Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, prezantoi sot në komisionin parlamentar për Ekonominë dhe Financat, projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 22/2018 “Për strehimin social””.
Në fjalën e saj, Ministrja Ibrahimaj u shpreh se këto ndryshime ligjore janë hartuar bazuar në konkluzionet e analizës së zbatimit të ligjit, ku janë evidentuar disa problematika, synojnë zgjerimin e përfituesve dhe reflektimin e prioriteteve fushën e strehimit të programit qeverisës 2021-2025 në fushën e strehimit.
Projektligji fokusohet në katër çështje kryesore:
1.Mbështetjen e të rinjve dhe familjeve të reja dhe profesionistëve në administratën publike;
2.Digitalizimin e sistemit të strehimit;
3.Përfshirjen e kundërvajtjeve administrative;
4.Përmirësime të procedurave, ndryshime dhe disa rregullime në tekst.
Përmes këtij projektligji synohet t’i jepet zgjidhje një prej sfidave të kohës, atë të largimit të shtresës së mesme dhe përkeqësimit të situatës së tyre ekonomike, duke krijuar mbështetje për familjet e reja, të rinjtë dhe punonjës të administratës publike, të cilët kanë shpenzuar kohë e kapital për t’u shkolluar dhe që kontribuojnë në ekonominë e vendit.
Ministrja Ibrahimaj theksoi faktin se, krahas masave që qeveria po ndërmerr për rritjen e pagave, programi qeverisës synon të adresojë nevojën e familjeve të reja për strehim dhe krijimin e më shumë mundësive dhe siguri për të rinjtë në krijimin e familjes dhe ndërtimin e të ardhmes në vendin e tyre. Në këtë drejtim, ndryshimet propozojnë riformulimin e kategorisë “çift i ri” në “familje të reja”, pasi shpesh herë është keqinterpretuar se çifti i ri nuk përfshin fëmijët, si edhe ndryshimin e kufirit moshor, duke qenë se familjet e reja po krijohen gjithnjë e më shumë në një moshë më të madhe se më parë.
Po ashtu, projektligji parashikon dixhitalizimin e sistemit të strehimit, në përputhje me programin qeverisës për modernizimin e shërbimeve dhe infrastrukturës dixhitale, si një instrument për të luftuar korrupsionin dhe rritur cilësinë e shërbimeve ndaj publikut. Në këtë mënyrë, për qytetarët do të bëhet më i thjesht procesi i aplikimit për strehim dhe procedura e përzgjedhjes më transparente.
Sa i përket përfshirjes së kundërvajtjeve administrative, Ministrja Ibrahimaj u shpreh se ato nuk ishin parashikuar më parë në ligj dhe do të kontribuojnë në rritjen e përgjegjshmërisë në zbatimin korrekt të parashikimeve ligjore. Këto ndërhyrje, tha Ibrahimaj, garantojnë bashkëpunim më të mirë mes qeverisjes vendore dhe qendrore, monitorimin nga qeverisja qendrore të zbatimit të programeve të strehimit social, si dhe zbatimin e sanksioneve administrative për mosrespektimin e dispozitave të ligjit, si masa që synojnë forcimin e zbatimit të tij, dhe llogaridhënie për zbatimin e programeve të strehimit social në njësitë e vetëqeverisjes vendore.
Lidhur me përmirësimin dhe qartësimin e procedurave, Ministrja Ibrahimaj tha se ndryshimet ligjore të propozuara parashikojnë procedura më të lehtësuara, të cilat do të rrisin eficiencën dhe efektivitetin e zbatimit të programeve sociale të strehimit.
Gjatë fjalës së saj, Ministrja Ibrahimaj theksoi faktin se fondet në dispozicion të programeve të strehimit janë shumëfishuar nga viti 2024 deri në vitin 2020, ku janë shpërndarë rreth 3.3 miliard lekë për strehimin e 12,750 familjeve, nga të cilat mbi 8 mijë familje të komuniteteve të varfra dhe të pafavorizuara. Ndërkohë që, gjatë mandatit të tretë, përfshi edhe vitin 2023, janë shpërndarë rreth 2 miliard lekë dhe janë planifikuar të shpërndahen 2.4 miliard lekë të tjera deri në vitin 2025, për strehimin e rreth 13,900 familjeve.
Fjala e Ministres Ibrahimaj:
Ministria e Financave dhe Ekonomisë sot paraqet në këtë Komision projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 22/2018 “Për strehimin social””. Këto ndryshime vijnë si rrjedhojë e konkluzioneve të analizës së zbatimit të ligjit, e cila evidentoi disa mangësi, apo problematika procedurale. Gjithashtu, analiza e kontekstit social-ekonomik nxori në pah nevojën për zgjerimin e përfituesve edhe me kategorinë e të punësuarve në administratën publike, të rinjtë dhe familjet e reja (edhe pse kjo e fundit ka qenë në ligj, por nevojitet riformulimi). Së fundi, por jo nga rëndësia, Programi Qeverisës 2021-2025 kërkon reflektimin në ligj të prioriteteve që lidhen me fushën e strehimit si edhe lënien e hapësirës ligjore për reflektimin e tyre përmes programeve 4-vjeçare.
