Ministrja Sala: Fondi Social 2026 financon 14 shërbime të reja sociale, rritet buxheti dhe shtrirja në të gjithë vendin
Në aktivitetin “Fondi Social 2026 – Garanci për Qëndrueshmërinë e Shërbimeve për Mirëqenien e Qytetarëve”, ku morën pjesë Kryeministri Edi Rama dhe Ambasadori i Bashkimit Evropian, Silvio Gonzato, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Evis Sala, theksoi se programi synon të garantojë qëndrueshmërinë e shërbimeve sociale dhe të rrisë mirëqenien e qytetarëve në të gjithë vendin.
Sipas saj, rreth 46 mijë gra, fëmijë, të moshuar dhe persona me aftësi ndryshe kanë përfituar deri më tani nga shërbimet e financuara përmes Fondit Social. Në vitin 2019 ofroheshin vetëm 14 shërbime në 14 bashki, ndërsa në vitin 2026 numri i tyre ka arritur në 98 shërbime në të gjitha bashkitë e vendit, me një buxhet 6.5 herë më të lartë.
Fondi Social do të financojë 14 shërbime të reja gjatë vitit 2026, duke zgjeruar mbështetjen për fëmijët dhe nënat në nevojë, personat me aftësi ndryshe, të moshuarit, si edhe për gratë dhe vajzat viktima të dhunës.
12 shërbime të reja do të ngrihen në bashkitë Durrës, Përrenjas, Kurbin, Skrapar, Himarë, Kavajë, Vorë, Korçë, Mat, Patos, Cërrik dhe Kamëz, ndërsa dy shërbime të reja emergjence dhe linje këshillimi për fëmijë do të funksionojnë në nivel qarku. Shërbimet janë zhvilluar në bashkëpunim me pushtetin vendor, i cili do të mbajë përgjegjësinë për vijimin e financimit dhe ofrimit të tyre.
Ministrja bëri të ditur gjithashtu se rritja me 17% e buxhetit të Fondit Social dhe paketa historike prej 300 milionë eurosh, e vendosur në dispozicion të Programeve të Përkujdesjes Sociale në 2026, është dëshmi e forcimit të kapaciteteve dhe angazhimit për t’i qëndruar pranë çdo qytetari që ka nevojë për mbështetje.
Sala nënvizoi se zgjerimi i fondit është mundësuar përmes bashkëpunimit mes qeverisë, bashkive, partnerëve ndërkombëtarë, Bashkimit Evropian dhe organizatave që operojnë në terren, duke garantuar jo vetëm shtimin e shërbimeve, por edhe vazhdimësinë e tyre për komunitetet përfituese.