Ministrja Ibrahimaj: Zhvillimi i tregjeve të kapitalit do të rrisë konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Ministrja Ibrahimaj: Zhvillimi i tregjeve të kapitalit do të rrisë konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, mori pjesë në tryezën e diskutimit “Mbi zhvillimin e tregjeve të kapitalit”, organizuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, pas miratimit nga Këshilli i Ministrave të Dokumentit të Politikave “Për krijimin e një mjedisi mundësues për zhvillimin e tregjeve të kapitalit në Shqipëri, 2023-2027”. Të pranishëm në këtë tryezë ishin dhe Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF, Ervin Mete, Zv.Guvernatorja e parë e Bankës së Shqipërisë, zj. Luljeta Minxhozi, drejtues të bankave tregtare, fondeve të investimeve, Bursës, si edhe aktorë të tjerë të tregjeve të kapitalit.

Në fjalën e saj, Ministrja Ibrahimaj vlerësoi organizimin e këtij eventi, si një mundësi shumë e mirë ku të gjithë aktorët të diskutojnë në drejtim të zhvillimit të tregjeve të kapitalit në vendin tonë.
Ministrja theksoi faktin se qeveria ka punuar ndër vite për hartimin e bazës ligjore përkatëse, si ligji për tregjet e kapitalit, ligji për sipërmarrjet e investimeve kolektive, apo ligji për fondet e pensioneve private që pritet të miratohet së shpejti në Parlament. Por sipas ministres, miratimi i dokumentit politik, i cili shoqërohet me një plan të mirëpërcaktuar do të ndihmojë në arritjen e qëllimit për zhvillimin e tregjeve të kapitalit, ndërsa nënvizoi rëndësinë që Strategjia që ndiqet me një plan komunikimi dhe edukimi për gjithë bizneset dhe investitorët shqiptarë.
“Unë besoj se është shumë e rëndësishme ajo që ka ndodhur, pra oferta e parë publike, por ne nëpërmjet dokumentit të politikave jemi angazhuar që disa prej Sh.A-ve shtetërore, të cilat janë financiarisht të suksesshme, të mund të fillojnë të bëjnë edhe ato ofertat e tyre publike. Kjo do të ndikojë në tërheqjen akoma më të madhe të bizneseve për ta përdorur këtë instrument si formë e rritjes së sigurisë së financimit të tyre, por do të ndikojë në përgjithësi në terma makro në rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare, në krijimin e një mjedisi më transparent i cili padyshim dhe për vetë bizneset do të ndikojë në rritjen e eficencës së funksionimit të tyre”, u shpreh Ibrahimaj.
Ministrja shprehu bindjen se me punën e bërë deri më tani dhe me hapat që do të ndërmerren në vijim, klima e biznesit në vend do të përmirësohet dhe ekonomia do të bëhet më konkurruese, do të ketë një rritje të përfshirjes financiare dhe do të krijohen vende të reja pune.
“Benefitet në drejtim të zhvillimit ekonomik falë ndërmarrjes së këtyre hapave janë shumë të mëdha në të gjitha drejtimet. Investimi në tregjet e kapitalit dhe kjo formë e re e investimit do të ulë dhe riskun e financimit që tashmë është i mbajtur vetëm nga bankat dhe gjithashtu do të sjellë aktorë të rinj në tregun e bonove dhe të obligacioneve ku pjesën më të madhe e ka qeveria shqiptare”, vijoi Ministrja.
Nga ana e tij, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF, Ervin Mete, u ndal te rëndësia e zhvillimit të tregjeve të kapitalit si burim potencial ende i pashfrytëzuar për diversifikimin e alternativave të investimit, si edhe të mundësive të financimit. Z. Mete u shpreh se Dokumenti i Politikave është një strategji për zhvillimin e tregjeve të kapitalit, me objektiva konkretë, i cili kërkon ndërveprimin e të gjithë aktorëve me rol kyç, si Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Banka e Shqipërisë, si edhe operatorët e tregut.
Objektivat kryesorë strategjikë të dokumentit janë: rritja e pjesëmarrjes së emetuesve, listimi i kompanive me kapital shtetëror, zgjerimi i bazës së investitorit dhe zgjerimi i gamës së instrumenteve financiare, siç janë instrumentet e gjelbra (green), eficienca dhe transparenca e tregut të kapitaleve, si edhe zhvillimi i tregut sekondar të Titujve. Dokumenti analizon situatën e tregut të kapitaleve në Shqipëri dhe infrastrukturën e tij, duke propozuar ndërmarrjen e planeve konkrete të veprimit për zhvillimin e tregut të kapitaleve përgjatë një periudhe 5-vjeçare.

