Ministrja Koçiu në Durrës: Institucionet në gatishmëri të plotë, hidrovorët funksionalë për menaxhimin e situatës së reshjeve
Të gjitha strukturat shtetërore dhe vendore janë në gatishmëri të plotë për përballimin e situatës së krijuar nga reshjet e dendura në Durrës, ndërsa funksionimi paralel i dy hidrovorëve ka shmangur përkeqësimin e situatës në qytet.
Gjatë një inspektimi në hidrovorin e ri të Bashkisë së Durrësit, Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, bëri të ditur se institucionet përgjegjëse ndodhen në terren dhe po monitorojnë nga afër zhvillimet, duke theksuar se 12 orët në vijim mbeten kritike për menaxhimin e situatës dhe garantimin e sigurisë së qytetarëve. Paralelisht, ka nisur edhe procesi i vlerësimit të dëmeve në disa zona të prekura. Ministrja apeloi për shmangien e lëvizjeve të panevojshme dhe respektimin e udhëzimeve të autoriteteve lokale.
Kryetarja e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako, konfirmoi se infrastruktura kritike po funksionon pa ndërprerje. Hidrovori i ri, i ndërtuar me fonde qeveritare, ka qenë në funksion të plotë prej rreth 48 orësh me të gjitha pompat aktive, ndërsa hidrovori ekzistues po operon me gjashtë pompa dhe kapacitete rezervë të furnizimit me energji elektrike.
Sipas autoriteteve, monitorimi i situatës vijon 24 orë në ditë dhe të gjitha strukturat e emergjencave civile janë të gatshme për të reaguar ndaj çdo zhvillimi të mëtejshëm, me fokus parësor mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve.