Ministrja Ibrahimaj prezanton projektbuxhetin 2023 në komisionin e Ekonomisë dhe Financave - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Ministrja Ibrahimaj prezanton projektbuxhetin 2023 në komisionin e Ekonomisë dhe Financave

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, prezantoi projektbuxhetin e vitit 2023 në komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, i cili është dhe komisioni përgjegjës për shqyrtimin e ligjit financiar më të rëndësishëm të shtetit.

Në fjalën e saj, Ministrja theksoi se projektbuxheti 2023 ka dy objektiva kryesorë, atë të zbutjes së ndikimit të krizës globale në shoqërinë tonë, duke mbështetur veçanërisht shtresat më në nevojë dhe duke mbajtur të pandryshuar çmimin e energjisë elektrike, si dhe objektivin për vijimin e konsolidimit fiskal të financave publike.

Sipas Ministres Ibrahimaj, ruajtja dhe forcimi i mëtejshëm i kredibilitetit të financave publike është thelbësore për ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të vendit.

“Pa pasur dhe pa siguruar kredibilitetin e financave publike dhe stabilitetin makroekonomik të vendit në vijimësi, nuk mund të kemi dot as rritje ekonomike relativisht të lartë e të qëndrueshme, dhe as zhvillim të qëndrueshëm të vendit. Objektivi i konsolidimit  fiskal, i materializuar në këtë projekt buxhet, është në më të mirën e interesit të përgjithshëm publik dhe në më të mirën e interesave të vendit, si në afatshkurtër, në afatmesëm dhe afatgjatë”, u shpreh Ibrahimaj, ndërsa shtoi se objektivi operacional i politikës fiskale për vitin 2023 është arritja e një balance primare të paktën zero ose pozitive.

Fjala e Ministres Ibrahimaj:

E nderuar drejtuese e komisionit,

të nderuar deputetë

Sot vijmë para jush për të prezantuar projektligjin më të rëndësishëm të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe me keqardhje shoh që ky proces, i cili do të na shoqërojë gjatë gjithë muajit të ardhshëm fillon me të tilla debate.

Projektligji i buxhetit të vitit 2023 që po fillon të shqyrtohet sot nga komisioni parlamentar për Ekonominë dhe Financën, materializon dy objektiva kryesorë:

–        Objektivi i parë themelor dhe më i rëndësishëm është zbutja sa më shumë të jetë e mundur, brenda hapësirës fiskale të krijuar, të ndikimit të krizës së fundit globale në shoqërinë tonë, duke mbështetur veçanërisht shtresat më në nevojë të shoqërisë dhe duke ruajtur kryefjalën e luftës ndaj kësaj krize që ka qenë energjia elektrike dhe mos ndryshimi i çmimit të energjisë elektrike.

Objektivi i dytë themelor i këtij buxheti është vijimi i qartë i konsolidimit fiskal të financave publike.

–        Sigurisht, krahas këtyre dy objektivave themelorë të politikës fiskale, buxheti i vitit që vjen materializon edhe një sërë politikash buxhetore dhe projektesh investimi, të cilat unë do t’i përmend shkurtimisht më poshtë gjatë fjalës dhe të cilat besoj se do diskutohen më në detaje në komisionet e ndryshme të Kuvendit.

Përpara se të vijoj më tej, do doja të komentoja fare shkurt mbi rëndësinë e objektivit të konsolidimit  fiskal, rëndësi e cila nuk është lehtësisht e prekshme nga të gjithë.

Ruajtja dhe forcimi i mëtejshëm i kredibilitetit të financave publike në perceptimin e tërësisë së aktorëve ekonomikë, pra në “perceptimin e tregut”, është fondamentale për ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të vendit.

Kjo vlen në tërësi gjatë gjithë kohës, por bëhet akoma më thelbësore në këtë kontekst të ri makroekonomik global të krijuar prej goditjes në ofertën globale, krejt i ndryshëm nga ai i goditjes prej pandemisë, ku një ndër elementët më kritikë në këtë kontekst të ri makroekonomik është pasiguria e lartë që rrethon perspektivën e kushteve financiare globale në të ardhmen e afërt dhe të mesme.

Pa pasur dhe pa siguruar kredibilitetin e financave publike dhe stabilitetin makroekonomik të vendit në vijimësi, nuk mund të kemi dot as rritje ekonomike relativisht të lartë e të qëndrueshme,  dhe as zhvillim të qëndrueshëm të vendit.

Jam e bindur që një pjesë e mirë deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, patjetër përfshirë anëtarët e nderuar të këtij Komisioni, e kuptojnë qartësisht rëndësinë e kësaj që po them.

Pra, shprehem me bindje të plotë si Ministër i Financave dhe në emër të qeverisë, që ky objektiv i konsolidimit  fiskal, i materializuar në këtë projekt buxhet, është në më të mirën e interesit të përgjithshëm publik dhe në më të mirën e interesave të vendit, si në afatshkurtër, në afatmesëm dhe afatgjatë.

Më konkretisht, objektivi operacional i politikës fiskale për vitin 2023 është arritja e një balance primare të paktën zero ose pozitive. Ky objektiv operacional siguron në pothuajse çdo skenar të mundshëm makro-fiskal vijimësinë e reduktimit të borxhit publik ndaj Produktit të Brendshëm Bruto.

Më lejoni të ndaj me ju reagimet që kam marrë nga një sërë takimesh që kemi pasur gjatë javëve të fundit me investitorë më të rëndësishëm financiarë (investitorë në Eurobondet tona), me institucionet dhe organizatat financiare ndërkombëtare referencë, me agjencitë e ratingut, me banka të huaja të mëdha, e me të tjerë aktorë ekonomikë.

