Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, prezantoi në seancë plenare projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin Nr. 9975, datë 28.7.2008 “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar.
Në fjalën e saj, Ministrja Ibrahimaj u shpreh se kjo nismë e qeverisë shqiptare ka si synim mbrojtjen e prodhimit vendas, ruajtjen e sigurisë ushqimore dhe mbështetjen e eksportuesve për t’ju drejtuar tregjeve ndërkombëtare me çmime sa më konkurruese, pasi projektligji parashikon të heqë taksën për produktin hirrë qumështi dhe taksën për krem qumështi për eksportuesit dhe për prodhuesit vendas.
“Për ne, si qeveri, synimi është të lehtësojmë barrën fiskale për këto dy produkte për importuesit që i përdorin për prodhimin kryesisht të produkteve të tjera për eksport, të kësaj natyre, për t’i mbështetur dhe nxitur këta prodhues” u shpreh Ibrahimaj.
Ministrja Ibrahimaj risolli në vëmendje faktin se kur qeveria propozoi vendosjen e taksës për qumështin pluhur dhe nën produktet e tij, si pijet e homogjenizuara, në paketën fiskale të vitit 2022, e cila u miratua në fund të vitit 2021, kishte si synim mbrojtjen e prodhimit vendas dhe rritjen e sigurisë ushqimore, për shkak se në atë kohë ishte vërejtur një rritje e sasisë së qumështit pluhur të importuar.
Megjithatë, pas zbatimit të ligjit, pati shqetësime të ndryshme nga grupe të ndryshme interesi se me taksimin e produktit të hirrës së qumështit prekej prodhimi vendas, duke rritur kostot dhe ulur konkurrueshmërinë e produkteve shqiptare, duke qenë se hirra e qumështit përdoret edhe në prodhimin e produkteve si biskota, çokollata apo kroasantë, një pjesë e të cilave shkojnë për eksport.
Ministrja theksoi faktin se projektligji i paraqitur në Parlament për miratim është ndërmarrë pas diskutimeve të vazhdueshme me grupet e interesit, me komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe Ministrinë e Bujqësisë.
“Nga diskutimet e projektligjit të propozuar u morën dhe parasysh dhe ankesat e prodhuesve vendas, që përveç eksportuesve të shtoheshin edhe prodhuesit vendas të qumështit dhe nënprodukteve të qumështit”, tha Ministrja.
Pas prezantimit nga Ministrja dhe diskutimeve nga deputetët, projektligji u miratua nga Parlamenti.
Fjala e Ministres Ibrahimaj:
E nderuar Kryetare,
Të nderuar deputetë,
Të nderuar qytetarë,
Vij sot para jush për të prezantuar projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 9975, datë 28.7.2008, “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar”, të cilin po e paraqesim sot përpara, si një nismë e qeverisë shqiptare për të mbrojtur prodhimit vendas, për ruajtjen e sigurisë ushqimore si dhe në mbështetje të eksportuesve tanë për t’iu drejtuar tregjeve ndërkombëtare me çmime sa më konkurruese.
Kjo nismë e ka zanafillën me paketën fiskale të hartuar në vitin 2021 dhe i përkiste vitit 2022, kur ne vendosëm të ndryshonim kuadrin ligjor duke vendosur një taksë ekstra për qumështin pluhur dhe nën produktet e tij, si pijet e homogjenizuara, pasi në atë periudhë ishte konstatuar një rritje e importit të qumështit pluhur në treg, e cila u konsiderua shqetësuese si nga ana jonë ashtu edha nga biznesi. Qëllimi i kësaj politike ishte vendosja e një takse me qëllim rritjen e prodhimit vendas dhe shtimin e sigurisë ushqimore dhe unë dua të theksoj se kjo politikë i dha efektet e saj pasi pas zbatimit të ligjit u vu re ulja e sasisë së importit të qumështit pluhur, ndërsa të ardhurat u rritën.
