Ministrja Kumbaro: Finalizohen përgatitjet për Maturën Shtetërore 2026, nis hartimi i Strategjisë së re të Arsimit Parauniversitar
Ministria e Arsimit ka finalizuar përgatitjet për zhvillimin e provimeve të Maturës Shtetërore 2026, ndërsa paralelisht më 1 qershor nis puna për hartimin e Strategjisë së re Kombëtare të Arsimit Parauniversitar 2027-2032, një dokument që do të orientojë zhvillimin e sistemit arsimor në përputhje me prioritetet kombëtare dhe procesin e integrimit evropian. Në këtë kuadër, kapitujt 25 “Shkenca dhe Kërkimi” dhe 26 “Arsimi dhe Kultura”, që drejtohen nga Ministria e Arsimit, konsiderohen ndër të parët që do të përmbyllen në negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Gjatë një konference për mediat, Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, bëri të ditur se provimi i parë i Maturës Shtetërore, ai i gjuhës së huaj, do të zhvillohet më 2 qershor, ndërsa provimet e tjera do të vijojnë më 9, 16 dhe 23 qershor.
Përgatitjet për procesin e maturës kanë nisur që në dhjetor 2025, me miratimin e rregullores së re dhe publikimin online të modeleve të provimeve. Një pjesë e rëndësishme e procesit ka qenë zhvillimi i testeve provë në kushte të njëjta me provimet zyrtare, me qëllim familjarizimin e maturantëve me formatin e testimit dhe forcimin e përgatitjes së tyre emocionale. Në të gjithë vendin janë ngritur 144 qendra provimi, ndërsa mbi 170 monitorues të Ministrisë së Arsimit do të ndjekin procesin në terren.
Ministria ka ashpërsuar rregulloren e maturës krahasuar me vitin e kaluar, duke përcaktuar detyrime dhe sanksione të qarta për të gjithë aktorët e përfshirë në administrimin e provimeve. Po ashtu, vijon fushata sensibilizuese për maturantët lidhur me rregullat gjatë testimit, ku pajisjet elektronike, përfshirë telefonat celularë dhe orët inteligjente, mbeten rreptësisht të ndaluara. Çdo shkelje e këtyre rregullave sjell përjashtim të menjëhershëm nga provimi.
Paralelisht me procesin e maturës, Ministria e Arsimit po vijon pilotimin e programit “Pas Shkolle”, i cili aktualisht zbatohet në 45 shkolla në Tiranë dhe dy shkolla në Kamëz. Programi përfshin mbështetjen për kryerjen e detyrave të shtëpisë, si edhe klube të artit, muzikës, teatrit, kërcimit dhe zejeve për nxënësit e klasave I-V. Në Tiranë janë angazhuar 308 mësues dhe rreth 4500 nxënës, ndërsa në Kamëz marrin pjesë 17 mësues dhe 240 nxënës. Ministria po përgatit gjithashtu bazën ligjore që do t’u mundësojë bashkive investime në mensat shkollore, si pjesë e zgjerimit gradual të këtij programi.
Ndërkohë, programi “Art dhe Zeje” vijon të zbatohet në 300 shkolla në vend, ndërsa aktivitetet sportive shkollore kanë përfshirë mbi 10 mijë nxënës në volejboll dhe basketboll në 274 shkolla të 12 qarqeve. Për herë të parë, në program është përfshirë edhe shahu, me pjesëmarrjen e 670 nxënësve, ndërsa për vitin e ardhshëm synohet zgjerimi me ping-pongun.
Një tjetër prioritet mbetet hartimi i Strategjisë së re Kombëtare të Arsimit Parauniversitar 2027-2032, e cila do të zhvillohet në bashkëpunim me UNICEF dhe me përfshirjen e institucioneve, mësuesve, nxënësve, partnerëve zhvillimorë dhe shoqërisë civile. Strategjia synon t’i përgjigjet sfidave të reja, përfshirë transformimin teknologjik, inteligjencën artificiale, forcimin e të nxënit bazë dhe lidhjen më të fortë mes arsimit, punësimit dhe mirëqenies, duke vendosur nxënësin në qendër të procesit arsimor.
Në të njëjtën linjë, ministria vijon programin e zhvillimit profesional të mësuesve, ku mbi 20 mijë mësues do të trajnohen nga Agjencia Kombëtare e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin Parauniversitar, në bashkëpunim me nëntë universitete publike.
Për arsimin e lartë, ministrja Kumbaro u shpreh se po vijon rishikimi i ligjit, përmes konsultimeve me universitetet dhe ekspertët, me synimin për ta përshtatur sistemin me zhvillimet teknologjike, sfidat e tregut evropian dhe procesin e ndërkombëtarizimit. Në fokus mbetet edhe profilizimi i universiteteve, me synim forcimin e konkurrueshmërisë së tyre dhe orientimin drejt specializimeve që u përgjigjen më mirë nevojave të tregut të punës dhe objektivave të Shqipërisë 2030.