar nga kushtet e favorshme hidrike që kanë ndikuar prodhimin vendas. Unë dua t’ju kujtoj se gjatë tremujorit të parë të vitit të kaluar ne kemi pasur një reduktim të prodhimit vendas dhe furnizimi me energji elektrike ka qenë kryesisht i bazuar në importe. Kjo është dhe arsyeja pse do të shohim dhe më tej në analizë që kemi një efekt të madh pozitiv në rritjen e treguesve të të ardhurave nga TVSH sa i takon prodhimit vendas dhe reduktimit të TVSH sa i takon i eksporteve, pra të dhënave të doganave.
Nga ana tjetër, industria nxjerrëse ka dhënë një kontribut negativ dhe ecuria e saj është ndikuar kryesisht nga ecuria e çmimeve në lëndët e para të produkteve të kësaj industrie.
Sektori i ndërtimit ka vijuar të japë një kontribut pozitiv me 4.54% në tremujorin e parë të vitit dhe pritet të vazhdojë të ketë këtë ndikim dhe për pjesën e mbetur të vitit, nisur qoftë nga numri dhe nga vlera e lejeve të ndërtimit të dhëna gjatë vitit të kaluar përsa i përket investimeve private, por edhe sa i përket investimeve publike.
Dega e Tregtisë, Transportit, Akomodimit dhe Shërbimit ushqimor rezultoi me rritje 3.52 %, ku performancën më të lartë pozitive e ka pasur sektori i transportit tokësor dhe me tubacione. Sektori i transportit është ndikuar qoftë nga transporti i mallrave, por edhe nga transporti i udhëtarëve, duke pasur në të dy komponentët një ecuri pozitive.
Nga ana tjetër, kemi pasur ecuri pozitive dhe në nëndegën e akomodimit dhe shërbimit ushqimor”, e cila është rritur me 7.2% në tremujorin e parë të vitit dhe nëndega e tregtisë me shumicë dhe pakicë është rritur me 5.5%.
Sa i takon “Informacionit dhe komunikacionit”, rritja në këtë sektor ka rezultuar 6.29%, e ndikuar kryesisht nga aktiviteti në sektorin e teknologjisë së informacionit dhe shërbimeve të lidhura me të, duke reflektuar dhe politikat për nxitjen e këtij sektori që ka ndërmarrë ndër vite qeveria shqiptare. Kjo nëndegë u rrit me 19.56 % në tremujorin e parë.
Kontribut pozitiv gjithashtu ka pasur sektori i aktivitetit financiar dhe të sigurimit, i cili u rrit me 5.15% në tremujorin e parë të vitit, duke reflektuar një ecuri pozitive të sektorit financiar dhe gjithashtu të kreditimit në tremujorin e parë, kreditimin ndaj biznesit dhe konsumatorit.
Nga ana e shpenzimeve, pra nga këndvështrimi i kërkesës, gjithashtu Prodhimi i Brendshëm Bruto ka pasur një ndikim pozitiv në të gjithë komponentët e kërkesës. Kështu, konsumi final i popullatës ka vijuar të jetë me rritje në tremujorin e parë të viti duke shënuar rritje prej 3.05%, ndërsa formimi bruto i kapitalit fiks, pra komponenti që përafron investimet në vend është rritur me 7 %, duke treguar një rritje të qëndrueshme të Prodhimit të Brendshëm Bruto nga të dy këndvështrimet, qoftë nga ana e ofertës, qoftë nga ana e kërkesës.
Kryefjala e vitit të kaluar ka qenë inflacioni dhe me sa duket do të vazhdojë të jetë edhe gjatë këtij viti, pra inflacioni dhe ndikimi i tij në ekonominë shqiptare. Shqipëria ka vijuar të ketë norma inflacioni të përmbajtura dhe në ngadalësim. Në muajin maj inflacioni rezultoi 4.7 % ndërsa si mesatare e 5-mujorit inflacioni ishte 5.8 %.