Megjithatë, me zbatimi e këtij ligji, patëm disa shqetësime të ndryshme nga palë të ndryshme interesi që na argumentuan se hirra nuk përdorej për qumësht, por përdorej për disa procese teknologjike dhe vendosja e kësaj takse ndikonte në prodhimin vendas, si ai biskotave, çokollatave etj, pjesë e të cilave shkonin dhe për eksport.
Në gjithë takimet që kemi pasur me grupet e interesit dhe me Shoqatën e Prodhuesve jemi njohur me shqetësimet e tyre që kryesisht kishte të bënin me rritjen e kostove të produkteve për kompanitë eksportuese deri 5%, të cilat për prodhimin e produkteve të tyre përdorin si lëndë të parë hirrën e qumështit. Kjo rritje e kostove ka bërë që produktet shqiptare të mos jenë më konkurruese, kryesisht në tregjet ndërkombëtare dhe si rrjedhim u pa e arsyeshme të propozohej heqja e taksës së importit dhe prodhimit për produktin hirrë qumështi dhe taksës për krem qumështi.
Ligji parashikonte gjithashtu edhe përjashtimin nga pagimi i taksës për qumështin pluhur, taksës për hirrë qumështi dhe taksës për krem qumështi, për fabrikat e prodhimit dhe përpunimit të qumështit dhe nënprodukteve të tij, të cilat në etiketën e miratuar nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit kanë të evidentuar sasinë në përqindje të këtyre produkteve që janë trupëzuar në produktin përfundimtar.
Arsyetimi mbi të cilën u mbështet një vit më parë Këshilli i Ministrave për propozimin dhe miratimin e vendosjes së këtyre taksave ishte që të nxisnim në mënyrë me efektive prodhimin vendas të qumështit dhe nënprodukteve të tij.
Vendosja e taksave për hirrën e qumështit pluhur dhe qumështin e homogjenizuar pluhur/krem qumështi i njohur ndryshe si krem “Barista”, u kundërshtua nga grupet e interesit dhe për këtë arsye qeveria shqiptare, nëpërmjet institucioneve përgjegjëse analizoi efektet e derivuara nga aplikimi i taksave për hirrën e qumështit dhe atë të kremit të qumështit, si dhe ato të efekteve negative të pretenduara nga prodhuesit e linjave të prodhimit të produkteve për eksportit.
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave referon se gjatë vitit 2021 janë importuar 589.265 kg pije të homogjenizuara ku përfshihet dhe kremi i qumështit pluhur, si dhe 432.962 kg Hirrë. Të njëjtat produkte në vitin 2022, pas vendosjes së taksave rezultojnë të jenë importuar gati në gjysmën e sasisë së tyre, pra 262.807 kg pije e homogjenizuar/krem qumështi pluhur dhe 357.199 kg hirrë qumështi pluhur.
Për ne, si qeveri, synimi është të lehtësojmë barrën fiskale për këto dy produkte për importuesit që i përdorin për prodhimin kryesisht të produkteve të tjera për eksport, të kësaj natyre, për t’i mbështetur dhe nxitur këta prodhues.
Për të përmirësuar politikat tona kemi bashkëpunuar intensivisht me grupet e interesit dhe komisionin parlamentar të Ekonomisë, me Ministrinë e Bujqësisë, ashtu siç ka ndodhur edhe me projektligjin që po ju paraqesim.
Vlen të theksojmë se nga këto diskutime të këtij projektligji të propozuar, u morën dhe parasysh dhe ankesat e prodhuesve vendas, që përveç eksportuesve të shtoheshin edhe prodhuesit vendas të qumështit dhe nënprodukteve të qumështit.
Projektligji qe kemi sot për miratim parashikon pra të heqë taksën për produktin hirrë qumështi dhe taksën për krem qumështi, për eksportuesit, si dhe për prodhuesit vendas, ata të cilët e përdorin atë për eksport, por edhe për tregun vendas.
Faleminderit.