Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro në vijim të takimeve dedikuar arsimit profesional në këtë vit të ri shkollor vizitoi shkollën e mesme profesionale “Hysen Çela” në Durrës, shoqëruar nga kryebashkiakia Emiriana Sako dhe zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani.
Nga më shumë se 800 nxënës që kanë zgjedhur të mësojnë në këtë shkollë, rreth 430 prej tyre mësojnë në drejtimin e hoteleri-turizmit me profile bar-restorant, kuzhinë-pastiçeri dhe shërbime në hotel e restorant. Gjithashtu drejtimi i detarisë me dy profilet e tij është i lidhur ngushtë me sektorin e turizmit.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit u shpreh se qasjet e reja në qeverisje dhe sistemin arsimor kanë synuar orientimin e nxënësve, por edhe prindërve drejt arsimit profeisonal, që shpesh ka qenë i paragjykuar.
“Ka pasur një lloj paragjykimi për shkollat profesionale, ndërkohë që puna e solli që ekonomia dhe tregu të ecin në një mënyrë të tillë që të jenë shumë më të kërkuar në treg të formuarit në shkolla profesionale”, u shpreh ministrja Kumbaro gjatë vizitës në ambientet e shkollës ku bisedoi nga afër me nxënësit e mësuesit për ofertat e punësimeve dhe u njoh me aspekte praktike të procesit mësimor në këtë shkollë.
Nga Durrësi, ministrja Kumbaro prezantoi edhe instrumentin e ri të statistikave, platformën “eVisitors” si përpjekje për të formalizuar kapacitetet e strukturave akomoduese.
“Kemi një shfrytëzim shumë më të madh të numrit të kapaciteteve të shtretërve të cilët do të orientohen përmes një instrumenti të ri që ne po ndërtojmë, një platforme që do të quhet eVisitors për statistikat dhe për të kuptuar realisht sa është kapaciteti i shtretërve, numri i vizitorëve, preferencat e tyre, por kemi nisur edhe marrëdhëniet me “Airbnb” për të formalizuar gjithë këtë treg. Dhënia e apartamenteve në platforma si “Airbnb” duhe të shkojë në proporcion me industrinë e turizmit, hotelet, restorantet sepse ato krijojnë punësim, por edhe për të mos dëmtuar tregun imobilar. Do të ndihmojë dhe bashkitë me atë që quhet “taksa e turistit”, u shpreh ministrja Kumbaro.
Kumbaro foli edhe për vlerësimin që i është bërë arsimit profesional përmes rritjes së pagave të mësueve.
Me aktin Normativ Gusht 2024, u alokuan 240 milionë lekë shtesë për investimet e reja në Arsim Profesional 2024, me një buxhet total investime prej 2.8 miliard lekë për periudhën 2024-2026.
Në projekt-buxhetin 2025-2027 do përfshihen gjithashtu investime për laboratorë, shkolla dhe qendra të formimit profesional.