Targetimi dhe arritja e një niveli të paktën jo-negativ i balancës primare që prej vitit 2023, pra në linjë me rregullin fiskal origjinal që në mënyrë të duhur u përfshi në ligjin organik të buxhetit në vitin 2020, në kulmin e krizës së pandemisë, apo një vit në avancë me atë çfarë përcakton rregulli fiskal në fuqi, perceptohet si një ankorë dhe sinjal shumë i fortë që Shqipëria transmeton për kredibilitetin e financave publike dhe stabilitetin makroekonomik të vendit. Si i tillë, ai zbut dhe kundra-peshon në mënyrë të qenësishme balancën e risqeve negative për vitin që vjen dhe për afatin e mesëm, risqe të lidhura kryesisht me kontekstin e ri makroekonomik të krijuar nga kriza e ofertës globale që po kalojmë, por jo vetëm.

Më lejoni tani të bëj një përmbledhje të zhvillimeve më të fundit makroekonomike dhe situatës makro-fiskale deri më tani, si dhe perspektivës ose parashikimeve që ne kemi për vitin tjetër, mbi të cilat është bazuar ushtrimi i programimit buxhetor për këtë projekt-buxhet që po shqyrtohet.

Goditja globale nga kahu i ofertës për furnizimin me energji dhe mallra të tjerë bazë, shkaktuar nga fillimi i luftës në Rusi-Ukrainë, sigurisht që ka pasur dhe do të vazhdojë të ketë ndikim negativ edhe në ekonominë tonë.

Megjithatë, deri më tani, ekonomia e ka përballuar relativisht mirë edhe këtë goditje, veçanërisht duke e parë atë në kontekstin e problemeve, që po kalon pjesa dërrmuese e ekonomive në botë.

Rritja ekonomike në gjysmën e parë të vitit 2022 ishte relativisht e fortë ose 4.2%, e gjeneruar kryesisht nga kërkesa e brendshme, si konsumi dhe investimet, si dhe kërkesa e huaj neto. Nga pikëpamja e ofertës agregate, rritja gjatë gjysmës së parë ka qenë me bazë të gjerë, ku pothuajse të gjithë sektorët kryesorë të ofertës kanë performuar me rritje pozitive.

Papunësia gjatë gjysmës së parë të vitit ra më tej në 11.3%, ndërkohë që punësimi u rrit me rreth 4.3% nga viti në vit.

Lidhur me zhvillimet në pozicionin e jashtëm, gjatë gjysmës së parë të këtij viti (2022) deficiti i llogarisë korente u ngushtua me rreth 10% nga viti në vit, si pasojë e rritjes së fortë të eksporteve të mallrave dhe shërbimeve, si dhe të remitancave. Gjithashtu, kemi pasur rritje rreth 35% në flukset hyrëse të IHD-ve.

Për sa i përket rritjes ekonomike të pritshme për vitin 2022, ne kemi rishikuar disi për lart projeksionin tonë në 3.7%, nga 3.2% që parashikonim në fillim të luftës. Në të njëjtin parashikim konkludoi edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar në fund të misionit të tij para rreth dy javësh.

Për sa i përket rritjes ekonomike për vitin e ardhshëm, në skenarin tonë bazë, mbi të cilin bazohet ky projekt-buxhet, ne parashikojmë një rritje reale prej 2.6%. Parashikojmë se kjo rritje do të gjenerohet kryesisht nga kërkesa e brendshme, konsumi dhe investimet, por në një masë marxhinale pritet të kontribuojë pozitivisht edhe kërkesa e huaj neto, e mbështetur kryesisht nga rritja e eksporteve të mallrave dhe shërbimeve. Ndërkohë parashikimi më i fundit i FMN për vitin tjetër është në 2.2% rritje.

Më specifikisht, nga  optika e kërkesës agregate,  rritja reale ekonomike për vitin tjetër parashikohet të gjenerohet nga një rritje reale e konsumit final prej 1.3%; rritje reale e investimeve me rreth 4.5%; dhe rritje reale e eksporteve neto me rreth 3.6%.

Ndërsa nga pikëpamje e ofertës agregate, parashikohet që rritja reale e PBB për 2023 të jetë e shtrirë në një bazë të gjerë, ku pritet një rritje në kahun pozitiv në të gjithë sektorët kryesorë të ofertës (bujqësi, industri, ndërtim dhe shërbime), ku sektori i shërbimeve pritet të jetë gjeneruesi kryesor i rritjes ekonomike me një kontribut prej rreth 1.3 pikë përqindje, pra rreth gjysmën e rritjes ekonomike të parashikuar për vitin që vjen.

Projeksionet tona mbi PBB-në nominale, i cili është variabli më kyç makroekonomik në të gjithë ushtrimin e programimit buxhetor dhe besueshmërinë e tij, janë përqasur  me ato të raportit të “Perspektivës Ekonomike Globale (Ëorld Economic Outlook) të FMN të Tetorit 2022”,  të publikuara disa ditë më parë.

Natyrisht, çështja kryesore makroekonomike gjatë kësaj periudhe edhe për ekonominë tonë, si pothuajse kudo tjetër, ka qenë inflacioni i lartë i shkaktuar kryesisht nga goditja në ofertën globale të disa mallrave bazë. Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se inflacioni në ekonominë tonë, krahasuar me vendet e tjera të rajonit, apo me mesataren e BE-së, ka qenë dukshëm më i ulët.

Ne si Ministri e Financave dhe Ekonomisë besojmë, se gjasat më të larta janë që inflacioni të ulet ndjeshëm gjatë vitit të ardhshëm, veçanërisht nëse një pjesë e Evropës do të hyjë në recension, qoftë ky teknik apo i plotë. Në skenarin tonë bazë, parashikojmë një normë mesatare inflacioni prej 3.6% për vitin e ardhshëm, me një tendencë rënëse gjatë vitit dhe duke arritur në rreth 3% në fund të 2023.

Për sa i përket zhvillimeve të financave publike, situata deri më tani është plotësisht nën kontroll dhe ne mbetemi mjaft vigjilentë për ta monitoruar atë në vazhdimësi dhe për të parashikuar probleme të ndryshme që mund të dalin dhe për të përgatitur skenarë alternativë përshtatjeje përpara se ato të ndodhin.

Në vlerësimet tona të fundit, sipas skenarit tonë bazë, presim që deficiti i përgjithshëm fiskal për të gjithë vitin 2022 të jetë edhe më i ulët se kufiri ligjor i rishikuar, ndoshta në rreth 3.3 – 3.5 % të PBB-së.

Ne presim që borxhi publik të bjerë nën nivelin prej 69% të PBB-së deri në fund të këtij viti nga 73.2% që ishte një vit më parë, duke vazhduar kështu qartësisht trajektoren rënëse të rifilluar që nga viti i kaluar.

Ndërkohë për vitin që vjen, pritet që borxhi publik total të vijojë të bjerë me të paktën 1 pikë përqindje nga niveli që do rezultojë në fund të 2022, pra sërish në përputhje të plotë me rregullin fiskal të frenimit të borxhit që kemi në ligjin organik të buxhetit.

Në të njëjtën kohë, investimet publike për vitin 2023 parashikohen të jenë rreth 5.5% e PBB-së, ndërkohë që deficiti i përgjithshëm fiskal për vitin që vjen targetohet në 2.6% të PBB-së. Pra, që do të thotë një balancë korrente fiskale pozitive prej rreth 2.9% e PBB-së.

Bazuar mbi këto parashikime makroekonomike dhe objektivin e palëkundur të uljes së borxhit publik, të ardhurat totale buxhetore për vitin 2023 parashikohen të arrijnë 631.7 miliardë lekë ose rreth 29% e PBB-së nga 28,2% në vitin 2022. Në rritje parashikohen të jenë edhe shpenzimet buxhetore, me një vlerë prej 687.2 miliardë lekë, me një rritje në vlerë absolute me 26.5 miliardë lekë, krahasuar me planin e rishikuar të vitit 2022.

Buxheti i vitit 2023 mbështetet edhe nga Paketa Fiskale, e cila do miratohet sot në Këshillin e Ministrave dhe do të vihet në dispozicion të Kuvendit brenda ditës së sotme në mënyrë që të vijojmë me prezantimin e saj.

Paketa Fiskale përmban disa masa si ndryshime dhe miratimi i ligjit të ri të Tatimit mbi të Ardhurat.

Projektligji i ri që prezantohet, ka synuar përmirësimin e sistemit të taksimit të  individëve dhe entiteteve ligjore në Shqipëri, forcimin e  parimit të neutralitetit në sistemin tatimor shqiptar, përafrimin gradual të sistemit të tatimit të të ardhurave në Shqipëri me parimet e Direktivave të BE-së në lidhje me tatimin e të ardhurave dhe kapitalit, adresimin e mangësive dhe boshllëqeve legjislative të konstatuara gjatë periudhës 22 vjeçare të aplikimit të ligjit ekzistues, duke synuar funksionimin e një sistemi tatimi më të drejtë dhe stimulues, më të ndershëm dhe të gjithëpranuar

 

Në kuadrin e këtij ligji kemi ndryshimet dhe efektet e mëposhtme:

Rritja e kufirit të patatueshëm të pagës nga 40 mijë lekë në 50 mijë lekë, i cili pavarësisht se do reduktojë të ardhurat në buxhet për rreth 1 deri 1,2 miliardë në vit, por nga ana tjetër do rrisë të ardhurat e punëmarrësve me paga deri në 50 mijë lekë në muaj, me rreth 1 miliard lekë, çka do të thotë më shumë konsum. Nga kjo masë përfitojnë mbi 70 mijë punëmarrës, të cilët janë në grupin e pagave nga 40 në 50 mijë lekë në muaj.

Futja në skemën e taksimit të të ardhurave personale të furnizuesve të shërbimeve si profesione të lira, vlerësohet të kontribuojë në buxhetin e shtetit me mbi 2 miliardë lekë në vit. Janë mbi 14 mijë profesione të regjistruara me statusin e personit fizik, të cilat do të jenë subjekt i tatimit, duke ndikuar në këtë mënyrë: (i)  në dekurajimin e fenomenit të kalimit nga listëpagesa me statusin e të punësuarit dhe me barrë fiskale progresive 13 % dhe 23 %, tek personi fizik i vetëpunësuar   me barrë fiskale 0 %, si dhe në (ii) eliminimin e praktikave të transferimit brenda vendit të fitimit nga personat juridikë subjekt i tatimit mbi fitimin 15 % tek personat fizikë të vetëpunësuar me shkallë tatimore 0 %, nëpërmjet faturimit të shërbimeve.

Më lejoni të theksoj se tatimi për bizneset e vogla që ushtrojnë veprimtari në fushën e tregtisë, prodhimit, transportit, artizanatit etj, të organizuara si persona fizikë tregtarë, por edhe SHPK, dhe që realizojnë xhiro deri në 14 milionë lekë do të vijojë të jetë 0 % deri në fund të vitit 2029.

  1. Në akciza

Ndryshimet në akciza synojnë procesin e përafrimit të legjislacionit të vendit tonë me atë të BE-së dhe transpozimin e Direktivave përkatëse, konkretisht të Direktivës së Tatimeve Indirekte të Akcizave. Më konkretisht, në akciza janë parashikuar ndryshimet dhe efektet e mëposhtme:

Ndryshime në akcizën e birrës konsistojnë në unifikimin  e  saj për  kategoritë e prodhuesve industrialë, e bazuar në Direktivën 92/83/EEC, 19 Tetor 1992, Direktivë, e cila synon harmonizimin e akcizës mbi detyrimet për alkoolin dhe pijet alkoolike. Ky harmonizim ka qenë kërkesë e vazhdueshme në diskutimet e nënkomitetit Shqipëri-BE për tregtinë, industrinë, tatimet dhe doganat. Akciza unifikohet në nivelin 710 lekë HL, ose 7,1 lekë për 1 litër birrë, ndërkohë që deri tani, birra e prodhuar nga impiantet industriale me kapacitet nën 200 mije HL në vit, akcizohej me 360 lekë/hl, osë 3,6 lekë për litër. Unifikimi ndikon gjithashtu në thjeshtimin e përllogaritjes se akcizës, shmangien e hapësirave për abuzim dhe përafrimin e legjislacionit para hyrjes së Shqipërisë në BE.  Ky ndryshim do te ketë efekt prej +262 milionë lekë, te cilat do të jenë në masën +184 milionë lekë mbi prodhimin e vendit dhe +78 milionë lekë mbi importin. Gjithashtu, ky ndryshim tarifimi do të ndihmojë edhe vetë kompanitë vendase për të rritur prodhimin dhe për te qene me konkurruese ne rajon. Edhe me këtë ndryshim, niveli i akcizës që aplikohet në vendin tonë është e ulët krahasuar me vendet e tjera europiane. Akciza për birrën standarde me shishe 330 cl  do jetë  0,02 euro, ndërkohë që niveli i akcizës në vendet e BE-së varion nga 0,04 deri  0,74  euro, pra  minimalisht 2 fishi më i ulët.

  1. Në Procedurat Tatimore:

Ndryshimet konsistojnë në: (i)  hartimin e kuadrit të nevojshëm ligjor mbi procedurat që do të ndiqen nga administrata tatimore për kontrollin e individëve me të ardhura të larta, kërkesë kjo e vazhdueshme e partnerëve ndërkombëtarë; (ii) përmirësimin e dispozitave në lidhje me marrjen  nga Administrata Tatimore të  informacionit nga Bankat me qëllim llogaritjen e saktë të detyrimeve tatimore të tatimpaguesve,  zbulimin e mosdeklaruseve dhe rastet potenciale të fshehjes së të ardhurave dhe mospagimit të tatimeve; dhe (iii) kufizimin e evazionit dhe shmangies nëpërmjet vendosjes të limitit të arkës për kompanitë dhe bizneset, masë kjo që do ndikojë edhe në uljen e CASH-it në ekonomi. Kjo masë ishte pjesë e Paketës Fiskale të Fiskalizimit e miratuar në Kuvend, por që në atë kohë, nga Komisioni i Ekonomisë dhe Financave të Kuvendit u gjykua se duhej të ishte klauzolë e Ligjit të Procedurave Tatimore.

Në lidhje me ndryshimin në sistemin e penaliteteve

Ndryshimet e paraqitura në projektligj në lidhje me gjobat nuk kanë patur qëllim ashpërsimin në tërësi të sistemit të gjobave. Ky nuk ka qenë objektiv i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë. Ndryshimet e paraqitura përfaqësojnë vetëm diferencimin e penalitetit për disa kategori të caktuara tatimpaguesish të mëdhenj apo përsëritësit e shkeljeve.

  • Nga të dhënat e Këshillimit Kombëtar, ka rezultuar se kërkohet ashpërsimi i penaliteteve për subjektet që nuk deklarojnë punonjësit, por i punësojnë ata në të zezë, si dhe për subjektet që fshehin pagën reale që paguajnë për të punesuarit. Për këto kategori është parashikuar dyfishimi i gjobës ekzistuese.
  • Është parashikuar, gjithashtu, rritja e gjobës për tatimpaguesit e mëdhenj që kapen me mall pa faturë, i cili mund të jetë mall kontrabandë, apo mall i blerë/prodhuar në të zezë dhe i padeklaruar. Për keto kategori, gjoba aktuale nga 75 mijë lekë është propozuar 750 mijë lekë, por njëkohësisht është hequr detyrimi i administratës tatimore për ta kallëzuar menjëherë penalisht dhe është parashikuar, që ky kallëzim të bëhet në rast se tatimpaguesi e përsërit këtë shkelje.

Projektligji ka gjithashtu edhe rishikimin në ulje të nivelit të gjobës për mosdorëzimin në afat të deklaratës individuale vjetore të të ardhurave për individët nga 5.000 lekë që është aktualisht në 3.000 lekë, nisur kjo nga numri i lartë i deklaruesve që mund të jenë të dypunësuar.

Ndryshimet në ligjet e tjera Tatimore si TVSH,  janë të natyrës proceduriale

 Në krahun e Shpenzimeve Buxhetore, në projektbuxhetin e vitit 2023 janë parashikuar të shpenzohen 687.2 miliardë lekë ose 31.6% e PBB, me një rritje në vlerë absolute prej 26.5 miliardë lekë, krahasuar me planin e rishikuar të vitit 2022.

Shpenzimet për vitin e ardhshëm do të përqendrohen në financimin e sektorëve prioritarë si: arsimi, shëndetësia, infrastruktura, shërbimet dixhitale, infrastruktura  dhe bujqësia.

Dëshiroj të nënvizoj, se shpenzimet buxhetore për këtë vit do të vijojnë të orientohen drejt arritjes dhe ruajtjes së standardeve të kërkuara në fazën e tanishme optimiste të procesit të integrimit të vendit tonë në familjen e Bashkimit Europian. Gjithashtu, fokusimi i shpenzimeve buxhetore në financimin me prioritet të sektorëve të lartpërmendur ofron garanci  për një rritje të qëndrueshme ekonomike të vendit dhe një nivel më të lartë mirëqenieje sociale.

