Dosjet e vitit 2018 mbi skemat e mashtrimit me TVSH-në, nuk janë të reja, janë zhurmë e madhe e ditëve të fundit, e krijuar në kuadër të një lufte politike, janë të gjitha fakte që lidhen me procese të kryera vite më parë nga Administrata Tatimore.
Kështu u shpreh Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, gjatë një konference për mediat.
Ibrahimaj deklaroi se ishte pikërisht Administrata Tatimore që i ka referuar këto raste në Prokurorinë e Tiranës, që në dhjetor të vitit 2018.
“Nisur nga zhurma e madhe e ditëve të fundit, e krijuar në kuadër të një lufte politike, në vigjilje të një proteste të paralajmëruar, e cila nxit zhvillimin e një revolucioni imagjinar, bëj me dije se asgjë nga faktet e nxjerra ditët e fundit nuk është e re. Faktet lidhen me procese të kryera vite më parë nga Administrate Tatimore. Më konkretisht, në dhjetor 2018 Administrata Tatimore ka referuar pranë Prokurorisë, një skemë mashtrimi të TVSH-së, e cila lidhet me fshehje të ardhuravesh, evazion fiskal dhe pastrim parash. Janë referuar 20 subjekte, bashkë me to edhe 24 individë si përgjegjës për krijimin e këtyre skemave mashtrimi”, deklaroi Ibrahimaj.
Më poshtë gjeni fjalën e plotë të Ministres Ibrahimaj në konferencë:
Përshëndetje të gjithëve,
Faleminderit që keni ardhur sot.
Jam në këtë konferencë për shtyp nisur nga zhurma e madhe e ditëve të fundit, e krijuar në kuadër të një lufte politike, në vigjilje të një proteste të lajmëruar, e cila nxit zhvillimin e një revolucioni imagjinar.
Asnjë nga faktet e nxjerra në ditët e fundit nuk është i ri. Të gjitha faktet lidhen me procese të kryera vite më parë nga Administrata Tatimore.
Më konkretisht, në dhjetor të vitit 2018, Administrata Tatimore ka referuar pranë prokurorisë një skemë mashtrimi të TVSH, e cila lidhej me fshehjen e të ardhurave, me evazionin fiskal, me pastrimin e parave. Janë referuar 20 subjekte dhe 24 individë, përgjegjës për krijimin e këtyre skemave të mashtrimit. Kjo është bërë nga një punë disa mujore e Administratës Tatimore, konkretisht Hetimit Tatimor, ku është analizuar me kujdes krijimi i këtyre subjekteve. Çfarë ndodhte konkretisht? Janë krijuar subjekte fiktive, me qëllim përfitimin e TVSH. Këto subjekte blinin dhe shisnin me kompani të krijuara dhe kompanitë që i shisnin këtyre subjekteve përfitonin duke shkarkuar inventarët e tyre pranë subjekteve, bashkë me inventarët dhe TVSH, ndërkohë që subjektet fiktive i shisnin kompanive blerëse produkte, në varësi të fushës së veprimit të këtyre produkteve, me qëllim kreditimin e TVSH, me qëllim fryrjen e shpenzimeve dhe me qëllim mos pagesën e TVSH.
Këto nuk janë dukuri të cilat janë të reja. Këto nuk janë dukuri të cilat janë shqiptare. Janë dukuri të përhapura në të gjitha vendet e botës dhe në Shqipëri kanë filluar të materializohen dhe të shumohen pas vitit 2017. Që nga ai vit janë 34 subjekte të cilat janë referuar nga Hetimit Tatimor pranë prokurorisë, ku kanë qenë të përfshira rreth 141 subjekte. Pra janë 34 procedura, të cilat janë referuar pranë prokurorisë. Një pjesë e këtyre procedurave kanë përfunduar me një vendim gjykate për zbatim, ku në disa raste ka pasur dhe të dënuar. Një pjesë e tyre janë ende në hetim dhe vijojnë procedurat e hetimit.
Për rastin konkret, 20 subjektet fiktive janë dënuar nga gjykata e shkallës së parë të Tiranës me një shumë totale të viteve të burgut prej 35 vite.
