Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, priti në një takim Drejtorin e Përgjithshëm të Drejtorisë së Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Zgjerimin të Komisionit Evropian, Gert Jan Koopman.
Ministrja Xhaçka theksoi se pas agresionit në Ukrainë, rajoni i Ballkanit Perëndimor është më vulnerabël se kurrë.
Sipas saj, është në interesin e BE-së që të afrojë drejt saj rajonin për të mos lejuar që të ketë regres në të gjithë arritjet e deritanishme.
Kryediplomatja shqiptare u shpreh se procesi i shqyrtimit të acquis të BE-së, deri më tani, është kryer me vendosmëri të lartë dhe se synimi i Shqipërisë në vitin 2023 është që Këshilli të miratojë raportin e shqyrtimit të grupit themelor në mesin e vitit dhe hapjen e klasteri në kuadër të konferencës së dytë ndërqeveritare deri në fund të vitit.
Kjo është vizita e parë e Drejtorit të Përgjithshëm për Fqinjësinë dhe Zgjerimin të Komisionit Evropian në rajon, pas marrjes së detyrës në janar të vitit 2023.