Komponenti kryesor i rritjes dhe i ndikimit të inflacionit total, që gjatë vitit të kaluar por edhe gjatë këtij viti, ka qenë inflacioni i ushqimeve dhe pijeve, i cili ka peshën kryesore në shpenzimet e shportës së qytetarëve shqiptarë. Megjithatë ky inflacion ka vijuar të jetë ndjeshëm më i ulët se sa inflacioni i kësaj kategorie në vendet e rajonit dhe vendet e BE duke rezultuar në 11.5 % në nivel 5 mujor, ndërsa nëse e krahasojmë me vendet e BE ky inflacion ka rezultuar 17.5 %.
Turizmi
Do doja të ndalesha te të dhënat e turizmit. Siç thashë, aktiviteti i lidhur me turizmin, i akomodimit dhe shërbimit ushqimor ka pasur një rritje me 7.2 % në tremujorin e parë të vitit, ndërsa të dhënat operative sa i takon 5-mujorit tregojnë për ecuri mjaft pozitive të këtij sektori në vitin 2023, ndonëse vijmë nga viti 2022, i cili ka qenë një vit me performancën më të lartë historike të sektorit të turizmit dhe të statistikave të lidhura me të. Në 5-mujor, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në Shqipëri është rritur me 42.5 %, ose kemi pasur 2.4 milionë qytetarë të huaj të hyrë në vend, rreth 700 mijë më shumë se vitin e kaluar.
Kjo tregon se politikat tona për nxitjen e sektorit të turizmit kanë pasur efektin e duhur. Kjo tregon se numri i turistëve në Shqipëri është rritur jo vetëm në sezonin e pikut, pra në sezonin veror, por turizmi ka filluar të jetë i shpërndarë në të gjithë vitin.
Qarkullimi në sektorin e turizmit për 5-mujorin e vitit 2023 ka rezultuar në rritje me 10.7%, ndërsa të punësuarit në këtë sektor janë rritur me +11.5%. Në të njëjtën linjë janë edhe treguesit për normën e shfrytëzimit të shtretërve apo rritjen e netëve të qëndrimit në vend, që tregojnë për një rritje të qëndrueshme të këtij sektori. Ne presim që për tremujorin e dytë dhe për tremujorin e tretë turizmi dhe aktivitetet e lidhura direkt dhe indirekt me të të vijojnë të kenë një performancë pozitive. Kjo konfirmohet edhe nga të dhënat e Bilancit të Pagesave, ku të ardhurat e lidhura me sektorin e turizmit, të pasqyruara në Bilancin e Pagesave, janë rritur me 121 % në krahasim me vitin e kaluar ose kanë arritur ne nivelin e 189.5 milionë euro.
Sa i takon Investimeve të Huaja Direkte, ato kanë vijuar të kenë një trend rritës. Në tremujorin e parë të vitit investimet e huaja direkte janë rritur me 1.85%, duke arritur në nivelin e 308 milionë euro. Ato kanë qenë të shpërndarë në të gjithë sektorët e ekonomisë, megjithatë kontributin kryesor pozitiv në rritjen e IHD për T1 2023 e ka pasur nëndega e Aktiviteteve financiare të sigurimit dhe industria nxjerrëse, e cila edhe në stokun e investimeve të huaja direkte vijon të zërë zërin kryesore, ndonëse ka pasur ndër vite një rishpërndarje të sektorëve që janë më atraktive sa i përket tërheqjes së IHD-ve.
Remitancat kanë vijuar të rriten dhe për tremujorin e parë të vitit 2023. Ato janë rritur me 16% ose 29.5 milionë euro më shumë, duke arritur vlerën e 214 milionë euro.
Të gjithë elementët që përmenda në fund, duke iu referuar turizmit, duke iu referuar investimeve të huaja direkte, por edhe remitancave, lidhen me shqetësimin kryesor të kohëve të fundit që ka ardhur nga disa aktivitete të biznesit në vend, ecurinë e kursit të këmbimit.
