Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, priti në një takim Zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm të Fondit Monetar Ndërkombëtar, z. Bo Li, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Shqipëri, i shoqëruar edhe nga z. Domenico Fanizza, Drejtor Ekzekutiv për Shqipërinë në FMN dhe zj. Stephanie Eble, Përfaqësuese Rezidente Rajonale për Ballkanin Perëndimor.
Gjatë këtij takimi, Ministrja shprehu vlerësimet për bashkëpunimin e stafeve të të dy ekipeve, si dhe për mbështetjen që FMN po vijon të japë në kuadër të Artikullit IV të marrëveshjes.
Ministrja Ibrahimaj e njohu z.Li me masat e ndihmës financiare që qeveria po ndërmerr, në lidhje me krizën e shkaktuar nga rritja e çmimeve, duke vënë theksin në: mosrritjen e çmimit të energjisë për familjet dhe bizneset, rritjen e pagës minimale, si dhe mbështetjen për sektorët kyç të ekonomisë, me qëllim mbajtjen e qëndrueshëm të nivelit të konsumit.
Gjithashtu, Ministrja bëri një prezantim edhe të vlerësimeve të deritanishme mbi ekonominë, parametrat kryesorë të financave publike, përmirësimin e mbledhjes së të ardhurave bazuar në Strategjinë Afatmesme të të Ardhurave, reduktimin e informalitetit si rrjedhojë e zbatimit të Reformës së Fiskalizimit, por edhe punën që po bëhet në drejtim të mirëmenaxhimit të investimeve publike.
Nga ana e tij, Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i FMN, z. Bo Li, theksoi se Shqipëria ka treguar qëndrueshmëri të konsiderueshme përballë tre goditjeve të njëpasnjëshme, duke ruajtur stabilitetin makroekonomik dhe atë financiar, ndërsa vlerësoi se autoritetet i janë përgjigjur shpejt këtyre goditjeve me politika dhe masa që kanë ndihmuar në zbutjen e efekteve.