Ministrja Ibrahimaj: Nga 1 korriku nis programi “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, 250 milionë euro financim për bizneset

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, njoftoi pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave se më 1 korrik nis zbatimi i programit “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, një instrument financiar i krijuar për të mbështetur zhvillimin dhe zgjerimin e sipërmarrjes shqiptare.

Programi mbështetet nga një fond prej 250 milionë eurosh i vënë në dispozicion nga Banka e Shqipërisë, ndërsa qeveria ka shtuar një garanci sovrane që mbulon deri në 70% të kolateralit për bizneset që aplikojnë. Skema synon të lehtësojë aksesin në financim për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, duke mundësuar kredi me norma interesi nga 2% deri në 3%, sipas nivelit të riskut.

Sipas ministres Ibrahimaj, programi do të mbështesë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në sektorët kryesorë të ekonomisë, duke financuar investime që rrisin produktivitetin, mundësojnë certifikimin e produkteve dhe shërbimeve, nxisin eksportet dhe forcojnë aksesin e bizneseve shqiptare në tregjet evropiane. Për të garantuar informimin e sipërmarrjes mbi mundësitë që ofron skema, do të zhvillohet edhe një fushatë komunikimi në të gjithë vendin.

Gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave u miratua gjithashtu rishikimi i Strategjisë Kombëtare të Punësimit, me fokus zgjerimin e Garancisë Rinore, një instrument që synon të krijojë më shumë mundësi punësimi, aftësimi profesional dhe vetëpunësimi për të rinjtë.

Po ashtu, u miratua programi “Hospitality Albania”, i cili do të menaxhohet nga Korporata Shqiptare e Investimeve dhe parashikon rikualifikimin dhe shfrytëzimin më efikas të vilave qeveritare në Vlorë dhe Velipojë në bashkëpunim me sektorin privat. Sipas ministres Ibrahimaj, bashkëpunimi do të kufizohet në menaxhimin e aseteve shtetërore, ndërsa pronësia e tyre do të mbetet në çdo rast shtetërore.