Gjatë vitit 2023 ne kemi pasur një forcim të ndjeshëm të lekut kundrejt monedhave kryesore, partnerë tregtarë të vendit tonë, si Euros, dollarit, por edhe monedhave të tjera. Megjithatë, më e ndjeshme ka qenë ecuria dhe forcimi i lekut krahasuar me euron. Siç kemi shpjeguar edhe në dalje të tjera publike, forcimi i lekut ndaj euros vjen si pasojë e strukturës së ekonomisë dhe performancës së saj, sidomos në lidhje me sektorin e jashtëm, pra me eksportet, me forcimin e eksporteve të shërbimeve të lidhura me turizmin, por edhe me rritjen e investimeve të huaja direkte, të cilat kanë sjellë kapitale në valutë, që kanë ndikuar në forcimin e kursit të këmbimit.
Kjo dukuri vjen si pasojë dhe e regjimit të kursit të këmbimit që ne kemi, i cili në të gjithë periudhën e trevjeçarit të fundit ku ne kemi pasur goditje të njëpasnjëshme të ekonomisë, ka ndikuar pozitivisht në absorvimin e të gjitha goditjeve që ekonomia shqiptare ka pësuar, apo ajo globale ka pësuar. Një prej elementëve që e ka mbajtur dhe inflacionin në norma të kontrolluar, përveç politikave të ndjekura nga qeveria, ka qenë dhe kursi fleksibël i këmbimit, i cili ka lejuar që inflacioni i importuar, që përbën pjesën më të madhe të inflacionit vendas, të ketë një ndikim më të ulët nga ai që do të kishte nëse do të kishim një kurs këmbimi të fiksuar.
Sektori bankar gjatë 5-mujorit ka vijuar të performojë pozitivisht. Rritja e kredisë për konsumatorët ka vijuar të jetë pozitive dhe mbi mesataren afatgjatë. Në muajin maj ajo rezultoi 9.5%, ndërsa kredia për blerjen e banesave gjithashtu ka rezultuar në mesataren afatgjatë, në nivelin 10.2%.
Të ardhurat dhe shpenzimet
Fola pak më parë për të ardhurat dhe ndikimin që aktiviteti ekonomik ka pasur në ecurinë e tyre. Për 5-mujorin të ardhurat arritën në nivelin 257.9 miliardë Lekë, duke u rritur me 10.5% ndërsa shpenzimet, në krahasim me 5-mujorin e vitit 2022, janë rritur me 3.5 %.
Ecuria e të ardhurave gjatë gjithë vitit të kaluar, por edhe për këtë pjesë të parë të vitit, ka treguar reagimin që bizneset kanë pasur ndaj krizës dhe politikave kryesore të ndërmarra nga qeveria.
Nëse shohim përbërjen dhe rritjen e të ardhurave, do të shohim se të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale janë rritur ne 5 mujorin e parë të vitit me 25 %, ndërkohë që gjithashtu janë rritur kontributet me 15 %, duke treguar një ecuri pozitive të të gjithë politikave që qeveria ka ndërmarrë në lidhje me rritjen e pagave. Në fakt, gjatë muajve në vijim në presim që të kemi një kontribut më të lartë pozitiv qoftë të kontributeve, qoftë të tatimit mbi të ardhurat personale. Nëse do t’i referohemi të dhënave për tatimin mbi fitimin, ato janë në rritje me 41 % në krahasim me vitin e kaluar, ku sigurisht pjesë e 41 % janë edhe të ardhurat nga taksa e jashtëzakonshme, por nëse do të flasim në terma të vlerës, ne kemi pasur një rritje të të ardhurave nga tatimi mbi fitimin me 8 miliardë lekë, në krahasim me vitin 2022, ku rreth gjysma vjen si efekt i taksës së jashtëzakonshme, ndërsa gjysma tjetër si efekt i rritjes efektive të të ardhurave nga tatimi mbi fitimin. Rritja e fitimit të kompanive reflekton ecurinë pozitive që kompanitë kanë pasur gjatë vitit 2022, i cili patjetër ka qenë i ndikuar dhe nga çmimet e larta që kanë rezultuar gjatë vitit 2022, që kanë ndikuar dhe në format e fitimit të kompanive. Megjithatë, ne kemi vendosur që në këtë vit të iniciojmë një politikë të rritjes së pagave për administratën publike, e cila do të ndikojë dhe në pagat e sektorit privat dhe shëndeti i biznesit dhe reflektimi tij në normat e larta të fitimit ka treguar që ky është momenti i duhur për këtë bërë një reformë të tillë dhe për të rritur nivelin e pagave në të gjithë sektorët e ekonomisë e jo vetëm në sektorin publik.
