Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, priti në një takim Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Holandës, Wopke Hoekstra.
Ministrja Xhaçka vlerësoi bashkëpunimin e frytshëm mes dy vendeve, si dhe mbështetjen e Holandës në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
“Lajmi i mirë është që bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Holandës ka filluar të prekë edhe fusha që dikur do të kishte qenë e vështirë të mendoheshin. Këtu dua të përmend nismën shqiptaro–holandeze për të cilën kanë rënë dakord Kryeministrat Rama dhe Rutte e cila synon që të elaborojë idenë e Presidentit Macron për një Komunitet Politik Evropian në një plan konkret me disa pika, e cila pra, vendos një marrëdhënie konkrete bashkëpunimi për hartimin e këtij dokumenti që do të paraqitet në tetor të këtij viti në Samitin e Pragës për Ballkanin Perëndimor”, u shpreh kryediplomatja shqiptare.
Ministrja Xhaçka foli edhe për vendimin e qeverisë shqiptare për të ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin, duke u shprehur se kjo vjen si kundërpërgjigje ndaj sulmit të paprovokuar kibernetik që ndodhi më 15 korrik.
Ndërkohë, Ministri Hoekstra rikonfirmoi mbështetjen e Holandës për Shqipërinë, teksa dënoi sulmin kibernetik të Iranit ndaj Shqipërisë.
“Shqipëria e ka vendin në BE. Në emër të Holandës, mund të them se ne mbështesim dhe inkurajojmë vendin tuaj ndërsa punoni drejt anëtarësimit në BE. Dëshiroj t’i shpreh solidaritetin tim qeverisë dhe popullit shqiptar për ndikimin e rëndë të aktiviteteve të fundit keqdashëse kibernetike në vendin tuaj. Këto veprime janë krejtësisht të papranueshme”, tha ai.
Kjo është vizita e parë që Zëvendëskryeministri dhe Ministri Punëve të Jashtme i Mbretërisë së Holandës, Wopke Hoekstra, zhvillon në Shqipëri.