Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi dhe Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja në shkollën e mesme “Luigj Gurakuqi”, ish-Normalja e Elbasanit, inspektuan punimet për rikonstruksionin e dy palestrave, fushën e basketbollit dhe volejbollit, minifushën e futbollit, këndin e gjimnastikës, si dhe trotuaret, lulishtet dhe ndriçimin në hapësirat e oborrit të shkollës.
Me mbështetje financiare nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, këto punime po kryhen me standardet më të mira bashkëkohore dhe në shtator do të jenë gati jo vetëm për rreth 1000 nxënësit dhe 62 mësuesit e shkollës, për zhvillimin e orëve të edukimit fizik dhe aktiviteteve e projekteve të shumta, por do t’i shërbejnë edhe të gjithë fëmijëve dhe të rinjve të komunitetit.
Ministrja Kushi gjatë inspektimit u shpreh se gjatë verës punonjësit e bashkisë kanë punuar për të riparuar shkollat e për t’i bërë gati ato në 11 shtator.
“Unë jam shumë e kënaqur. Në fakt gjatë kësaj periudhe të gjitha bashkitë janë fokusuar në përgatitjen e infrastrukturës arsimore për të qenë gati me fillimin e shkollës me 11 shtator. Një pjesë e tyre me mbështetje të ministrisë së arsimit dhe sportit kanë rikonstruktuar apo ndërtuar nga e para shkollat të reja, ndërkohë po punojnë edhe përgatitjet, riparimet, lyerjet e shkollave të tjera në mënyrë që të gjitha shkollat të jenë gati për të pritur nxënësit dhe mësuesit.”
Ministrja u shpreh kjo shkollë është qendër komunitare ku janë përfshirë projektet “Ekipet Sportive” dhe “Futbolli në Shkolla” dhe nxënësit aktivizohen në veprimtari sportive për të patur një jetë sa më të shëndetshme dhe për të qëndruar sa më larg fenomeneve negative sociale.
Ministrja Kushi u shpreh se në rikonstruksionin e shkollave dhe përgatitjen e tyre për fillimin e vitit të ri shkollor, një vëmendje të veçantë i është kushtuar edhe palestrave dhe terreneve sportive.
Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja tha se punimet janë realizuar në një kohë të shkurtër dhe kjo ishte një ndërhyrje radikale tek e gjithë infrastruktura e cila është në një sipërfaqe të gjerë. Z. Llatja tha se ky ambient i shërben lagjes, komunitetit mund të përdoret edhe nga “Kongresi i Elbasanit”, një nga lagjet qendrore të Elbasanit.