Ministrja Ibrahimaj: Siguria kibernetike prioritet, po ndërtojmë kapacitete për mbrojtjen e infrastrukturës digjitale dhe zhvillimin e sektorit privat

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, mori pjesë në Konferencën Kombëtare për Sigurinë Kibernetike “Peizazhi i kërcënimeve në ditët e sotme”, ku diskutoi mbi rëndësinë e sigurisë kibernetike, mbrojtjen e infrastrukturave kritike dhe nevojën për forcimin e kapaciteteve kombëtare në këtë fushë. I pranishëm në aktivitet ishte edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Eric Wendt.

Ministrja theksoi se sulmi kibernetik i vitit 2022 shënoi një pikë kthese në qasjen e qeverisë, duke e kthyer sigurinë kibernetike në prioritet dhe duke nxitur forcimin e kapaciteteve institucionale, financiare dhe ligjore.

Ajo nënvizoi se mbrojtja kibernetike kërkon edhe angazhimin e sektorit privat, duke theksuar rëndësinë e investimeve të bizneseve në parandalimin e sulmeve që mund të cenojnë vazhdimësinë e aktivitetit të tyre ekonomik.

Sa i përket zhvillimit të sektorit privat, ministrja bëri të ditur se janë financuar gjashtë startup-e në fushën e sigurisë kibernetike, ndërsa në Shqipëri operojnë 72 biznese me këtë fokus, nga të cilat 28 janë regjistruar gjatë vitit të fundit.

Një tjetër drejtim i rëndësishëm është zhvillimi i burimeve njerëzore përmes edukimit dhe formimit profesional. Ministrja Ibrahimaj bëri të ditur se, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, janë hartuar kurrikula për përfshirjen e sigurisë kibernetike në sistemin arsimor.

Në përfundim, ministrja vlerësoi se kapacitetet e ndërtuara dhe niveli i digjitalizimit të shërbimeve publike e pozicionojnë Shqipërinë si një partner të rëndësishëm në forcimin e sigurisë kibernetike rajonale.