Shpenzimet e Personelit për vitin 2023 reflektojnë koston aktuale të administratës publike qendrore, duke mbartur dhe efektet e politikës së rritjes së pagave për sektorët e shëndetësisë, arsimit, mbrojtjes, sigurisë publike dhe pjesës tjetër të administratës, të materializuar në periudhën korrik-tetor 2022. Efekti vjetor i rritjes prej 7% të pagave të administratës publike në 2022 është 700 milionë lekë, ndërkohë që për vitin 2023 do të jetë 3.3 miliardë lekë. Fondi vjetor për rritjen e pagave me 6% për punonjësit e sektorëve të arsimit, shëndetësisë, zjarrfikësve është planifikuar në shumën 2.3 miliardë lekë. Shpenzimet totale për pagat në administratën publike janë planifikuar në masën 96.8 miliardë lekë ose 4.5% e PBB-së. Dëshiroj të theksoj, se numri i punonjësve të planifikuar për vitin 2023 (pa përfshirë rezervën e planifikuar) shkon në 84,662 punonjës, me një rritje të lehtë prej 136 punonjësish, e cila shkon në tërësi për plotësimin e nevojave shtesë të organikave të institucioneve të sistemit të drejtësisë (+36 punonjës), institucionet e reja të menaxhimit të sektorit të hekurudhave (+35 punonjës), institucionet e shërbimeve sociale (+25 punonjës), Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave (+17 punonjës) dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit (+10 punonjës).

Shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes për qeverisjen qendrore, për vitin 2023 janë parashikuar në masën 61.5 miliardë lekë ose rreth 2.8% e PBB-së. Në këtë zë është programuar mbështetja me prioritet e politikave të qeverisë, si: skema e mbështetjes së fermerëve me 3.3 miliardë lekë (pa përfshirë mbështetjen që jepet nga programet IPARD III), mirëmbajtja e infrastrukturës dixhitale dhe siguria kibernetike me 5.8 miliardë lekë, mirëmbajtja e rrugëve kombëtare me 2.6 miliardë lekë dhe transferta për institucionet e arsimit të lartë publik me 10.4 miliardë lekë.

Shpenzimet për interesa parashikohen në nivelin 60.9 miliardë lekë ose 2.8% të PBB-së, duke përfshirë në të dhe një kontingjencë prej 0.2% të PBB-së për të përballuar çdo risk të mundshëm të rritjes së normave të interesit dhe të kursit të këmbimit.

Subvencionet janë parashikuar në masën 1.6 miliardë lekë, duke qëndruar konstante në terma nominalë, krahasuar me një vit më parë. Këto shpenzime shkojnë kryesisht për skemën e nxitjes së punësimit, mbështetjen e sektorit të ujësjellës-kanalizimeve, bazuar në performancën e tij, si dhe për të mbuluar një pjesë të shpenzimeve të veprimtarisë hekurudhore.

Shpenzimet e fondeve speciale, që përfshin shpenzimet totale për Fondet e Sigurimeve Shoqërore, Shëndetësore dhe Kompensimin në Vlerë të Pronarëve, janë planifikuar në vlerën prej 226.3 miliardë lekë, për vitin 2023.

Skema e Sigurimeve Shoqërore për vitin 2023 parashikohet në masën 162.6 miliardë lekë ose 7.5% e PBB-së. Ky fond reflekton efektin e indeksimit të pensioneve në muajin tetor 2022, me një kosto vjetore rreth 8,4 miliardë lekë, si dhe një indeksim të mundshëm gjatë vitit 2023. Vijon politika e parashikimit të një bonusi me një kosto rreth 3.5 miliardë lekë, për bonusin e fundvitit për pensionistët. Njëkohësisht, vijon objektivi për të pasur një raport sa më të favorshëm të përpjesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore ndaj totalit të fondeve të alokuara për skemat e sigurimeve shoqërore të kapë rreth 65.3% në 2023 nga 65% që parashikohet në aktin normativ të buxhetit të vitit 2022.

Skema e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor për vitin 2023 parashikohet në masën 54.5 miliardë lekë ose 2.5% e PBB-së, nga 52.8 miliardë lekë të planifikuara për t’u shpenzuar deri në fund të vitit 2022.

Fondi për Kompensimin në Vlerë të Pronarëve: parashikohen në total në masën 4.5 miliardë lekë ose 0.2% e PBB-së.

Shpenzime të tjera sociale që përfshijnë:

  • Shpenzimet për pagesën e papunësisë parashikohen në nivelin 900 milionë lekë, ku respektohet rigorozisht standardi i ILO-s për përfitime në masën e gjysmës së pagës minimale zyrtare;
  • Shpenzimet për pagesën e ndihmës ekonomike dhe aftësisë së kufizuar parashikohen në nivelin 25.9 miliardë lekë ose 1.2% e PBB-së;
  • Për ish-të përndjekurit është parashikuar një fond prej 1 miliardë lekë;
  • Për bonusin e lindjeve është parashikuar një fond prej 2.2 miliardë lekë.

Niveli i Fondit Rezervë për vitin 2023, planifikohet në masën 6.6 miliardë lekë, si fond kontigjence për të përballuar emergjenca dhe aktivitete të paparashikuara, në fondet e ministrive dhe institucioneve, parashikon mbështetjen, që mund të duhet për kategoritë në nevojë, si dhe për financimin e zgjedhjeve për organet e vetëqeverisjes vendore.

Investimet Publike për vitin 2023 janë planifikuar në masën 5.5% të PBB-së ose 122.2 miliardë lekë (duke përfshirë këtu dhe fondin e rindërtimit në shumën 5 miliardë lekë). Në planifikimin e investimeve për vitin 2023, janë mbajtur në konsideratë të gjitha detyrimet kontraktuale për projektet e investimeve me financim të brendshëm dhe të huaj. Ashtu si në vitin 2022, edhe në vitin 2023 do të ketë përparësi financimi i projekteve në vazhdim.

