Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, zhvilloi një takim me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, dhe përfaqësues të shoqatave të eksportuesve në vend në lidhje me efektet që po jep te ky sektor zhvlerësimi i monedhës euro.
Ky takim u zhvillua në vijim të takimit të datës 3 Maj që Ministrja Ibrahimaj zhvilloi me bizneset eksportuese, në ambientet e MFE, ku u vlerësua e nevojshme organizimi i një tryeze diskutimi me prezencën edhe të Bankës së Shqipërisë.
Të gjitha palët diskutuan në frymën pozitive ku u konsiderua i drejtë shqetësimi i tyre, ndërsa u sugjeruan edhe mundësitë e marrjes së disa masave të koordinuara edhe në aspektin financiar.
Nga ana e eksportuesve të pranishëm ishin z. Zak Topuzi, Shoqata Shqiptare e Turizmit z. Lumtor Shkreli, Bashkimi i Industrialistëve në Shqipëri, z. Edvin Prence dhe z. Florjon Zekja, Shoqata Proeksport Albania, z. Filip Gjoka, Shoqata e Bimëve Mjekësore dhe Aromatike.
Gjatë fjalës së saj, Ministrja Ibrahimaj ritheksoi se pasja e një kursi fleksibël ndihmon ekonominë në nivel makro, si edhe ka qenë një ndihmesë në përballimin e krizave të njëpasnjëshme me sukses.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë u angazhuan për të ndjekur dhe monitoruar me kujdes situatën me kursin e këmbimit dhe ndikimin e tij në sektorin e eksportit. Ne do të vazhdojë përpjekjet e përbashkëta për të lehtësuar situatën nga ana fiskale si dhe bashkëpunimin me sistemin bankar.
Në vijim u dakordësua për zhvillimin e një takimi të përbashkët me këto shoqata dhe Shoqatën Shqiptare të Bankave për të vlerësuar situatën dhe për të parë mundësitë e mbështetjes së mëtejshme.