Përsa i përket të ardhurave nga TVSH-ja, në nivel 5-mujor ato kanë rezultuar me rritje, ndonëse ndikimi kryesor ka ardhur nga të ardhurat nga TVSH-ja e brendshme, e cila është rritur me 18 %. TVSH-ja e brendshme pjesërisht reflekton ecurinë pozitive të konsumit e gjithashtu reflekton ecurinë pozitive të prodhimit, siç përmenda edhe më parë, të prodhimit në sektorin e energjisë elektrike. TVSH e mbledhur në dogana ka pasur një ecuri të ngadalësuar, e ndikuar qoftë nga efekti i kursit të këmbimit, i cili duke pasur një zhvlerësim të euros ka kontribut direkt në të ardhurat e doganave, por gjithashtu duke pasur një efekt të bazës së lartë të importit të energjisë elektrike gjatë vitit të kaluar.
Tregu i punës
Sa i përket treguesve kryesorë të tregut të punës, ai ka vijuar të performojë pozitivisht gjatë vitit 2023. Numri i të punësuarve për 3-mujorin e parë të vitit ishte 709, 203 të punësuar, ku 557,750 janë të punësuar në sektorin privat, ose sektori privat ka pasur një performancë pozitive gjatë këtij tremujorit duke shënuar 4 mijë të punësuar më shumë. Këto sigurisht janë të dhënat operative nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, por edhe të dhënat zyrtare nga INSTAT gjithashtu konfirmojnë trendin pozitiv të treguesve të tregut të punës gjatë tremujorit të parë. Kështu, shkalla e punësimit ka vijuar të rritet dhe ka arritur nivelin 67.1 %, ndërsa niveli i papunësisë ka shënuar 10.9 %, shifër kjo në rënie në krahasim me të njëjtin tremujor të një viti më parë.
Përsa i përket të dhënave të pagave, të dhënat e fundit që kemi të disponueshme janë të dhënat e tremujorit të parë, të cilat nuk reflektojnë as rritjen e pagës minimale dhe as politikën e re të pagave që qeveria ka ndërmarrë. Megjithatë, në tremujorin e parë paga mesatare në ekonomi u rriti me 9.2 % në krahasim me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar.
Borxhi publik
Doja të ndalesha te treguesit e borxhit publik. Ne kemi anonçuar që kur hartuam buxhetin e vitit 2023 që politika kryesore fiskale e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë do të ishte politika e konsolidimit fiskal, ku ne synojmë të reduktojmë borxhin publik dhe deficitin, si dhe treguesit kryesorë të qëndrueshmërisë fiskale, të cilët do të na lejojnë që në të ardhmen të kemi hapësirën e nevojshme që të përballojmë çdo lloj të papriture që mund të na vijë. Borxhi publik në fund të vitit 2022 rezultoi rreth 10 pikë përqindje më pak se fundi i vitit 2021 dhe tendenca rënëse ka vijuar dhe në tremujorin e parë të vitit. Në fund të tremujorit të parë të vitit borxhi shënoi nivelin 63.27%, ndërkohë që sa i përket disa treguesve të borxhit, yield-i mesatar i bonove të thesarit në ankandin e fundit të qeverisë rezultoi 3.09 %. Ky yield ishte më i ulëti që nga shtatori i vitit 2022, ku normat dhe interesat filluan të rriteshin në mënyrë të përshpejtuar.
