Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, mori pjesë në konferencën “Financat e gjelbra – Mundësi për sektorin financiar në Shqipëri”, organizuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe Sekretariatin Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO).
Konferenca mbledh së bashku përfaqësues të nivelit të lartë nga Qeveria shqiptare, institucionet financiare ndërkombëtare, rregullatorë dhe aktorë të tregjeve financiare.
Ministrja vlerësoi se organizimi i këtij eventi është një hap i rëndësishëm në drejtim të çështjeve që lidhen me iniciativat e financimeve të gjelbra dhe mundësitë për sektorin financiar për mbështetjen e tyre.
Ministrja theksoi se angazhimi i qeverisë shqiptare ka qenë dhe do të jetë gjithmonë në hartimin e politikave dhe marrjen e masave për një ekonomi dhe sektor financiar të gjelbër, pavarësisht se në vitet e fundit vëmendja e qeverisë shqiptare ka qenë e fokusuar në përballimin e krizave të njëpasnjëshme.
“Ndonëse gjatë viteve të fundit ne jemi marrë me menaxhimin e krizave, ne nuk e kemi humbur drejtimin drejt zhvillimit të një ekonomie më të gjelbër, një ekonomie më rezistente dhe një shoqërie më rezistente. Ne kemi punuar dhe në drejtim të zhvillimit të sektorit financiar në sfidat e ekonomisë së gjelbër. Në bashkëpunim edhe me sektorët publikë, institucionet financiare mund të ofrojnë produkte të ndryshme financimi me ndikim maksimal dhe me menaxhimin e duhur të rrezikut. Revolucioni digjital që ne e kemi nisur dhe po e zhvillojmë me hapa të shpejtë na lejon të arrijmë përmes inovacioneve harmonizimin e sistemeve financiare me Objektivat e Zhvillim të Qëndrueshëm”, u shpreh Ibrahimaj.
Përmes Strategjisë Afatmesme të Menaxhimit të Financave Publike 2023-2025 synohet përfshirja e praktikave të gjelbra në procesin e planifikimit dhe zbatimit të buxhetit. Po ashtu, krahas instrumenteve tradicionale të huamarrjes, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, me mbështetjen e Bankës Botërore, është duke marrë në konsideratë përdorimin e instrumenteve blu apo të gjelbër.
Ministrja theksoi se në të ardhmen puna e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë do të fokusohet në disa drejtime, si:
Përgatitja e udhëzimeve të qarta dhe të parashikueshme për integrimin e objektivave klimatike në planet shpenzimeve dhe investimit;
Përfshirja e komponentit “green” në të gjitha kurrikulat e arsimit profesional;
Ofrimi i garancive për investitorët e mundshëm dhe krijimi i një mjedisi të favorshëm për rritjen e investimeve të gjelbra;
Reduktimi i barrierave për financimet e gjelbra;
Përafrimi i politikave fiskale dhe buxhetore me objektivat e rritjes së gjelbër.
Forcimi i institucioneve publike me qëllim që të jenë të gatshme për t’ju përgjigjur të gjitha sfidave të gjelbra.
Fjala e plotë e Ministres Ibrahimaj:
Përshëndetje të gjithëve,
Faleminderit për ftesën në këtë konferencë që ndoshta për shumë prej nesh mund të duket e pazakontë në një moment kur jemi duke u përballur me të tjera sfida dhe të tjera kriza, por në gjykimin tim dhe në gjykimin tonë është shumë e rëndësishme që ne të mos humbasim fokusin.
Gjatë gjithë viteve të fundit na është dashur të përballemi me situata të jashtëzakonshme, të cilat mund t’i kishim imagjinuar më përpara dhe në të gjitha rastet ne jemi munduar që të krijojmë stabilitet dhe të jemi rezistent, qoftë në situatën e krijuar për shkak të tërmetit, kur qeveria, bizneset private dhe qytetarët treguan një solidarizim maksimal për përballimin e situatës emergjente nga të gjitha këndvështrimet, por edhe në situatën e krijuar nga pandemia, ku të gjithë aktorët dhe faktorët u bënë bashkë duke treguar rezistencë për të përballuar një të papritur të jashtëzakonshme.
Kjo na ka mësuar që ne si politikëbërës, si anëtarë të qeverisë, duhet të mendojmë më shumë për ndërtimin e themeleve dhe për ndërtimin e një ekonomie rezistente, arsimimi dhe formimi profesional të qytetarëve rezistent, por edhe të një planeti rezistent. Diskutimet që do të bëhen në ditën e sotme i shërbejnë këtij qëllimi të përgjithshëm që ne kemi, pra të krijojnë një shoqëri rezistente, qytetarë rezistentë dhe një planet rezistent.
Çështjet e ndryshimeve klimaterike dhe çështjet e vizionit për një shoqëri më “green” kanë vite që diskutohen nëpër panele ndërkombëtare dhe angazhimi ynë i brendshëm, por kah ndërkombëtarëve, ka qenë gjithmonë drejt marrjes së masave për një ekonomi dhe financë “green”.
Sot, nëpërmjet konferencës “Mundësitë e gjelbra në sektorin financiar” ne pikërisht do të hedhim një hap më tutje drejt diskutimit të këtyre problematikave për çdo sektor dhe jam e bindur që në fund të kësaj konference do të kemi ide të reja dhe angazhime të reja. Por puna nuk ka filluar sot dhe dua të vlerësoj dhe falënderoj institucionet e pranishme sot këtu për kontributin që kanë dhënë në këtë drejtim.
