Ministrja Kumbaro: Përgatitjet dhe risitë për vitin e ri shkollor, programi “Pas Shkolle” shtrihet në mbi 400 institucione arsimore

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, zhvilloi një takim me drejtuesit e institucioneve të arsimit parauniversitar në të gjithë vendin, në kuadër të përgatitjeve për vitin e ri shkollor 2026-2027, i cili nis më 14 shtator.

Diskutimet u përqendruan te masat për mbarëvajtjen e procesit mësimor, infrastruktura dhe siguria në shkolla, zbatimi i kurrikulave të reja, si dhe krijimi i mjediseve mikpritëse për nxënësit dhe forcimi i komunikimit me prindërit dhe komunitetet arsimore.

Pjesë e përgatitjeve për këtë vit është edhe hapja e 42 objekteve arsimore dhe terreneve të reja sportive, të pajisura me kushte bashkëkohore për mësimdhënien.

Viti shkollor 2026-2027 sjell edhe zbatimin e kurrikulave të reja për klasat 1, 6 dhe 10, si dhe shpërndarjen falas të teksteve të reja shkollore për nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën. Në shkolla do të vijojë gjithashtu zbatimi i udhëzimit për ndalimin e celularëve.

Një tjetër risi është zgjerimi i programit “Pas Shkolle” në më shumë se 400 institucione arsimore. Programi synon të plotësojë përvojën e nxënësve në shkollë edhe pas përfundimit të orarit mësimor, përmes aktiviteteve sociale, artistike, sportive, artizanale dhe veprimtarive të tjera të zhvilluara në bashkëpunim me komunitetin.

Ndërkohë, vijon faza e dytë e regjistrimeve për klasën e parë dhe të dhjetë. Procesi, i nisur më 24 gusht, do të qëndrojë i hapur deri më 7 shtator.