Për sa i përket mbështetjes së sektorëve prioritarë, dëshiroj ta filloj me Arsimin, ku synojmë të mbajmë një nivel konstant në raport me PBB prej mbi 3% përgjatë periudhës 2023-2025. Përveç rritjes së pagave, të parashikuar për mësuesit në 1 Korrik të vitit 2023, në këtë sektor do të financohet me përparësi, si vijon:

  • Ofrimi i teksteve shkollore falas për 280 mijë nxënës që ndjekin arsimin bazë, nga klasa e parë në klasën e nëntë, ku për librat e klasës së parë dhe të dytë që ribotohen çdo vit, është akomoduar fond shtesë në vlerën 100 milion lekë, si dhe ofrimi i bursave financiare apo kuotës ushqimore/financiare për 2800-3000 nxënës me nevoja të veçanta;
  • Sigurimi i shërbimit të transportit për 35 mijë fëmijë dhe nxënës që kanë vendbanimin e tyre mbi 2 km nga shkolla, si dhe për rreth 12 mijë mësues që punojnë mbi 5 Km nga vendbanimi/qendra e përhershme e punës në shkollë, duke akomoduar fond shtesë në vlerën 100 milion lekë;
  • Rritja e fondeve grant për Institucionet e Arsimit të Lartë (IAL) publike; “Pakti për Universitetet” dhe ndërkombëtarizimi i Arsimit të Lartë. – Puna do të fillojë për hapjen e filialeve të universiteteve më të mira ndërkombëtare në Shqipëri, si dhe për programe studimi të përbashkëta dhe të dyfishta me to. Granti nga buxheti për institucionet e arsimit të lartë publik, për vitin 2023, kap shifrën e 10.4 miliardë lekë.
  • Financimi i politikës “Edukimi nëpërmjet sportit” nëpërmjet klasave të profilizuara sportive. – Do të rritet numri i klasave të profilizuara sportive në mënyrë progresive në të gjithë vendin, nga 223 në 423, duke shtuar edhe disiplina të reja sportive, si gjimnastikë, atletikë dhe tenis. Do të mbështeten veçanërisht federatat e disiplinave sportive të ndryshme, duke e çuar fondin e mbështetjes për to, në nivelin 240 milionë lekë për vitin 2023.

Shëndetësia dhe Mbrojtja Sociale, ku financimi do të qëndrojë mbi 3% të PBB-së, mesatarisht për periudhën 2023-2025, ku përveç rritjes së pagave për mjekët dhe infermierët, nga data 1 korrik 2023 do të financohen me prioritet këto politika:

Shëndetësia

  • Programet e mbrojtjes së shëndetit publik, nëpërmjet programit kombëtar të vaksinimit anticovid, vaksinimit ndaj gripit, programit të plotë të imunizimit të fëmijëve nga ku përfitojnë mbi 240 mijë fëmijë.
  • Programet e parandalimit të sëmundjeve në kujdesin parësor nëpërmjet Programit të Kontrollit Mjekësor Bazë për qytetarët 35-70 vjeç, si dhe programeve të diagnostikimit të hershëm për tumoret që prekin gratë, nga të cilët do të përfitojnë analiza dhe kontrolle periodike falas mbi 490 mijë qytetarë në vit.
  • Mbështetjen e mbi 410 mijë qytetarëve në përgjigje të trajtimit të sëmundjeve kronike dhe impaktit post-Covid për rimbursimin e barnave falas nëpërmjet rritjes së financimit të skemës së rimbursimit me mbështetje 11,4 miliardë lekë.

Mbrojtja sociale:

Projektbuxheti 2023 garanton rritjen e qëndrueshme të mburojës sociale për shtresat në nevojë, me fokus tek fëmijët, nënat më shumë fëmijë, të moshuarit dhe familjet.

  • Buxheti për programet e mbrojtjes sociale rritet me 5% më shumë krahasuar me buxhetin e rishikuar 2022 duke garantuar mbështetjen e mbi 64 mijë familjeve, pjesë e programit të ndihmës ekonomike, mbështetjen e qëndrueshme të mburojës sociale lidhur me dyfishimin e masës së ndihmës ekonomike për nënat me 2 fëmijë, pas mbështetjes së atyre me 3 e më shumë fëmijë, dyfishimin e masës së ndihmës ekonomike për të moshuarit mbi 65 vjeç pa pension pleqërie apo pension social si dhe mbështetjen e programit të pagesave për mbi 164 mijë persona me aftësi të kufizuar dhe kujdestarët e tyre.
  • Për herë të parë, sigurojmë mbështetje të veçantë për gratë e papuna me 3 apo më shumë fëmijë deri 18 vjeç, me të ardhura familjare deri në 100 mijë lekë në muaj, duke i mbështetur me pagesën e kontributeve shoqërore dhe shëndetësore, për periudhën e kujdesit ndaj fëmijës deri 5 vjeç.
  • Financojmë Programin e Bonusit të Bebespër çdo të porsalindur, duke garantuar shpërblimin financiar nga 40,000-120,000 lekë për mbi 35 mijë fëmijë/vit.

 

Bujqësia do të përfitojë rreth 14.2 miliardë lekë në vitin 2023, ku parashikohet mbështetje për:

  • Skemën kombëtare të fermerëve, me një fond total 1.97 miliardë lekë, me synim rritjen e numrit të përfituesve nga 4800 përfitues në vitin 2022, në 5000 përfitues në vitin 2023. Mbështetje tjetër për fermerët do të jetë një fond total prej 3.9 miliardë lekë, përmes financimeve nga projekti IPARD III (2021-2027).
  • Skemën e subvencionimit të naftës, me një fond total 1.62 miliard lekë, ku parashikohet të rritet numri i përfituesve nga 17.500 përfitues në vitin 2022, në 18.500 përfitues në vitin 2025.
  • Garantimin e Sigurisë Ushqimore dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, duke mbështetur veçanërisht për vitin 2023, reformimin e ISUV-it (Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare), si laborator i vetëm referencë për analizat ushqimore dhe veterinare. Kjo, përmes rritjes së nivelit të pagave për stafin me një fond total prej 30 milionë lekë.
  • Lidhur me Menaxhimin e Infrastrukturës së Ujitjes dhe Kullimit, fokusi do të jetë në rehabilitimin e kanaleve ujitës me një fond total prej 240.4 milionë lekë, dhe investime në infrastrukturën e mbrojtjes nga përmbytja, nëpërmjet rehabilitimit/ndërtimit të argjinaturave mbrojtëse, me një fond total prej 654.9 milionë lekë.
  • “Mbështetjen për Peshkimin”, me fokus zhvillimin e qëndrueshëm të peshkimit dhe akuakulturës, shfrytëzimin e përgjegjshëm të burimeve peshkore, duke financuar politikat e sektorit me një buxhet prej 403 milionë lekësh.

