Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, prezantoi në seancë plenare projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin Nr. 9665, datë 18.12.2006 “Për Huamarrjen Shtetërore, Borxhin Shtetëror dhe Garancitë Shtetërore të Huasë në Republikën e Shqipërisë”, përmes të cilit synohet të mundësohet veprimi me shpejtësi dhe elasticitet në tregje, pa pengesa proceduriale, në mënyrë që të garantohen interesa dhe kosto më të ulëta huamarrjeje.
Në fjalën e saj, Ministrja Ibrahimaj theksoi se në themel të këtij projektligji qëndron përmirësimi i procesit të menaxhimit, monitorimit dhe trajtimit operacional nga Qeveria të Garancive Shtetërore.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka në fokus të punës së saj konsolidimin e mëtejshëm fiskal dhe ruajtjen e parametrave kryesorë të ekonomisë, qasje kjo e konfirmuar me menaxhimin e situatave emergjente në vitet e fundit.
Ministrja informoi se borxhi total publik në vitin 2023 targetohet në ulje, me të paktën 1 pikë përqindje prej nivelit të pritshëm të këtij viti, në përputhje të plotë me rregullin përkatës fiskal në ligjin organik të buxhetit, sipas të cilit në çdo buxhet vjetor apo afatmesëm, niveli i borxhit publik ndaj PBB-së duhet të targetohet gjithmonë më i ulët se një vit më parë.
“Borxhi total publik në vitin 2023 pritet të zbresë në nivelin 67.5% të PBB-së, nga rreth 68.8% i pritshmi për vitin 2022, apo nga rreth 73.2% i rezultuar për vitin 2021. Angazhimi ynë do të vijojë drejt reduktimit të borxhit në vend, në përputhje me ligjin organik të buxhetit dhe rregullin përkatës fiskal, sipas parashikimit për të pasur një balancë primare pozitive në vitin 2024”, u shpreh Ibrahimaj, ndërsa theksoi se politikat e qeverisë do të vijojnë të synojnë reduktimin e nivelit të borxhit, në linjë me rritjen ekonomike.
Fjala e plotë e Ministres Ibrahimaj:
E nderuar Kryetare,
Të nderuar deputet,
Të nderuar qytetarë,
Projektligji që ju paraqesim: “Për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin Nr. 9665, datë 18.12.2006 “Për Huamarrjen Shtetërore, Borxhin Shtetëror dhe Garancitë Shtetërore të Huasë në Republikën e Shqipërisë” synon të bëj të mundur të veprohet më me shpejtësi dhe elasticitet në tregje, pa pengesa proceduriale, në mënyrë që të garantohen interesa dhe kosto më të ulëta huamarrjeje.
Përpara sesa të ndalem tek trajtimi më i detajuar i projektligjit, më lejoni të bëj një paraqitje të shkurtër të situatës së huamarrjes, në dobi të informimit dhe transparencës.
Borxhi publik, për periudhën janar- shtator ishte në nivelin prej 67.7% ndaj PBB. E shprehur në terma nominal, ky borxh është në vlerën prej 1,386 miliardë lekë, ku përfshihet Borxhi i Qeverisjes Qendrore dhe Garancitë Shtetërore. Ne parashikojmë që për viti 2022 të mbyllet me një nivel borxhi nën 69% ndaj PBB.
Nga pikëpamja e cilësisë së portofolit të borxhit, mund të themi që ndër vite është punuar shumë në drejtim të pasjes së një portofoli me risqe sa më të reduktuara, sidomos përmirësime të ndjeshme në treguesit e rifinancimit dhe ato të riskut të interesit në borxhin e brendshëm.
Nga këndvështrimi i riskut të normës së interesit, është mundësuar përmirësim i ndjeshëm i treguesve ndër vite. Pesha gjithnjë e në rritje e borxhit me norma fikse interesi na mundëson që sot të jemi më pak të ndikueshëm nga rritja e normave që po ndodh në kushtet aktuale të tregjeve financiare, si në tregun e brendshëm, ashtu edhe në tregjet ndërkombëtare të kapitalit.
Sa i takon Kostos Mesatare e Borxhit të Brendshëm, është reduktuar nga 5.3% në vitin 2015 në 3.5% në fundin e vitit 2021, ndërsa ajo e borxhit të jashtëm është ulur nga 2.4% në vitin 2015 në 1.9% në 2021.
