Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, mori pjesë në takimin për Zbatimin e Strategjisë Kombëtare të Pronësisë Industriale për periudhën 2022-2025 të Republikës së Shqipërisë, mbështetur nga Organizata Botërore e Pronësisë Intelektuale(WIPO) në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Pronësisë Industriale të Shqipërisë ( GDIP ), që u mbajt në Tiranë.
Ministrja Ibrahimaj në fjalën e saj bëri të ditur se Qeveria Shqiptare i ka dhënë një peshë dhe rëndësi të veçantë pronësisë industriale, për vetë kontributin që politikat për pronësinë industriale japin në zhvillimin e vendit.
“Ne përgjatë gjithë këtij viti kemi punuar për hartimin e Strategjisë Kombëtare të Pronësisë Intelektuale, e cila është një fushë që ka një rëndësi të madhe dhe Qeveria Shqiptare i ka dhënë një peshë dhe rëndësi të veçantë pasi me kontributin që politikat për Pronësinë Industriale japin për përmirësimin e vendit ne jo vetëm përmirësojmë tregun, por edhe procesin e integrimit evropian”, tha Ibrahimaj.
Sipas Ministres, një nga kapitujt me rëndësi në procesin e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian ka të bëjë me Pronësinë Industriale dhe të gjithë elementët që qeveria shqiptare ka avancuar në këtë drejtim.
“Pronësia Industriale është e rëndësishme, pasi krijon bazat e një tregu për zhvillimin ekonomik. Ajo sjell jo vetëm zhvillim ekonomik, por edhe kulturor e shkencor, të cilat krijojnë vende pune dhe kanë një kontribut në GDP”, u shpreh ministrja.
Ministrja Ibrahimaj vlerësoi punën e bërë nga DPPI në drejtim të arritjes së standardeve të kërkuara, por edhe për dixhitalizimin dhe informimin e kompanive.
“Unë besoj se DPPI ka bërë një punë të jashtëzakonshme, jo vetëm në drejtim të arritjes së standardeve të kërkuara, por edhe për dixhitalizimin dhe informimit për punën e kryer dhe për kriteret që kompanitë duhet të përmbushin për përfitimet që bizneset kanë në mbrojtjen e të drejtave të tyre dhe gjithashtu në lehtësimin e shërbimeve për këto sipërmarrje, duke qenë se 154 shërbimet që ofron DPPI janë online”, deklaroi ministrja.
Ambasada Zvicerane ka mbështetur qeverinë shqiptare në hartimin e strategjisë. Që nga krijimi i DPPI-së e deri tani janë depozituar rreth 93 596 aplikime për marka, ku 4 980 janë marka shqiptare; 8 305 patenta evropiane të regjistruara në territorin shqiptar, ku 209 janë aplikime për patenta kombëtare; 376 aplikime për disejno industriale dhe 26 aplikime për tregues gjeografikë.
Vetëm për vitin 2021 janë 1 604 aplikime për marka.