Ministrja Pirdeni: Ligji i ri forcon transparencën dhe llogaridhënien në administratën publike

Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, deklaroi se ligji i ri për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore vendos një sistem të ri të kontrollit të performancës së institucioneve dhe standarde të reja për rekrutimin në administratën publike, ndërsa ligji i ri për shërbimin civil, që pritet të miratohet në javët në vijim, do të sjellë një model të ri për identifikimin dhe tërheqjen e talenteve.

Në fjalën e mbajtur gjatë aktivitetit përmbyllës të edicionit të tretë të Javës së Administratës Publike, ku ishte i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama, ministrja theksoi se ligji i ri forcon transparencën dhe llogaridhënien përmes një sistemi të ri të kontrollit të performancës së institucioneve të varësisë dhe raporteve vjetore publike.

Sipas saj, një tjetër reformë e rëndësishme është sistemi i ri i rekrutimit që do të hyjë në fuqi me ligjin e ri për shërbimin civil, me synimin për të përmirësuar mënyrën e identifikimit dhe përfshirjes së talenteve në administratën publike.

Ministrja Pirdeni nënvizoi se digjitalizimi mbetet shtylla kryesore e modernizimit të administratës publike, duke kontribuar në rritjen e efikasitetit të institucioneve dhe në forcimin e mekanizmave për parandalimin e abuzimeve.

Ministrja theksoi se gjatë dekadës së fundit janë ndërmarrë reforma të rëndësishme për modernizimin e administratës, përfshirë konsolidimin e sistemit të pagave dhe forcimin e kapaciteteve njerëzore, ndërsa objektivi mbetet ndërtimi i një administrate të konsoliduar, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.

Duke u ndalur te aktivitetet e organizuara në kuadër të Javës së Administratës Publike, ministrja Pirdeni bëri të ditur se është zhvilluar një takim me zyrat e karrierës në universitete për të forcuar lidhjen mes administratës dhe arsimit të lartë, si edhe është prezantuar një program i ri trajnimi dhe mirëpritjeje për punonjësit e rinj, me fokus integritetin dhe profesionalizmin.