Fjala e Ministres Ibrahimaj:

Mirëdita të gjithëve,

Faleminderit Ervin,

Në radhë të parë dua t’ju përgëzoj për këtë tryezë dhe formën e organizimit të saj, pasi nuk është një konferencë tipike ku ne paraqesim arritjet, por është një forum ku marrim pjesë të gjithë aktorët dhe faktorët, përfituesit e dokumentit të politikave por edhe të punës shumëvjeçare që Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë dhe Bankën e Shqipërisë, ka bërë në drejtim të zhvillimit të tregjeve të kapitalit.
Ne këtu kemi përfaqësues nga bankat, nga fondet e investimeve, nga biznesi privat, nga institucionet ndërkombëtare që na kanë këshilluar ndër vite me qëllim hartimin e politikave të duhura për arritjen e qëllimit të zvillimit të tregjeve të kapitaleve. Gjej rastin t’ju përgëzoj për atë që sapo u përmend, për ofertën e parë publike, pasi është e rëndësishme që ne të kemi një rast të parë, i cili do të shërbejë si shembull dhe për mënyrën e funksionimit të të gjithë akteve rregullative që kemi miratuar ndër vite, por edhe duhet përdour në formë promovimi pasi unë besoj fort se përveç gjithë bazës ligjore, bazës rregullative, dokumenteve për zhvillimin e politikave dhe planet që e ndjekin atë, është e rëndësishme që kjo strategji të ndiqet me një plan komunikimi dhe edukimi për gjithë bizneset dhe investitorët shqiptarë.
Ne ndër vite kemi hartuar bazën ligjore, kemi miratuar ligjin për tregjet e kapitalit, i cili ka hedhur bazat për zhvillimin e këtij tregu, ndërkohë që kemi miratuar dhe ndryshime në ligjin për sipërmarrjet e investimeve kolektive apo në ligjin për fondet e pensioneve private, të cilin e kemi kaluar në qeveri dhe presim të miratohet në Parlament. Të gjitha këto ligje ndërtojnë ambientin e nevojshëm për të zhvilluar tregjet e kapitalit, por dokumenti i politikave që u miratua këtë vit, i cili është një dokument strategjik me një plan 4 vjeçar të mirëpërcaktuar, do të na ndihmojë me qëllim zhvillimin e tregjeve të kapitalit.
Unë besoj se është shumë e rëndësishme ajo që ka ndodhur, pra oferta e parë publike, por ne nëpërmjet dokumentit të politikave jemi angazhuar që disa prej Sh.A-ve shtetërore, të cilat janë financiarisht të suksesshme, të mund të fillojnë të bëjnë ofertat e tyre publike dhe kjo do të ndikojë në tërheqjen akoma më të madhe të bizneseve për ta përdorur këtë instrument si formë e rritjes së sigurisë së financimit të tyre, por do të ndikojë në përgjithësi në terma makro në rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare, në krijimin e një mjedisi më transparent i cili padyshim dhe për vetë bizneset do të ndikojë në rritjen e eficencës së funksionimit të tyre.
Nga ana tjetër, jam e bindur se ecuria e zhvillimit të tregjeve të kapitalit ndikon dhe në klimën e të bërit biznes në Shqipëri. Jam e bindur se me hapat që do të ndërmarrim edhe klima e të bërit biznes do të përmirësohet, ndërkohë që padyshim do të krijohen vende të reja pune, do të ketë një rritje të përfshirjes financiare. Pra benefitet në drejtim të zhvillimit ekonomik falë ndërmarrjes së këtyre hapave janë shumë të mëdha në të gjitha drejtimet.
Në fund sigurisht që investimi në tregjet e kapitalit dhe kjo formë e re e investimit do të ulë dhe riskun e financimit që tashmë është i mbajtur vetëm nga bankat dhe gjithashtu do të sjellë aktorë të rinj në tregun e bonove dhe të obligacioneve ku pjesën më të madhe e ka qeveria shqiptare.
Unë uroj që kjo tryezë të dalë me rekomandime pse jo mbi dokumentin e politikave, ndonëse ky është një dokument i cili është komunikuar dhe diskutuar me grupet e interesit, dhe uroj që të gjithë bashkë të punojmë me qëllim që të arrijmë objektivat e përcaktuara në dokumentin e Strategjisë për Zhvillimit të Tregjeve të Kapitalit, e pse jo pas një viti të mblidhemi përsëri këtu për të analizuar ecurinë dhe për të parë se çfarë mund të bëjmë më mirë.
Faleminderit.

Previous Shkolla e Drejtorëve tashmë edhe për arsimin dhe aftësimin profesional/ Ministrja Kushi: Hap i rëndësishëm për një sistem arsimor cilësor dhe të barabartë