Ndryshimet klimaterike janë një kërcënim potencial për shoqëritë dhe ekonomitë dhe shoqërohen me kosto të larta mjedisore, ekonomike dhe sociale, ndaj gjithnjë vlerësohen alternativa të reja për të adresuar këto sfida të cilat kërkojnë përpjekje nga qeveritë, jo vetëm institucionale dhe në kuadrin politikëbërës dhe ligjbërës, por edhe angazhim financiar të gjithë qeverive.
Raport progresi i fundit i Bashkimit Europian, në lidhje me “Axhendën e Gjelbër dhe ndërlidhjen e qëndrueshme”, ka theksuar progresin e bërë nga Shqipëria në kuadrin rregullator të fushës së transportit dhe energjisë. Aktualisht qeveria shqiptare po zbaton një plan shumë ambicioz për të zgjeruar prodhimin e energjisë së rinovueshme, sfidë kjo e diktuar edhe nga situata e jashtëzakonshme që po kalojmë, por që nuk ka filluar e diktuar nga kjo situatë. Ne kemi ndërmarrë një reformim të sektorit energjetik ku sigurisht diversifikimi ka qenë kryefjalë, diversifikimi në kuadër të prodhimit të gjelbër të energjisë elektrike.
Të gjithë këtu që jeni prezent në sallë e dini fort mirë se në Shqipëri 99 % e prodhimit të energjisë elektrike është i gjelbër dhe ne nuk kemi problematika të llojit që kanë vendet e rajonit dhe vendet e BE në këtë drejtim. Megjithatë, në të gjithë strategjitë tonë të zhvillimit në afatmesëm dhe afatgjatë do të vijohet me këtë strategji e cila është në mbështetje të një ekonomie më të gjelbër.
Nga ana tjetër, ne kemi sfida të tjera sa i përket menaxhimit më të mirë të burimeve hidrike, biodiversiteti, natyrës, etj. Këto angazhime janë në programet qeveritare, në Programin e Reformave Ekonomike, Planit Ekonomik dhe të Investimeve të Komisionit Europian dhe Axhendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, e aprovuar edhe nga Shqipëria në dhjetor të vitit 2020, që janë kryesisht të fokusuara në investime moderne, të gjelbra dhe të fokusuar te njerëzit.
Ndonëse gjatë viteve të fundit ne jemi marrë me menaxhimin e krizave, siç përmenda më sipër, ne nuk e kemi humbur drejtimin drejt zhvillimit të një ekonomie më të gjelbër, një ekonomie më rezistente, për një shoqëri më rezistente.
Ne gjatë viteve të fundit kemi punuar dhe në drejtim të zhvillimit të sektorit financiar në sfidat e ekonomisë së gjelbër.
Në bashkëpunim edhe me sektorët publikë, institucionet financiare mund të ofrojnë produkte të ndryshme financimi me ndikim maksimal dhe me menaxhimin e duhur të rrezikut. Revolucioni digjital që ne e kemi nisur dhe po e zhvillojmë me hapa të shpejtë na lejon të arrijmë përmes inovacioneve harmonizimin e sistemeve financiare me Objektivat e Zhvillim të Qëndrueshëm (SDG).
Përmes Strategjisë Afatmesme të Menaxhimit të Financave Publike 2023-2025, një prej strategjisë kryesore të MFE, ne synojmë të përfshijmë praktikat e gjelbra në procesin e planifikimit dhe zbatimit të buxhetit. Krahas instrumenteve tradicionale të huamarrjes, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, me mbështetjen e Bankës Botërore, është duke marrë në konsideratë përdorimin e instrumenteve blu apo të gjelbër, të cilët gjerësisht po përdoren tashmë në botë, por edhe në rajonin tonë.
Për Qeverinë Shqiptare dhe Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, në fokus të punës sonë për të ardhmen do të jetë:
- Përgatitja e udhëzimeve të qarta dhe të parashikueshme për integrimin e objektivave klimatike në planet shpenzimeve dhe investimit. Ne nuk do të përfshijmë këto vetëm në projeksionet tona të buxhetit, por edhe në zbatimet e tij. Ne komponentin “green” do ta përfshijmë gjithashtu në të gjitha kurikulat e arsimit profesional, pasi është e rëndësishme që të punojmë në të gjitha drejtimet dhe në të gjitha nivelet për të arritur qëllimin e synuar.
- Ofrimi i garancive për investitorët e mundshëm dhe krijimi i një mjedisi të favorshëm për rritjen e investimeve të gjelbra, do të jetë gjithashtu një nga objektivat e punës sonë në afatmesëm.
- Reduktimi i barrierave për financimet e gjelbra, duke krijuar një kuadër të besueshëm dhe të qëndrueshëm rregullator për investimet afatgjata, do të jetë bazë e punës sonë..
- Gjithashtu, jemi duke punuar për përafrimin e politikave fiskale dhe buxhetore me objektivat e rritjes së gjelbër. Sigurimi i stimujve të duhur fiskalë për të mobilizuar investime që i rezistojnë ndryshimeve klimatike do të jetë baza e rishikimeve që sapo përmenda.
- Nga ana tjetër, ne do të punojmë për forcimin e institucioneve publike me qëllim që të jenë të gatshme për t’ju përgjigjur të gjitha sfidave të gjelbra.
Të nderuar kolegë,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve të ndryshme ndërkombëtare dhe partnerë, në përfundim të fjalës sime dëshiroj të theksoj rëndësinë që ka puna jonë e përbashkët në arritjen e qëllimeve në dobi të brezave të ardhshëm dhe të shoqërisë në përgjithësi, sidomos përkundrejt agjendës ambicioze të Bashkimit Europian për një zhvillim të qëndrueshëm.
Ju uroj diskutime të frytshme për një temë kaq të rëndësishme, e cila do të jetë baza dhe themeli i zhvillimit të qëndrueshëm në të ardhmen.
Ju faleminderit!