Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Bashkia e Elbasanit do të nënshkruajnë së shpejti një marrëveshje për kartën e studentit për studentët e Universitetit të Elbasanit. Lajmin e bëri të ditur Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi gjatë Konferencës së Dytë Ndërkombëtare Studentore në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan.
Ministrja u shpreh se me Bashkinë Elbasan tashmë është rënë dakord që në javët në vijim të nënshkruhet marrëveshja për kartën e studentit për studentët në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit.
“Unë e falënderoj shumë kryetarin e bashkisë sepse ne kemi rënë dakord që javët në vijim do të firmosim një marrëveshje për kartën e studentit në universitetin e Elbasanit. Tashmë kartën e studentit e kanë studentët e Universitetit të Tiranës, para pak kohësh nënshkruam marrëveshje edhe me Bashkinë e Durrësit dhe i treti në radhë është Elbasani. Së shpejti do ta kemi këtë kartë që fillimisht do të jetë me një numër të caktuar shërbimesh që i ofrohen studentëve, por që ne do të punojmë fort që kjo listë të pasurohet nga viti në vit. Në mënyrë që studentet tanë të përfitojnë sa më shumë. Dhe jo vetëm ata që janë qytetare të Elbasanit, por edhe shumë studentë që vijnë nga qytete e vende të tjera” – u shpreh ministrja.
Znj. Kushi shtoi se fillimisht karta e studentit në Elbasan do të ketë një numër të caktuar shërbimesh që i ofrohen studentëve, por u angazhua se do të punohet fort që kjo listë të pasurohet nga viti në vit, që studentët të përfitojnë sa më shumë.
Ministrja foli gjithashtu edhe për kredinë studentore.
“Jemi në fazën përfundimtare. Sapo e kemi draftuar vendimin e Këshillit të Ministrave, e kemi detyrim prej kohësh, por ka qenë pak e vështirë që ta përshtatim me kushtet tona. Ne kemi marrë modelet më të mira të vendeve të tjera të rajonit, por edhe më të zhvilluara. Tashmë kemi një draft final që besojmë se është formula më e mirë le të themi për kushtet e Shqipërisë” – nënvizoi Ministrja Kushi.