Ministria e Financave prezantoi sot Strategjinë e tretë të Menaxhimit të Financave Publike, një dokument bazë i cili është punuar së bashku me ekspertët e Bashkimit Europian dhe orienton politikat sa i përket reformave në menaxhimin e financave publike deri në vitin 2030.
Të pranishëm në këtë event ishin Ministri i Financave, z. Ervin Mete, Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, z. Silvio Gonzato, Menaxheri i Bankës Botërore për Shqipërinë, z. Emanuel Salinas, kryetari i komisionit parlamentar për Ekonominë dhe Financat, z. Eduard Shalsi, përfaqësues të tjerë të MF dhe institucioneve të tjera shtetërore.
Në fjalën e tij, Ministri i Financave u shpreh se forcimi dhe konsolidimi i mëtejshëm i financave publike është një nga kërkesat themelore edhe sa i përket rrugëtimit të vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Reforma e Menaxhimit të Financave Publike synon të sigurojë një sistem financiar publik që promovon transparencën, llogaridhënien, disiplinën fiskale dhe efikasitetin në menaxhimin dhe përdorimin e burimeve publike për përmirësimin e ofrimit të shërbimeve dhe zhvillimin ekonomik”, tha Ministri.
Ministri Mete theksoi faktin se në dekadën e fundit është shënuar progres i konsiderueshëm sa i përket reformave dhe masave të ndërmarra, gjatë zbatimit të dy strategjive të mëparshme të Menaxhimit të Financave Publike, ndërsa vendi ka ndërmarrë një sërë reformash të rëndësishme që kanë sjellë avancime domethënëse në procesin e integrimit evropian.
Në këtë kuadër, sipas Ministrit, edhe Plani i Rritjes, i miratuar së fundmi nga Parlamenti Evropian, do të shërbejë si shtysë për vijimin e reformave, shoqëruar kjo edhe me mbështetjen financiare për përshpejtimin e tyre.
Duke iu referuar Strategjisë së re, Ministri Mete informoi se disa prej synimeve të saj janë:
• Përmirësimi i mëtejshëm i politikave fiskale dhe makroekonomike;
• Avancimi në planifikimin e integruar strategjik dhe buxhetor, si edhe rritja e monitorimit dhe raportimit;
• Rritja e mobilizimit të të ardhurave dhe përmirësimi i mëtejshëm i sistemeve për menaxhimin tatimor e doganor;
• Forcimi i menaxhimit të zbatimit të buxhetit dhe implementimi i mëtejshëm i standardeve ndërkombëtare të kontabilitetit;
• Avancimi i përputhshmërisë së sistemeve për Kontrollin e Brendshëm Financiar Publik në përputhje me praktikat e BE-së;
• Integrimi i elementeve të ekonomisë së gjelbër, duke synuar procedura dhe praktika që nxisin shpenzime drejt aktiviteteve të gjelbra.
Gjatë fjalës së tij, Ministri bëri një përmbledhje të disa prej zhvillimeve kryesore ekonomike në vend dhe theksoi se Shqipëria po kalon një moment shumë të mirë ekonomik, treguesit kryesorë makroekonomikë kanë shënuar përmirësime të ndjeshme, ku borxhi publik në fund të vitit 2023 zbriti për herë të parë që nga viti 2011 nën nivelin 60% dhe pritet të vijojë trajektoren rënëse edhe gjatë viteve në vazhdim, ndërsa balanca primare u rikthye në pozitive dhe u shënua një përmirësim i ndjeshëm i bilancit të llogarisë korrente, ndikuar kryesisht nga performanca shumë e mirë e sektorit të turizmit dhe shërbimeve të lidhura me këtë sektor, si edhe investimeve të huaja direkte që arritën nivelin më të lartë, prej 1.5 miliardë euro.
“Ka vijuar performanca e mirë e të ardhurave edhe në muajt e parë të vitit 2024, përgjatë të cilit projektojmë të arrijmë në mbi 28% të PBB-së sa i përket mbledhjes së të ardhurave. Gjithashtu, vitin e kaluar u shënua niveli më i ulët i detyrimeve të prapambetura prej rreth 1% në raport me shpenzimet, që nga momenti i nisjes së monitorimeve në vitin 2016, kjo edhe në kuadër të reformave të ndërmarra në zbatim të Strategjisë së Menaxhimit të Financave Publike”, tha Ministri.
Strategjia e re për Menaxhimin e Financave Publike është publikuar për konsultim publik në fillim të muajit të kaluar dhe pritet të miratohet brenda 6-mujorit të parë të këtij viti, për të nisur më tej me fazën e implementimit të saj.
Fjala e Ministrit të Financave, Ervin Mete në eventin e prezantimit të Strategjisë së Menaxhimit të Financave Publike:
I nderuar Ambasador i Delagacionit të Bashkimit Evropian, z. Gonzato,
I nderuar Menaxher i Bankës Botërore për Shqipërinë, z. Salinas,
I nderuar Kryetar i Komisionit për Ekonominë dhe Financat, z. Shalsi,
Të nderuar pjesëmarrës,
Ju falënderoj për prezencën në këtë event të prezantimit të Strategjisë së tretë të Menaxhimit të Financave Publike, si një nga dokumentat bazë që orienton përpjekjet tona sa i përket reformave në menaxhimin e financave publike në një hark kohor deri në vitin 2030, i punuar bashkërisht me ekspertët e Bashkimit Europian.
