Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Albana Koçiu priti në një takim Ambasadorin e Republikës së Turqisë z. Tayyar Kağan Atay, gjatë së cilit vlerësoi partneritetin strategjik dhe marrëdhëniet tradicionalisht shumë të mira dhe miqësore me Republikën e Turqisë.
Ministrja shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Turqia ka dhënë për Shqipërinë, si për lehtësimin e pasojave të tërmetit të nëntorit 2019, pandemisë së Covid-19, dhe së fundmi me ndërtimin e Spitalit të ri Rajonal Memorial Fier, i cili me pajisjet më bashkëkohore dhe stafin e përbashkët shqiptaro-turk, i shërben të gjithë qytetarëve të rajonit të Jugut.
Gjithashtu, gjatë këtij takimi u diskutua për ecurinë e mirë të bashkëpunimit në fushën e mjekësisë, si dhe shkëmbimin e ekspertizës teknike në rrugën e digjitalizimit të shërbimeve, për të mbështetur më tej sistemin shëndetësor publik.
Ambasadori turk përgëzoi ministren Koçiu për marrjen e detyrës së re si ministre dhe i përcolli urimet më të përzemërta në emër të homologut të saj turk në krye të Ministrisë se Shëndetësisë, z. Fahrettin Koca, si dhe e ftoi në emër të ministrit për pjesëmarrje në aktivitetin “Inteligjenca Artificiale në Shëndetësi”, i cili zhvillohet në Stamboll, ku temë kryesore do të jetë shëndeti publik dixhital “e-health”, ftese të cilën znj. Koçiu e pranoi me kënaqësi.