Në mënyrë të përmbledhur, prezantimi sot do të përqendrohet në 4 çështje, si vijon:
- Mbështetjen e të rinjve dhe familjeve të reja dhe profesionistëve në administratën publike;
- Digitalizimin e sistemit të strehimit;
- Përfshirjen e kundravajtjeve administrative;
- Përmirësime të procedurave, ndryshime dhe disa rregullime në tekst.
- Mbështetje e të rinjve, familjeve të reja dhe punonjësve të administratës publike
Së pari do të ndalem tek zgjidhja që po i japim njërës prej sfidave të kohës, jo vetëm në vendin tonë, por edhe në vendet e BE – atë të largimit të shtresës së mesme dhe përkeqësimit të situatës së tyre ekonomike, duke krijuar mbështetje për familjet e reja, të rinjtë dhe punonjës të administratës publike, të cilët kanë shpenzuar kohë e kapital për t’u shkolluar dhe për të kontribuar në ekonominë e vendit.
Ndër ndryshimet ligjore, në mbështetje të shtresës së mesme të shoqërisë, përmend shtimin e një kapitulli të ri që adreson mbështetjen me kredi të lehtësuara për strehimin e punësuarve të administratës publike, Programi i kreditimit të lehtësuar që është nga programet më të kërkuara nga qytetarët. Në vitin 2013 ky program u pezullua për shkak të mbartjes së një borxhi prej 300 milion lekë ndaj bankës me të cilën zbatohej ky program. Në vitin 2019 e rihapëm përsëri programin duke parë edhe rënien e normave të interesit. Nga viti 2020 kanë përfituar nga ky program 1,150 familje dhe janë në proces edhe 1,500 familje të tjera.
- Digitalizimi i sistemit të strehimit
Digitalizimi i plotë i sistemeve dhe proceseve tashmë është një nga prioritetet e programit të qeverisë. Programi Politik parashikon se modernizimi i shërbimeve dhe i infrastrukturës digitale përbën një instrument të patjetërsueshëm dhe të pazëvendësueshëm për të luftuar korrupsionin dhe për të rritur në mënyrë të shpejtë cilësinë e shërbimeve ndaj publikut. Aktualisht janë 1207 shërbime ose rreth 95% e të gjitha shërbimeve publike që ofrohen online. Digjitalizimi i sistemit të strehimit mbart disa avantazhe si për qytetarët ashtu edhe për administratën vendore e qëndrore.
Lidhur për sa më sipër, ligji ka nevojë për disa ndërhyrje, të cilat mundësojnë:
- nxjerrjen e një akti nën ligjor që do të përcaktojë procedurën e paraqitjes së kërkesës online dhe rolet e përdoruesve, si edhe procedurën e miratimit, duke e bërë të gjithë procesin edhe më transparent;
- ngritjen online të data-bazës së strehimit për Republikën e Shqipërisë.
- Përfshirjen e kundravajtjeve administrative
Masat administrative që janë parashikuar në ligj nuk ekzistonin më parë dhe kemi bindjen që do të kontribuojnë në rritjen e përgjegjshmërisë në zbatimin korrekt të parashikimeve ligjore. Masat administrative i referohen strukturave zbatuese të parashikimeve ligjore, të cilat janë në nivelin e vetëqeverisjes vendore.
Këto ndërhyrje garantojnë bashkëpunim më të mirë mes qeverisjes vendore dhe qendrore, monitorimin nga qeverisja qendrore të zbatimit të programeve të strehimit social, si dhe zbatimin e sanksioneve administrative për mosrespektimin e dispozitave të ligjit, si masa që synojnë forcimin e zbatimit të tij, dhe llogaridhënie për zbatimin e programeve të strehimit social në njësitë e vetëqeverisjes vendore.
- Përmirësim i procedurave, qartësim për zbatimin korrekt të kuadrit ligjor
Ndryshimet ligjore të propozuara parashikojnë procedura më të lehtësuara që, pa dyshim, do të rrisin eficiencën dhe efektivitetin e zbatimit të programeve sociale të strehimit.
Unë do të ndalem te disa ndërhyrje që mbështesin shtresat më në nevojë dhe që vijnë në kuadër të kërkesave të ngritura nga individë, familje apo dhe përfaqësues të shoqatave. Konkretisht, bëhet fjalë për:
- lehtësimin e procedurës për aplikim për strehim për ata që nuk kanë akses ose njohuri në përdorimin e teknologjisë e informacionit, shërbim të cilin e marrin pranë zyrave me një ndalesë pranë njësive të vetëqeverisjes vendore ku kanë vendbanimin ose vendqëndrimin, të dedikuar për këtë qëllim;
- sigurimin e dokumentacionit online nga njësia e vetëqeverisjes vendore për personat me aftësi të kufizuara apo dhe familjeve pa të ardhura;
- lidhjen e kontratës jo detyrimisht përpara noterit, por në prani të punonjësit të NJVV-së;
- rregullim i procedurave në rastet e emergjencës, për të shmangur afatet që kërkohen për shqyrtimin dhe miratimin e përfituesve;
- zgjatja e afatit pa limit kohor për kategorinë e minoritetit Rom për diskriminim pozitiv në trajtimin me strehim.
- Zbatimin e drejtë dhe të unifikuar të nenit 19 të ligjit ekzistues që i përket krijimit të fondit publik, duke lënë hapësirë për nxjerrjen e një akti nënligjor për të përcaktuar një procedurë të detajuar dhe mënyrën e raportimit (ka pasur interpretime të ndryshme mbi mënyrën e llogaritjes dhe nëse me termin “fond strehimi që përmendet në titull parashikohet edhe fondi monetar).
- Mundësia e përdorimit të grantit konkurrues për të stimuluar pronarin social kur vlera e investimit nuk është më shumë se 30% e kostos së ndërtimit të një objekti të ri dhe jo më shumë se 1 milionë lekë. Eksperienca të ngjashme janë duke u zbatuar edhe në vende të tjera të Europës Lindore, si Çekia dhe Hungaria.
- Qartësimin e mënyrës së llogaritjes së qirasë për banesat sociale në funksion të subjektit dhe formës që sigurohet banesa. Kjo krijon mundësi që edhe subjekte private të kenë interes për të hyrë në biznesin social të banesave sociale me qira, por njëkohësisht përcakton edhe një kufi për nivelin e qirasë në treg që mund të subvencionohet nga bashkia dhe/ose buxheti i shtetit
BURIMET E FINANCIMIT
Nga viti 2014 deri më 2020 fondet në dispozicion të programeve të strehimit janë shumëfishuar dhe, konkretisht: janë shpërndarë 3.3 miliard lekë për strehimin e 12,750 familjeve, nga të cilat mbi 8 mijë familje të komuniteteve të varfëra dhe të pafavorizuara. Gjatë mandatit të tretë, përfshi edhe vitin 2023, janë shpërndarë rreth 2 miliard lekë dhe janë planifikuar të shpërndahen 2.4 miliard lekë të tjera deri në vitin 2025, për strehimin e rreth 13,900 familjeve.
Çdo kategori shtesë është parashikuar në projektligj, pra kategoria e familjeve të reja, do të kenë fonde shtesë dhe nuk do të prekin fondet që historikisht kanë qenë të dedikuara për familjet në nevojë.
Është e rëndësishme gjithashtu të sqaroj se për punonjësit e administratës publike ligji synon të unifikojë procedurat dhe formën e trajtimit për disa kategori që e kanë fituar të drejtën me ligjet e tyre specifike. Njëkohësisht, përforcon monitorimin dhe përqendrimin e informacionit për të gjithë përfituesit e kësaj kategorie.
Ligji hapet për të gjithë punonjësit e administratës, por përparësi do të kenë kategori të veçanta që do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, ndërsa numri i përfituesve do të rakordohet me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, bazuar në buxhetin vjetor që do të alokohet.
Sfidat tona të përcaktuara në këto ndryshime ligjore për të shtuar numrin e përfituesve nga program i kreditimit të lehtësuar me nga 2,000 përfitues çdo vit në tre vitet e para i kushtojnë buxhetit të shtetit rreth 228 milionë lekë në vitin e parë, 434 milionë lekë për vitin e dytë dhe 584 milionë lekë në vitin e tretë për gjithsej 6,000 familje. Megjithatë, siç është paraqitur edhe në Raportin e vlerësimit të ndikimit (RIA) të ndryshimeve ligjore, programi i subvencionimit të interesave të kredive vë në qarkullim tregun e banesave duke ndikuar pozitivisht në buxhet me të ardhurat nga tatimi mbi fitimin.
Së fundmi
Sjell në vëmendjen tuaj propozimin e bërë nga komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, për përfshirjen e kategorisë së mjekëve që kanë dhënë jetën në krye të detyrës gjatë pandemisë Covid 19, si përfitues të grantit të menjëhershëm në rastet kur përfitojnë kredi të lehtësuara. Ne shprehim dakordësinë e MFE dhe propozojmë përfshirjen e kësaj dispozite në nenin 46, pika 1, si dhe shkronja shtesë d, me këtë formulim: Familjet të punonjësit mjekësor publik që kanë humbur jetën gjatë ushtrimit të detyrës si pasojë e pandemisë Covid 19.
Këto janë në mënyrë të përmbledhur aspektet kryesore të ndryshimeve të ligjit “Për strehimin social”. Gjithsesi, Ministria e Financave dhe Ekonomisë është në dispozicionin për t’iu përgjigjur çdo lloj pyetjeje dhe paqartësie që mund të keni për këtë projektligj, si dhe mirëpresim gjithë kontributet tuaja gjatë diskutimeve në komision.
Faleminderit!