Forcimi dhe konsolidimi i mëtejshëm i financave publike është një nga kërkesat themelore edhe sa i përket rrugëtimit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Reforma e Menaxhimit të Financave Publike synon të sigurojë një sistem financiar publik që promovon transparencën, llogaridhënien, disiplinën fiskale dhe efikasitetin në menaxhimin dhe përdorimin e burimeve publike për përmirësimin e ofrimit të shërbimeve dhe zhvillimin ekonomik.
Shqipëria ka ndërmarrë një sërë reformash të rëndësishme që, në veçanti gjatë viteve të fundit, kanë sjellë avancime domethënëse në procesin e integrimit evropian.
Në këtë kuadër, edhe Plani i Rritjes, i miratuar së fundmi nga Parlamenti Evropian, do të shërbejë si shtysë për vijimin e reformave, shoqëruar kjo edhe me mbështetjen financiare për përshpejtimin e tyre. Shqipëria po kalon një moment pozitiv ekonomik, vlerësuar edhe nga Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, si edhe nga agjencitë ndërkombëtare të vlerësimit.
Treguesit kryesorë makroekonomikë kanë shënuar përmirësime të ndjeshme. Borxhi publik në fund të vitit 2023 zbriti për herë të parë që nga viti 2011 nën nivelin 60%, ndërkohë që pritet të vijojë trajektoren rënëse edhe gjatë viteve në vazhdim.
Balanca primare në fund të vitit 2023 u rikthye në pozitive, ndërsa u shënua një përmirësim i ndjeshëm i bilancit të llogarisë korrente, ndikuar kryesisht nga performanca shumë e mirë e sektorit të turizmit dhe shërbimeve të lidhura me këtë sektor, si edhe investimeve të huaja direkte që arritën nivelin më të lartë, prej 1.5 miliardë euro.
Ka vijuar performanca e mirë e të ardhurave edhe në muajt e parë të vitit 2024, përgjatë të cilit projektojmë të arrijmë në mbi 28% të PBB-së sa i përket mbledhjes së të ardhurave. Gjithashtu, vitin e kaluar u shënua niveli më i ulët i detyrimeve të prapambetura prej rreth 1% në raport me shpenzimet, që nga momenti i nisjes së monitorimeve në vitin 2016, kjo edhe në kuadër të reformave të ndërmarra në zbatim të Strategjisë së Menaxhimit të Financave Publike.
Në dekadën e fundit, gjatë zbatimit të dy strategjive të mëparshme të Menaxhimit të Financave Publike, ka patur progres të konsiderueshëm sa i përket reformave dhe masave të ndërmarra. Lidhur me kuadrin fiskal, janë rritur kapacitetet për programimin makroekonomik, si edhe parashikimet makro-fiskale, në bashkëpunim edhe me FMN-në dhe Bashkimin Evropian.
Progres ka patur edhe lidhur me Planifikimin Strategjik të Integruar dhe procesin e Planifikimit Buxhetor Afatmesëm. Është rishikuar kuadri ligjor për Menaxhimin e Investimeve Publike, duke prioritizuar përmes një liste unike projektet me rëndësi kombëtare.
Janë bërë arritje të rëndësishme sa i përket forcimit e menaxhimit financiar në qeverisjen vendore, kryesisht përmes ndryshimeve në kuadrin ligjor e rregullator.
Kuadri ligjor i menaxhimit të borxhit është ndryshuar për të reflektuar përmirësime mbi përgatitjen e Strategjisë së Menaxhimit të Borxhit.
Për sa i përket Kontrollit të Brendshëm, janë bërë përmirësime dhe ndryshime në Ligjin “Për Menaxhimin Financiar dhe Kontrollin” dhe Ligjin “Për Auditimin e Brendshëm”, shoqëruar me aktet përkatëse nënligjore.
Strategjia e re që prezantojmë sot për Menaxhimin e Financave Publike synon ndër të tjera:
• Përmirësimin e mëtejshëm të politikave fiskale dhe makroekonomike;
• Avancim në planifikimin e integruar strategjik dhe buxhetor, si edhe rritjen e monitorimit dhe raportimit;
• Rritjen e mobilizimit të të ardhurave dhe përmirësimin e mëtejshëm të sistemeve për menaxhimin tatimor e doganor;
• Forcimin e menaxhimit të zbatimit të buxhetit dhe implementimin e mëtejshëm të standardeve ndërkombëtare të kontabilitetit;
• Avancimin e përputhshmërisë së sistemeve për Kontrollin e Brendshëm Financiar Publik në përputhje me praktikat e BE-së; si dhe, një nga risitë e kësaj strategjie, që ka të bëjë me:
• Integrimin e elementeve të ekonomisë së gjelbër, duke synuar procedura dhe praktika që nxisin shpenzime drejt aktiviteteve të gjelbra.
Strategjia për Menaxhimin e Financave Publike, e publikuar për konsultim publik në fillim të muajit të kaluar, pritet të miratohet brenda 6-mujorit të parë të këtij viti, për të nisur më tej me fazën e implementimit të saj.
Shumë faleminderit!