Ndër vite, që nga viti 2018 deri më sot, kur hetimi vijon ende, Administrata Tatimore ka bashkëpunuar ngushtë me prokurorinë e Tiranës, me qëllim vënien në dispozicion të të gjithë elementëve të nevojshëm për të vijuar hetimin, por edhe me vlerësime të herëpashershme për subjektet sipas porosive dhe nën instruktimin e prokurorisë së Tiranës.
Siç e thashë edhe më sipër, kjo skemë është në ndjekje që prej vitit 2018 dhe të gjithë institucionet janë në gatishmëri, qoftë para prokurorisë së Tiranës, qoftë para SPAK, me qëllim furnizimin e këtyre institucioneve të drejtësisë me të gjithë informacionin nevojshëm, për zbardhjen dhe gjykimin e të gjithë subjekteve të përfshira në këto skema.
Qeveria shqiptare, në çdo rast, e ka bërë të qartë qëndrimin e saj ndaj institucioneve të drejtësisë. Ne jemi këtu në mënyrë që të bëjmë të gjitha procedurat administrative në ndihmë të drejtësisë, pasi është qëllimi ynë që këto raste të mos përsëriten dhe të parandalohen.
Por nuk kemi bërë vetëm kaq. Me qëllim parandalimin e rasteve të evazionit, ne kemi investuar në funksion të dixhitalizimit dhe frenimit të krijimit të të tilla skemave mashtruese.
Reforma e madhe e Fiskalizimit nuk ka të bëjë vetëm me lëshimin e faturave elektronike, nuk ka të bëjë vetëm me revolucionin e lëshimit të faturës. Ka të bëjë me ngritjen e sistemeve inteligjente, pranë Administratës Tatimore, me qëllim evidentimin e të tilla rasteve të krijimit të subjekteve fiktive, të cilat nuk e kanë potencialin për të kryer aktivitet ekonomik, apo të cilat tregtojnë mallra jo brenda fushës së vet të aktivitetit apo të cilat shesin dhe blejnë mollë për ndërtim.
Janë këto raste të cilat na kanë ndihmuar që të ngremë modele risku dhe të ngremë të gjitha procedurat e duhura, me qëllim eliminimin e mundësive të skemave të mashtrimit.
Gjithashtu, në bashkëpunim me Ambasadën Angleze, është ngritur një sistem i cili nuk përdor vetëm të dhënat që janë brenda për brenda Administratës Tatimore, por duke ndërthurur të dhënat e institucioneve të ndryshme, evidentin rastet potencialisht të këtyre skemave të mashtrimit apo evazionit tatimor.
U ndjeve përgjegjëse si Ministre e Financave dhe Ekonomisë që t’ju bëj me dije që të gjitha institucionet e varësisë të MFE janë të angazhuara drejt luftës kundër evazionit, drejt luftës kundër mashtrimit dhe sot e përpara kanë qenë gjithmonë të gatshme, dhe kanë qenë institucionet e para të cilat kanë iniciuar procedura dhe procese me qëllim evidentimin e evazorëve dhe parandalimin e tyre.
Ne jemi të hapur dhe bashkëpunues për çdo denoncim serioz apo institucion, i cili ka për qëllim luftën ndaj evazionit fiskal.
Protagonistë të kësaj lufte duhet të jenë institucionet shtetërore, duhet të jetë administrata publike, dhe jo politikanë të cilët përdorin fakte e procedura për përfitimet e tyre.
Pyetje: A kanë qenë pjesë e referimeve në prokurori edhe kompanitë e inceneratorëve? Bëhet fjalë për inceneratorin e Tiranës, Fierit dhe Elbasanit.
Duke qenë se jemi në vazhdën e debateve publike në lidhje me ecurinë e punimeve të inceneratorin e Tiranës, duke qenë se MFE është përgjegjëse për monitorimin e kontratave përmes ATRAKO, a po kryhen punimet në inceneratorin e Tiranës dhe a është montuar impianti i djegies së plehrave qoftë edhe të bëhet incenerimi i fazës së parë, sipas kontratës?