Ju të gjithë e mbani mend që në nëntor të këtij viti, MFE, në bashkëpunim dhe me kryeministrin Rama, anonçoi çeljen e sporteleve të Bankës së Shqipërisë për investime në bono thesari, të cilat synonin të nxisnin investimet e individëve në titujt e qeverisë, investime këto me një risk minimal dhe të cilat do të ndikonin në rritjen e kërkesës për instrumentet e qeverisë. Synimi ynë kryesor ishte, nga njëra anë të rriteshin të ardhurat nga investimet të qytetarëve shqiptarë e nga ana tjetër të rritej kërkesa për investime, duke ndikuar në ngadalësimin e normave të interesit. Pikërisht kjo është pasqyruar dhe ka ndodhur. Ne besojmë se politika që kemi ndjekur sa i përket emetimit të borxhit, në lek dhe në euro, është politika e duhur dhe ulja e normave të interesit për instrumentet në lek presim që të nxisë kërkesën për kreditim, qoftë kërkesën konsumatorë, ashtu edhe atë për investime. Kjo, në bashkëpunim me politikën e rritjes së pagave, ku të ardhurat e disponueshme të pjesës më të madhe të familjeve shqiptare do të jenë në rritje, besojmë se do të japin efektin e duhur në mbajtjen e një kërkese për kreditim në nivelet e duhura, që nga ana tjetër do të sjellë një impuls të shtuar në ekonominë e vendit në vijim. Gjithashtu, nxitja e kërkesës për titujt e qeverisë është reflektuar në kërkesën e përgjithshme të brendshme, e cila gjatë gjithë vitit 2023 ka qenë rreth 1.8 herë më e lartë se sa oferta që ne kemi pasur për tituj në tregun vendas, ndërkohë që për vitin 2022 kjo mesatare ka qenë 1.1 herë.
Aktiviteti i bizneseve
Ecuria pozitive e biznesit tregohet edhe në shifrat e aktivitetit të bizneseve, ku numri total i bizneseve për majin e vitit 2023 është 125,563 ose 2188 biznese më shumë krahasuar me maj 2022.
Qarkullimi i sektorëve për periudhën janar-maj ka vijuar të jetë në rritje, e shpërndarë në pjesën më të madhe të sektorëve kryesorë. Për këtë periudhë qarkullimi është rritur me 4.3 %, ku kontributin kryesor dhe rritjen më të madhe e ka patur sektori i shërbimeve me 15% dhe sektori i ndërtimit me një rritje prej 14 %.
Tregtia e jashtme
Në fund dua të ndalem te tregtia e jashtme dhe treguesit e importeve dhe eksporteve. Në nivel 5 mujor, importet e mallrave në vlerë kanë qëndruar thuajse në të njëjtin nivel, janë reduktuar me vetëm 0.3 % dhe kjo ka qenë kryesisht pasojë e reduktimit të çmimeve, rënies së normave të inflacionit, por edhe efekteve të kursit të këmbimit. Megjithatë, kontributin kryesor në këtë rezultat e kanë pasur lëndët djegëse dhe mineralet, që vazhdojnë të kenë një ecuri të ngadalësuar. Nga ana tjetër, në vëllim, importet e mallrave janë rritur me 9.4 %.
Sa i përket eksporteve, në vlerë kanë rënë me 5.2 %, të ndikuara gjithashtu nga mineralet dhe lëndët djegëse, si dhe nga materialet e ndërtimit dhe metalet, ndërkohë që në vëllim kanë qëndruar po në të njëjtin nivel të vitit të kaluar, duke pasur një reduktim të ulët me 0.4 %. Megjithatë, sektorët kryesorë që lidhen me prodhimin vendas, “ushqimi, pijet duhani”, siç argumentuam edhe më parë, të cilat përmbajnë dhe eksportet bujqësore dhe eksportet e prodhimit agroindustrial, kanë rezultuar me rritje, në vlerë dhe në vëllim, duke treguar një aktivitet të shtuar të ekonomisë në atë sektor.
Në përmbyllje, doja të theksoja që raportet ekonomike japin më së qarti pasqyrën e të gjithë politikave të ndërmarra deri më sot, e jo vetëm të politikave të ndërmarra, por edhe të shpejtësisë së ndërmarrjes së tyre, reagimit të shpejtë që qeveria ka pasur ndaj dukurive kryesore ekonomike, por edhe reagimit të shpejtë që biznesi ka pasur gjatë këtij viti dhe vitit të kaluar, duke treguar një elasticitet, i cili është i admirueshëm. Ne presim që rritja ekonomike në vazhdojë, duke u nisur nga treguesit kryesorë të muajve të fundit që u parashtruan sot. Ne presim që rritja ekonomike për vitin 2023 të shkojë në nivelin 3.7 %.
Faleminderit.