Ministrja Kumbaro: Qeveria miraton aktin e fundit nënligjor për kërkimin shkencor, drejt mbylljes së Kapitullit 25 të integrimit në BE
Këshilli i Ministrave ka miratuar aktin e 12-të nënligjor në zbatim të ligjit për shkencën të vitit 2024, duke përmbyllur kuadrin rregullator për organizimin e kërkimit shkencor në Shqipëri dhe duke shënuar një hap të rëndësishëm në procesin e integrimit evropian.
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, bëri me dije se paketa e plotë nënligjore synon harmonizimin e sistemit të kërkimit me direktivat dhe rregulloret e Bashkimit Evropian, në bashkëpunim të ngushtë me institucionet shqiptare dhe Komisionin Evropian. Me këtë vendim, Shqipëria përmbush një nga detyrimet kryesore në kuadër të Kapitullit 25 (Shkenca dhe Kërkimi Shkencor), i cili konsiderohet ndër kapitujt më të avancuar në procesin e negociatave dhe pritet të jetë ndër të parët që do të mbyllen.
Zbatimi i këtij kuadri krijon mundësi të reja për universitetet publike dhe jopublike, institucionet kërkimore dhe sektorin privat, duke lehtësuar zhvillimin e njësive kërkimore dhe përfshirjen në projekte ndërkombëtare. Institucionet shqiptare tashmë kanë një bazë të plotë ligjore për t’u integruar në hapësirën evropiane të kërkimit dhe për të marrë pjesë në konsorciumet evropiane të infrastrukturës kërkimore, me të drejta të barabarta me vendet anëtare.
Në të njëjtën kohë, qeveria ka rritur ndjeshëm mbështetjen financiare për kërkimin shkencor. Krahasuar me vitin 2022, financimi është trefishuar, duke përfshirë jo vetëm buxhetin e Ministrisë së Arsimit, por edhe investimet e institucioneve të tjera publike në fusha si shëndetësia, bujqësia, siguria dhe infrastruktura. Rritja e mëtejshme e këtij financimi mbetet një nga objektivat kryesorë për përmbushjen e standardeve evropiane.
Progresi në këtë fushë është vlerësuar pozitivisht nga Komisioni Evropian, ndërsa së bashku me Kapitullin 26 (Arsimi dhe Kultura), Kapitulli 25 pritet të përmbyllet në vijim të procesit negociues, si rezultat i një pune të koordinuar ndërinstitucionale.