Ministrja Ibrahimaj: Siç e thashë, kanë qenë 20 subjekte që kanë qenë fiktive dhe janë referuar në prokurori. Bashkë me to ne kemi referuar të gjithë blerësit dhe shitësit. Nuk është një numër i vogël blerësish dhe shitësish dhe jo domosdoshmërish të gjithë blerësit dhe shitësit janë evazorë dhe kanë përfituar nga këto skema, por nuk i takon Administratës Tatimore të bëjë një verifikim të tillë. I takon prokurorisë së Tiranës që të kryejë të tilla verifikime. Ne kemi dërguar informacion për 378 shitës dhe 197 blerës. Pra është një numër i madh subjektesh dhe kjo është dhe arsyeja pse Prokuroria e Tiranës ende nuk e ka mbyllur, pasi duhet një verifikim i plotë për punimet e çdo subjekti në rastin e blerësve apo të faturave të shitjes të subjekteve të tjera në rastin e shitësve.
Pjesë e tyre kanë qenë dhe nënkontraktorë apo kompani të lidhura me inceneratorët, të cilat janë në proces hetimi dhe ende nuk janë dërguar në gjykatë. Unë nuk mund të shprehen për të gjithë listën e kompani, pasi janë procedura sekrete të cilat i takojnë qoftë Administratës Tatimore, qoftë prokurorisë së Tiranës. Ju mund ti referoheni prokurorisë së Tiranës. Nuk e di në çfarë faze është prokuroria dhe nëse ka dërguar në gjykatë elementë të tillë. Unë mund t’ju them se të gjitha administratat, pra qoftë administrata tatimore, qoftë institucionet e tjera në varësisë të MFE, kanë furnizuar me informacion prokurorinë dhe SPAK çdo herë që është kërkuar nga këto instiotucuione.
Përsa i përket punimeve të inceneratorit të Tiranës, sigurisht që ne si MFE jemi përgjegjës jo vetëm për koncesionet e inceneratorëve, por për të ndjekur dhe për të raportuar nëpërmjet një raporti vjetor që ne publikojmë ecurinë e të gjithë kontratave koncesionare. Secila kontratë koncesionare është në fazat përkatëse, sipas kontratave.
Sa i përket bashkisë së Tiranës, kontrata është lidhur në 31 gusht të vitit 2017. Kohëzgjatja e kontratës është 30 vjet, pra ka një kohëzgjatja të gjerë dhe faza aktuale është faza e ndërtimit dhe operimit. Autoriteti kontraktues në fund të vitit 2021 ka raportuar se punimet civile që janë të përfunduara zënë më pak se 20 % të vlerës totale të investimit dhe janë dorëzuar në kantier dhe janë funksionale pajisjet e kapanonit të selektimit, i cili është në operim e sipër.
Pyetje: Në vazhdimësi dhe pyetjes lidhur me inceneratorin e Tiranës dhe kalimet përmes thesarit për këtë koncesion. Në 6 mujorin e parë janë bërë publike shifra që kanë kaluar nga thesarit te inceneratori. A e ndikon faza e hetimit gjithë këtë proces, sepse duket e dyshimtë?
Ministrja Ibrahimaj: Dua të nënvizoj që këto subjekte janë subjekte të hetimit. Ende nuk ka një vendim përfundimtar për këto subjekte dhe sipas çdo legjislacioni në fuqi, jo vetëm legjislacioni shqiptar, për sa kohë që nuk ka një vendim gjykate për këto subjekte, institucionet shtetërore nuk mund të marrin masa. Ne kemi vijuar të respektojmë kontratën, në bazë të termave konteraktuale, në bazë të pagesave që janë të parashikuara në këto kontrata dhe do të vijojmë ta bëjmë për sa kohë që jemi në zbatim të kontratës. Nuk kemi asnjë njoftim nga asnjë institucion ligj zbatues apo institucion i drejtësisë për përfundim apo për të marrë masa në lidhje me këto kontrata. Kështu që, për sa kohë që nuk ka vendime të tilla, ne jemi në pritje të proceseve të drejtësisë dhe sapo këto procese të kenë përfunduar, sigurisht që ne si gjithë institucionet e tjera do të marrim masat e nevojshme me qëllim respektimin e ligjit.