Ministrja e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, në vizitën e sotme në Spitalin Rajonal të Kukësit, ka parë nga afër investimin e rëndësishëm për rikonstruksionin e këtij spitali. Krahas tjetërsimit të godinës, Koçiu është ndalur edhe në rëndësinë e
aparaturës së re të densitometrisë kockore që ka rritur kapacitetet diagnostikuese, por edhe pajisjet e tjera që do të shtohen me buxhetin e vitit 2024.
‘Qeveria e Shqipërisë, Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale në buxhetin e vitit 2024 do të vijojë me investime në pajisje mjekësore të teknologjisë së lartë në kuadër të fuqizimit dhe modernizimit të diagnostikës në spitalet publike.
Investimet dhe ndërhyrjet e rëndësishme në spitalet publike të vendit, për trajtimet e patologjive të ndryshme do të përmirësojnë jo vetëm nivelin diagnostikues, por pacientët do të marrin shërbime cilësore e sa më pranë vendbanimit të tyre.’ – ka thënë ministrja Koçiu.
Koçiu ka folur edhe për rëndësinë e aparaturës së re që ka lehtësuar shërbimin ndaj pacientëve.
‘Bashkë me mjekët e Spitalit Rajonal të Kukësit, krahas investimit të rëndësishëm që po kryejmë në rikonstruksionin e plotë të këtij spitali, vënia në shërbim të aparaturës së re të densitometrisë kockore ka rritur kapacitetet diagnostikuese’. – është shprehur ministrja Albana Koçiu.