 Infrastrukturë synohet:

  • Mirëmbajtja sipas standardeve e 4044 Km rrugë në territorin e Republikës së Shqipërisë, me fond total për shpenzimet e mirëmbajtjes, prej 2.6 miliardë lekë;
  • Financimi i projektit të Tunelit të Llogarasë në vlerën 6.8 miliardë lekë dhe vazhdimi i projektit madhor “Unaza e Tiranës”;
  • Vijimi i zbatimit të projekteve koncesionare prioritare si: Rruga e Arbrit në vlerën 2.8 miliardë lekë, Rruga Orikum-Dukat në vlerën 911 milionë lekë, si dhe Projekti koncesionar për Triportin Vlorë dhe Portin e Ri të Durrësit;
  • Furnizimi me ujë të pijshëm në masën 100% për zonën urbane dhe 80% për zonat rurale, nëpërmjet Reformës së Ujit (riorganizimi i U.K sh. a.) në vlerën 310 milionë lekë, si dhe vazhdimi i ndërtimit të projekteve ekzistuese dhe të reja në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve në vlerën totale prej 14.7 miliardë lekë;
  • Reformimi i sektorit hekurudhor sipas ligjit 90/2021 “Për ndarjen e shoqërisë “hekurudha shqiptare”, duke vijuar subvencionimin e sektorit me një fond total prej 490 milionë lekë.

Për sektorin e infrastrukturës dixhitale synohet:

  • Mirëmbajtja e rreth 115 sistemeve qeveritare, me kosto rreth 2 miliardë lekë për vitin 2023;
  • Në kuadër të mbrojtjes dhe sigurisë kibernetike për sistemet dhe infrastrukturën e-gov, financohet me 2 miliardë lekë zëri “shpenzime operative” që lidhet me konsulencën dhe mbështetjen nga kompanitë “Microsoft”, sikundër financohet dhe kontrata me “Jones Group International”;
  • Financohet financimi i huaj me rreth 3 mld lekë, lidhur me Kredinë e Bankës Botërore, në kuadër të mbrojtjes së sigurisë kibernetike;

Për sektorin e Mbrojtjes, planifikohet 40.3 miliardë lekë ose 1.85% e PBB-së dhe financon politikat si më poshtë vijon:

  • Financimit të aktivitetit për 7591 personel të arsimuar sipas kritereve dhe standardeve të NATO-s;
  • Modernizimit me armatim të lehtë dhe municione për Forcat e Armatosura, rreth 13.8 miliardë lekë;
  • Trajtimit të rreth 93,300 urgjencave/të shtruar tek spitali i traumës si dhe rasteve ambulatore. Kosto e financimit të këtij aktiviteti është rreth 1.2 miliardë lekë;
  • Mbështetjes së 21,978 personel ushtarak, si kategori përfituese e pensioneve, me një fond vjetor rreth 5.2 miliardë lekë;

Për Kulturën, projektbuxheti i vitit 2023 planifikohet në masën 3.9 miliardë lekë dhe mbështet një sërë iniciativash dhe projekte ambicioze në art, kulturë e trashëgimi në të gjithë vendin.

  • Mbështetja më e madhe për skemën e “Bonusit të Rijetëzimit”
  • Promovimi i “Artit në Hapësirat Publike”
  • Investime të rëndësishme si:
  • Rijetësimi i Piramidës Tiranë
  • Ndërtimi i Qendrës Kombëtare për Fëmijë dhe Teatrit të Kukullave
  • Ndërtimi i Godinës së Teatrit Tiranë
  • Projekti i Cirkut të ri Kombëtar
  • Projekti për Restaurimi dhe Muzealizimi i ish banesës së Toptanasve

Përpara se të prezantoj pritshmëritë dhe objektivat e buxhetit të pushtetit vendor për vitin 2023, dëshiroj të ndalem tek respektimi i një nga rregullave fiskalë të sanksionuar në ligjin organik të buxhetit, ai i mbajtjes së pagesave buxhetore të kontratave koncesionare/PPP brenda nivelit prej 5% të totalit të të ardhurave buxhetore të vitit paraardhës. Ky rregull për projektbuxhetin 2023, sikurse dhe për vitet e kaluara, respektohet rigorozisht duke rezultuar me pagesa buxhetore qe kapin 2.5% të totalit të të ardhurave tatimore për vitin 2022. Dhe ky trend mbahet konstant edhe për vitet pasuese 2024 dhe 2025. Dëshiroj të theksoj, gjithashtu, se numri i kontratave aktive koncesionare/PPP me mbështetje buxhetore është në ulje (11 të tilla), ndërkohë që shumica dërrmuese e projekteve koncesionare/PPP të kontraktuara apo planifikuara për të filluar gjatë vitit 2022 bazohen në skemën e tarifimit të shërbimit/përdorimit të asetit nga përdoruesit fundorë, duke mos implikuar kësisoj pagesa të drejtpërdrejta nga buxheti i shtetit.

Për të kaluar tek buxheti vendor, procesi i menaxhimit të financave publike vendore është shoqëruar me sfida për shkak të pasojave të pandemisë COVID-19, rindërtimit nga tërmetet e vitit 2019, krizës ekonomike dhe energjetike, si rrjedhojë e luftës në Ukrainë. Përballimi i këtyre sfidave të mëdha ekonomike dhe buxhetore nga njësitë e vetëqeverisjes vendore është një tregues pozitiv i punës së zhvilluar në këto vite në drejtim të stabilitetit makroekonomik, parashikueshmërisë së fondeve dhe transparencës së përdorimit me disiplinë të fondeve buxhetore.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë në vitin 2023 do të vijojë me reformimin e financave publike vendore, duke u fokusuar në rritjen e investimeve, digjitalizimin e operacioneve të menaxhimit financiar në nivel vendor, rritjen e të ardhurave nga taksat vendore, si dhe në reformimin e skemave të financimit të qeverisjes vendore.

Shpenzimet e buxhetit vendor për vitin 2023, janë parashikuar në masën 65.5 miliardë lekë, me një rritje prej 9% më shumë se buxheti i vitit 2022.  Këto shpenzime për vitin 2023, zënë rreth 3.1% të PBB-së nga 2.3% që zinin në vitin 2013. Të ardhurat e veta të pushtetit vendor nga viti 2015 në vitin 2023, kanë pësuar një rritje të ndjeshme me rreth 17.4 miliardë lekë, ndërkohë krahasuar me vitin 2022 janë rritur me 1.5 miliardë lekë.

Mbështetja që ka dhënë qeveria për njësitë e vetëqeverisjes vendore nëpërmjet reformave të ndërmarra pasqyrohet në rritjen e transfertës së pakushtëzuar, e cila në krahasim me vitin 2022 është rritur në vlerën 3 miliardë lekë, ose 16.1% më e lartë dhe krahasuar me vitin 2015 (para refromës administrativo-territoriale) është 9.4 miliardë lekë më e madhe ose rreth 76.4 % më shumë financim nga pushteti qendror. Rritja e konsiderueshme e transfertës së pakushtëzuar, tregon rëndësinë që kjo qeveri gjatë këtyre viteve i ka kushtuar procesit të decentralizimit dhe efikasitetit të qeverisjes vendore.

Në transfertën e pakushtëzuar të parashikuar për vitin 2023 prej 21.7 miliardë lekë, do të shtohen edhe fondet prej 9.8 miliardë lekë transfertë e pakushtëzuar sektoriale për funksionet e reja. Në total, në 2023, granti nga buxheti i shtetit për pushtetin vendor do të jetë në shumën 31.5 miliardë lekë.

Edhe në këtë buxhet vijon mbështetja e reformës së financimit të arsimit parashkollor. Kostoja e kësaj reforme është 327 milionë lekë, dhe mbulohet nga transferta e pakushtëzuar për bashkitë për vitin 2023. Kjo garanton vazhdimin e shërbimit të mbi 400 edukatorëve shtesë, me qëllim rritjen e cilësisë së shërbimit në kopshte. Kjo reformë bën një ndarje më të drejtë të fondeve, zbut diferencat ndërmjet bashkive përsa i përket raportit “fëmijë për edukatore” dhe siguron fonde shtesë për ato bashki që kanë një nevojë imediate për rritjen e numrit të edukatorëve.

Përpara se ta mbyll fjalën time, dëshiroj t’ju informoj se, në kuadrin e politikave sociale të nxitura nga Kryeministri dhe mbështetura nga Qeveria, jemi kujdesur që asnjë familje shqiptare të mos ketë efekte nga rritjet e konsiderueshme të çmimeve të energjisë elektrike në tregjet botërore.

Përgjigja imediate ndaj këtij objektivi mund të jepet vetëm duke mbajtur në kontroll shpenzimet e tyre buxhetore dhe duke ndikuar direkt në buxhetin e çdo familjeje shqiptare nga njëra anë, e nga ana tjetër dhe duke ndikuar indirekt në inflacion, duke mbajtur nën kontroll ato kosto shtesë që do t’i vinin pjesës më të madhe të bizneseve, pasi peshën më të madhe të këtij buxheti do ta çojmë aty ku është nevoja, aty ku kjo krizë na detyron.

Konkretisht, në këtë buxhet është parashikuar mbështetja e sektorit energjetik me 12 miliardë lekë, duke vijuar ruajtjen e pandryshuar të çmimit për konsumatorët familjarë, brenda një fashe të caktuar konsumi. Kjo do të jetë e kushtëzuar në varësi të kushteve atmosferike, të tregjeve të energjisë, si dhe gjendjes financiare të kompanive prodhuese. Fakti është, që kjo mbështetje pason dy ndërhyrje të konsiderueshme në buxhetet e vitit 2021 dhe 2022 me respektivisht 10 miliardë lekë e 28 miliardë lekë mbështetje për këtë sektor.

Siç mund ta vëreni, fatura financiare që qeveria duhet të përballojë për mbajtjen e çmimit fundor të energjisë elektrike për familjarët, është tejet e konsiderueshme. Ndaj, unë gjej rastin të përsëris thirrjen për më shumë ndërgjegjësim nga ana e qytetarëve dhe biznesit privat, për nevojën e ngutshme për të kursyer e miradministruar konsumin e energjisë elektrike, si dhe për të rritur përpjekjet për diversifikimin e prodhimit të saj nëpërmjet burimeve të tjera të rinovueshme.

Në mbyllje të fjalës time, dëshiroj të ritheksoj 2 objektivat, mbi të cilat bazohet projektbuxheti 2023: Mbështetja e rritjes së qëndrueshme ekonomike, duke mbështetur kategoritë më në nevojë të ndikuara nga kriza dhe konsolidimi i pandalshëm fiskal.

Eksperienca e kaluar ka dëshmuar që, gjatë shqyrtimit të këtij projektbuxheti në komisionet parlamentare dhe nga anëtarët e tyre, janë paraqitur propozime për të shtuar fonde për sektorë apo institucione specifike. Në këtë kontekst, do parashtroja kërkesën që këto propozime të jenë të kujdesshme dhe marrin parasysh pikërisht ruajtjen e parametrave që lidhen me këto objektiva madhorë: mbrojtjen e shtresave në nevojë, mos ndryshimin e çmimit të energjisë elektrike dhe konsolidimin fiskal.!

Faleminderit për vëmendjen!

Previous Ministrja Ibrahimaj mbledh Këshillin e Investimeve, diskutohet mbi aftësimin e fuqisë punëtore