Ministrja Sala në Qendrën Kombëtare të Urgjencës: Gatishmëri e shtuar për sezonin e festave

Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore ka rritur kapacitetet operacionale për periudhën e festave, kur rritja e lëvizjes dhe flukseve e bën reagimin e shpejtë një element kyç të sigurisë publike. Gjatë një inspektimi në qendër, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, u njoh me funksionimin në kohë reale të sistemit të koordinimit të thirrjeve 127, menaxhimin e flukseve dhe vendosjen në gatishmëri të autoambulancave dhe motoambulancave në zonat me risk të shtuar.

Ministrja theksoi se urgjenca mjekësore po punon në kohezion të plotë me strukturat e sigurisë për t’u përgjigjur menjëherë në çdo rast emergjent. “Prioriteti ynë është që çdo thirrje të marrë përgjigje të menjëhershme dhe çdo qytetar të marrë ndihmën e duhur, kudo që ndodhet, një angazhim që garanton shërbim shëndetësor pa ndërprerje dhe mbarëvajtjen e sezonit festiv,” u shpreh Sala.

Drejtori i Urgjencës Kombëtare Mjekësore, Skënder Brataj, shpjegoi funksionimin e njësisë së koordinimit, e cila monitoron në çdo moment lëvizjen e autoambulancave dhe realizon kodifikimin e rasteve për prioritizim të menjëhershëm. Ai u ndal edhe te salla e emergjencës maksimale, e përdorur gjatë situatave kritike si tërmeti dhe pandemia, e cila aktivizohet në kohë zero në rast të ngjarjeve të jashtëzakonshme. Po ashtu, Brataj prezantoi sallën e trajnimeve, ku janë zhvilluar mbi 10 mijë trajnime dhe njoftoi se një qendër e ngjashme pritet të hapet së shpejti në Vlorë.

Qendra Kombëtare e Urgjencës, e cila ka trajtuar rreth 3,5 milionë thirrje dhe ka realizuar mbi 800 mijë misione në banesa përgjatë një dekade, ka trefishuar kapacitetet falë flotës së re të autoambulancave të pajisura me aparatura moderne. Ekipet vijojnë të jenë në gatishmëri të plotë, 24 orë në ditë, 7 ditë të javës.

Ministrja Sala vlerësoi stafet për profesionalizmin dhe rolin thelbësor në funksionimin e sistemit shëndetësor, ndërsa qendra iu bëri apel qytetarëve të telefonojnë 127 për çdo urgjencë mjekësore, duke garantuar mbulim të plotë dhe shërbim të standardeve më të larta gjatë gjithë sezonit festiv.