Aktualisht jemi në një vit të vështirë ku normat si në tregun e brendshëm, edhe në financat ndërkombëtare kanë pësuar dhe vijojnë të kenë rritje të qenësishme.
Në një situatë si kjo e rritjes së kostos së borxhit, financimet e institucioneve financiare ndërkombëtare të cilët na mundësojnë kredi me terma të favorshme, janë të leverdishme për ne, dhe të rëndësishme për të vijuar me tërësinë e investimeve të planifikuar nga qeveria që do të mundësojnë zhvillim të qëndrueshëm.
Ndaj projektet prioritare të investimit do vijojnë të financohen nga institucionet ndërkombëtare të zhvillimit, si Banka Botërore, KfW dhe Qeveria Gjermane, Bankat Europiane të Zhvillimit si BEI dhe BERZH, e shumë partnerë të tjerë zhvillimi, në vend që për financimin e tyre tu drejtohemi tregjeve të kapitalit.
Tregjeve ndërkombëtare do t’u drejtohemi sipas nevojës dhe kur kushtet të paraqiten të favorshme, duke siguruar prezencën e vazhdueshme në këto tregje me instrumente të emetuara nga vendi ynë.
Dhe tani më lejoni t’i rikthehem asaj çka synojmë përmes sjelljes së këtij projektligji ku në themel qëndron përmirësimi i procesit të menaxhimit, monitorimit dhe trajtimit operacional nga Qeveria të Garancive Shtetërore.
Në kushtet e diktuara nga pandemia Covid-19, Qeveria Shqiptare ndërmori disa masa të menjëhershme që kishin si synim, jo vetëm mbështetjen financiare të biznesit apo edhe individëve, por edhe garantimin e likuiditetit të nevojshëm për rimëkëmbjen e aktiviteteve tregtare dhe ruajtjen e vendeve të punës, përmes garancisë shtetërore të huas me bankat tregtare. Ky instrument është përdorur gjerësisht edhe nga vende të tjera për të mbështetur bizneset e prekura.
Përmes Garancisë Sovrane 1 dhe 2, qeveria akordoi një fond total prej 24.14 Miliardë lekë. Garancitë u arritën të përthitheshin kryesisht nga bizneset që operonin në sektorët e ekonomisë, si: tregtia, prodhimi, turizmi, ndërtimi, media, shërbimet, industria nxjerrëse, transporti, shërbimet spitalore etj..çka tregoi se kishim marrë veprimet e duhura dhe se këto instrumente po ndihmonin në arritjen e objektivave që kishim vendosur edhe pse problematikat nuk ishin të vogla.
Por, ekonomia shqiptare sërish u përball me një tjetër sfidë, këtë herë të shkaktuar nga konflikti Rusi- Ukrainë, sërisht paqartësitë ishin të mëdha dhe sërisht biznesi kishte nevojë për ndërhyrjen tonë.
Në Qershor 2022 u emetua skema e 3-të e Garancisë Sovrane, këtë herë për t’i ardhur në ndihmë subjekteve që tregtonin produkte ushqimore bazë me shumicë, në mënyrë që ato të kishin likuiditetin e nevojshëm për të siguruar mbajtjen e rezervave, sipas Aktit Normativ të miratuar për këtë qëllim, për të paktën një periudhë 3 mujore.
Përdorimi i këtyre instrumente bën të mundur ofrimin e një sigurie më të madhe financiare në një kohë ku paqartësitë ekonomike janë të larta dhe shteti duhet të marrë rolin e vet si garantues i zhvillimit ekonomik.
Më lejoni t’ju bëj me dije se përdorimi i këtyrë skemave ka arritur masën prej rreth 57%:
- skema e parë është disbursuar në masën prej 48%
- skema e dytë në masën prej 73%
- dhe skema e tretë në masën prej 12%.
Me gjithë angazhimin e plotë dhe profesional të strukturave të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, zbatimi i këtyre skemave u shoqërua dhe me vështrësi, që lidhen kryesisht me administrimin e aspekteve teknike, si :
- verifikimi i rasteve të thirjes së garancisë;
- rikuperimi i të drejtave që i lindin MFE pas çdo pagese në kuadër të garancive të lëshuara.
