Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, mori pjesë në samitin virtual “Platforma e Krimesë” të kryesuar nga Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy.
Ministrja Xhaçka theksoi se lufta e tanishme në Ukrainë i ka rrënjët në pushtimin e Krimesë në vitin 2014, pasi sipas saj në atë kohë bota nuk reagoi ashtu siç duhej.
“Shqipëria ka mbështetur në maksimum Ukrainën dhe rezistencën e saj heroike, duke qenë një nga vendet e para që dërgoi municione, duke kontribuar në Konferencën e Donatorëve, duke miratuar ligjin e nevojshëm kornizë që na lejon të mirëpresim në vendin tonë ukrainasit që ikin nga lufta, duke u rreshtuar plotësisht me të gjitha sanksionet e BE-së dhe duke bërë maksimumin në Këshillin e Sigurimit, si bashkëpenëmbajtës me SHBA, për të mbështetur Ukrainën në mënyrë diplomatike dhe për të izoluar Rusinë”, tha ajo.
Sipas saj, çdo vend që beson në të drejtën ndërkombëtare duhet të mbështesë Ukrainën, në mënyrë që veprime të tilla të paligjshme të mos përsëriten nga vende të tjera.
“Duke mos e bërë këtë tani, do të rrezikonte të gjithë rendin e bazuar në rregulla ndërkombëtare, të gjithë arkitekturën e sigurisë në të cilën ne të gjithë mbështetemi për paqen dhe stabilitetin në botë dhe do të inkurajonte çdo vend dhe lider autoritar në botë, që të nisë të njëjtin kurs veprimi”, u shpreh ajo.
“Platforma e Krimesë”, është një mekanizëm ndërkombëtar i krijuar posaçërisht nga Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy, në vitin 2021, përpara fillimit të agresionit rus në Ukrainë, për të tërhequr vëmendjen ndërkombëtare ndaj problemit të Krimesë, në mënyrë që ta kthejë gadishullin në përbërje të Ukrainës.