Këshilli i Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeveria e Izraelit nënshkruan programin e bashkëpunimit në fushat e arsimit, shkencës, kulturës, rinisë dhe sportit për vitet 2022-2025. Kjo marrëveshje në emër të palës shqiptare u nënshkrua nga Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi, dhe në emër të qeverisë së Izraelit nga ambasadori i Izraelit në Tiranë Sh.T.Z. Noah Gal Gendler.
Ky program synon rritjen e bashkëpunimit midis institucioneve të të dy shteteve, mbi bazën e barazisë dhe respektit reciprok, në përputhje me legjislacionet kombëtare të dy palëve dhe legjislacionin ndërkombëtar.
Bashkëpunimi në fushën e arsimit synon nxitjen e shkëmbimit të përvojës, informacionit, dokumentacionit dhe ekspertëve në fushat e sistemit arsimor, organizimit dhe drejtimit të shkollave, arsimimit të studentëve me aftësi të kufizuara, mësimin e gjuhëve të huaja, kulturës dhe trashëgimisë, arsimimin e të rriturve dhe për gjatë gjithë jetës, zhvillimin e aftësive të jetës, arsimin dhe formimin profesional, arsimin në arte, teknologji dhe inovacion dhe kërkimin në arsim mbi Holokaustin.
Dy shtetet do të ofrojnë edhe bursa specializimi për një vit akademik për studentët e diplomuar në një institucionet publike të arsimit të lartë në të dyja vendet.
Për sa i përket kulturës, Shqipëria dhe Izraeli do të nxisin nisma për të ndihmuar organizatat publike dhe private, si dhe individët e angazhuar në promovimin dhe sponsorizimin e aktiviteteve kulturore në të dyja shtetet.
Kjo marrëveshje nxit bashkëpunimin në lidhje me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, arkeologjinë dhe hulumtimeve të arkitekturës.
Bashkëpunime do të ketë edhe në fushën e letërsisë dhe panaireve të librit, ku palët do të punojnë për të promovuar përkthimin e prozës bashkëkohore, poezisë dhe veprave të tjera letrare të vendit të tyre në gjuhën e palës tjetër.
Në Sport do të nxitet bashkëpunimi në shkëmbimin e ekipeve sportive, trajnerëve dhe ekspertëve në disiplina të ndryshme.
Ndërsa në fushën e Rinisë palët do të mbështesin programe që nxisin shkëmbimin e të rinjve dhe programeve të përbashkëta.
Të tjera fusha bashkëpunimi do të jenë edhe kinematografia dhe audiovizualiteti, arkivat dhe libraritë.