Garancia shtetërore është një instrument i përdorur nga gjithë vendet, edhe nga vendi ynë prej një periudhe prej mbi 15 vitesh, dhe nuk rezulton të jetë një instrument problematik por përkundrazi një instrument i dobishëm i cili u ka mundësuar deri tani disa ndërmarrjeve shtetërore të sigurojnë financime me terma të favorshme, dhe së fundmi u ka shërbyer edhe sektorit privat duke zgjeruar aksesin në financa të ndërmarrjeve të prekura nga situata të jashtëzakonshme me të cilat jemi përballur së fundmi.
Skemat e Garancive Sovrane për sektorin privat janë një instrument i përdorur në më shumë se gjysmën e shteteve në botë dhe masa e përdorimit të tyre, sipas një vlerësimi Bankës Botërore, është gjithnjë e në rritje.
Ndaj zhvillimi i mëtejshëm i tyre kërkon një qasje të re, kërkon krijimin e një sërë kapaciteteve shtesë për të bërë të mundur funksionimin e plotë të tyre dhe shlyerjen e plotë të detyrimeve që rrjedhin prej tyre. Deri tani nuk ka patur ende pagesa të kryera nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë në lidhje me këto skema, por për të mundësuar një ndjekje sa më rigoroze të tyre, nevojitet krijimi i një infrastrukture efektive që do të mundësojë ndjekjen e rekuperimit të vlerës së detyrimit/principalit që do të lind pas pagesës së Garancisë.
Në këto kushte u pa e nevojshme që trajtimi i tyre t’i kalohet një strukture, nën varësinë e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, e cila ka të gjithë ekspertizën e nevojshme për të bërë të mundur trajtimin e plotë të rasteve, më konkretisht, Agjencisë së Trajtimit të Kredive (ATK). Kam bindjen e plotë se puna që do të kryejë Agjencia e Trajtimit të Kredive, në dobi të së cilës ne kemi ndërmarrë edhe rishikimin e ligjit që rregullon funksionimin e saj, do të jetë profesionale dhe në respekt të kuadrit rregullativ.
Një ndryshim ligjor i rëndësishëm që synohet gjithashtu lidhet me kalimin te ATK-ja të funksionit të rikuperimit të të drejtave të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, referuar edhe garancive shtetërore apo marrëveshjeve të nënhuave nga të cilat përfitojnë subjekte publike apo ndërmarrje shtetërore, siç janë operatorët e energjisë, ujësjellësat etj., pra duke mundësuar rekuperimin e të drejtave edhe përtej skemave të veçanta të garancive, duke qenë se ATK-ja gëzon ekspertizën e nevojshme për ta bërë këtë.
Duke përfshirë Agjencinë e Trajtimit të Kredive vlerësojmë se një infrastrukturë procedurash dhe hapash ligjorë do të sillte një përmirësim të ndjeshëm të situatës. Çështja nuk konsiston në transferimin e përgjegjësisë e cila i mbetet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, por ngritjen e mekanizmave ligjorë të cilat do të rrisin përgjegjshmërinë e institucioneve në trajtimin e këtyre detyrimeve.
Të nderuar deputetë,
Më lejoni të sjell në vëmenden tuaj një tjetër çështje të rëndësishme që trajton projektligji që sjellim sot për diskutim, atë të thjeshtimit të mëtejshëm të procedurës së huamarrjes në tregjet ndërkombëtare, duke na lejuar të kemi një rrjet më të gjerë për huamarrjen dhe një shpërndarje rreziku më të gjerë në treg.
Më konkretisht, në ligj janë bërë edhe disa ndërhyrje në drejtim të përmirësimit të tij në funksion të veprimtarisë së huamarrjes shtetërore dhe të menaxhimit të borxhit shtetëror. Në nenin 26 të ligjit propozohet shtimi i një dispozite:
“Në marrëveshjet që do të lidhen nga ministri përgjegjës për financat për realizimin e huamarrjes në tregjet ndërkombëtare, lejohen parashikimet për heqjen dorë nga imuniteti. Mbajtësit jorezidentë të instrumenteve të borxhit të marrë në tregjet ndërkombëtare, qofshin persona fizikë jorezidentë në Shqipëri apo entitete jorezidente pa një seli të përhershme në Shqipëri, përfshirë menaxherët bashkëdrejtues, përjashtohen nga tatimi mbi të ardhurat në Shqipëri, për të gjitha transaksionet dhe veprimtaritë që lidhen me emetimin, mbajtjen, ruajtjen e tregtimin e instrumenteve të borxhit, si dhe nga ndonjë tatim indirekt apo taksë tjetër e aplikueshme në Republikën e Shqipërisë.”.
