Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi ka vijuar vizitat në universitete për nisjen e vitit akademik, këtë herë në Universitetin e Arteve. Ministrja u prit nga rektori i Universitetit të Arteve Prof. Dr. Kastriot Çaushi, i cili theksoi se fillimi i këtij viti akademik ka qenë krejt normal.
Gjatë fjalës së saj me studentët dhe stafin akademik ministrja theksoi se java e parë e vitit akademik gjithmonë nis me disa procese, përveç procesit mësimor ka edhe procese si regjistrimi, ndarja nëpër klasa, orari. Ndërsa kjo javë e gjen universitetin më të stabilizuar dhe procesi mësimor i gjithë universitetit do të vijojë normalisht.
Më tej znj. Kushi vuri në dukje punën që Ministria e Arsimit po bën në disa drejtime dhe që lidhen ngushtësisht me Universitetin e Arteve.
“Jemi duke punuar së bashku me ekipin drejtues, rektorin dhe një pjesë të dekanëve e pedagogëve që edhe ky universitet me statusin e veçantë të ketë disa aspekte më shumë për zhvillimin, autonominë, kualifikimin, dhe besoj këtë vit do të punojmë intensivisht që ta përfundojmë këtë proces,” – theksoi ministrja.
Gjithashtu, znj. Kushi theksoi se puna vijon edhe për një paketë ndryshimesh dhe reformimi për shkollat artistike që të marrin një tjetër hov dhe gjallëri; për ndryshimin e Ligjit të Arsimit Parauniversitar. Ndërkohë, në janar nis programi i Artit, Zejeve dhe Sporteve fillimisht në 200 shkolla, me një zë të veçantë në buxhet.
Në mbyllje të fjalës së saj, ministrja nënvizoi se Universiteti i Arteve në procesin e ndërkombëtarizimit po ecën me hapa mjaft të mira.