Kjo dispozitë do të mundësojë thjeshtimin e mëtejshëm të procedurës së huamarrjes në tregjet ndërkombëtare, në kushtet ku ky proces kërkon reagim me shpejtësi për të përfituar nga mundësitë që mund të ofrojnë tregjet financiare në momente të caktuara, duke konsideruar që këto tregje paraqiten me zhvillime shumë dinamike. I referohem këtu kryesisht reagimeve më të fundit të tregjeve financiare ndërkombëtare, nga ndikimi i luftës në Ukrainë.
Parashikimi i mësipërm në Ligjin e Borxhit do bëjë të mundur efikasitetin e shpejtë duke kapërcyer miratimin nga parlamenti, rast pas rasti, të këtyre përjashtimeve apo heqjen dorë nga imuniteti sa herë që vendit i duhet të aksesojë tregjet ndërkombëtare për financim. Çështja konsiston në mënyrën e miratimit të këtyre përjashtimeve, që në rastet e mëparshme janë bërë me ligj të veçantë sa herë kemi proceduar me daljen me Eurobond, dhe tashmë synohet që miratimi i parlamentit të sigurohet nëpërmjet një ligji të vetëm, që është konkretisht, ligji që rregullon borxhin shtetëror.
Heqja dorë nga imuniteti i sovranit në këto transaksione, nuk është asgjë më shumë se sa trajtimi në kushte të barabarta para gjykatës me subjektin privat nëse vendi nuk përmbush detyrimet përballë këtij të fundit. Pra heqja dorë nga imuniteti dhe përjashtimet nga taksat nuk janë çështje që kërkohen të miratohen për here të parë nga Kuvendi.
Ato janë miratuar në çdo dalje me Eurobond që nga viti 2010 apo edhe në transaksione të tjera huamarrjeje në këto tregje që janë mundësuar edhe më parë sesa të dilnim me Eurobond.
Nëpërmjet asistencës së institucioneve me të cilat kemi patur bashkëpunim në emetimin e Eurobondeve të mëparshme, kemi parë që vende të tjera që emetojnë rregullisht në tregjet ndërkombëtare, kanë një procedurë të thjeshtuar si kjo e cila synohet të arrihet edhe nga ana jonë, e cila do t’i mundësojë vendit tonë, sikundër shtetet e tjera, një fleksibilitet veprimi në këto tregje dhe përfitimi nga momentet më të favorshme që këto tregje mund të paraqesin.
Të nderuar deputetë,
Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka në fokus të punës së saj konsolidimin e mëtejshëm fiskal dhe ruajtjen e parametrave kryesorë të ekonomisë dhe kjo qasje është konfirmuar me menaxhimin e situatave emergjente me të cilat na është dashur të përballemi vitet e fundit.
Borxhi total publik në vitin 2023 targetohet në ulje, me të paktën 1 pikë përqindje prej nivelit të pritshëm të këtij viti. Kjo është në përputhje tw plotw me rregullin përkatës fiskal që kemi në ligjin organik të buxhetit, i cili sanksionon, që në çdo buxhet vjetor apo afatmesëm, niveli i borxhit publik ndaj PBB-së duhet të targetohet gjithmonë më i ulët se një vit më parë.
Boxhi total publik në vitin 2023 pritet të zbresë në nivelin 67.5% të PBB-së, nga rreth 68.8% i pritshmi për vitin 2022, apo nga rreth 73.2% i rezultuar për vitin 2021.
Angazhimi ynë do të vijojë drejt reduktimit të borxhit në vend, në përputhje me ligjin organik të buxhetit dhe rregullin përkatës fiskal, sipas parashikimit për të pasur një balancë primare pozitive në vitin 2024.
Politikat tona do të vijojnë të synojnë reduktimin e nivelit të borxhit, në linjë me rritjen ekonomike.
Ju faleminderit për vëmendjen dhe ju ftoj ta votoni këtë projektligj.